Кumtesa|

13 shtator 2021, Shkup – Sistemi financiar është në gjendje të mirë dhe i gatshëm t’u përgjigjet edhe sfidave të ardhshme. Lidhja ndërsektoriale e segmenteve institucionale të sistemit dhe mundësia që rreziqet të përhapen nga një segment në tjetrin janë të ulëta. Për ekonominë maqedonase është jashtëzakonisht e rëndësishme që të gjithë treguesit në dispozicion tregojnë se çdo segment institucional i sektorit financiar vendor menaxhon mirë rreziqet e pandemisë. Është thelbësore që sistemi bankar iu përgjigj në mënyrë adekuate sfidave të krizës dhe riafirmojë qëndrueshmërinë e tij ndaj goditjeve, duke pasur parasysh se nga stabiliteti i tij kushtëzohet stabiliteti i sistemit financiar në përgjithësi.

Këto janë disa nga përfundimet nga mbledhja e sotme e Komitetit për Stabilitet Financiar, në të cilin u prezantua Raporti i Stabilitetit Financiar i vitit 2020, i miratuar së fundmi nga Këshilli i Bankës Popullore. Në mbledhje morën pjesë ministri i Financave, Fatmir Besimi, guvernatorja e Bankës Popullore, Anita Angellovska Bezhoska, kryetarja e Komisionit të Letrave me Vlerë (KLV), Nora Aliti, kryetari i Këshillit të Ekspertëve te Agjencisë për Mbikëqyrjen e Financimit të Sigurimeve Pensionale (MAPAS), Maksud Ali dhe kyetari i Këshillit të Ekspertëve të Agjencisë për Mbikëqyrjen e Sigurimeve (AMS), Krste Shajnoski

Në mbledhje u theksua se Ministria e Financave ndjek vazhdimisht situatat në segmentin e sistemit financiar për të cilin është kompetent, respektivisht shoqëritë financiare dhe shoqërite për lizing. Gjegjësisht, vitin e kaluar ky sektor u prek nga pandemia e Kovid-19, por që nga fillimi i vitit tregon rimëkëmbje dhe rezultate pozitive, si duke rritur numrin e shoqërive që operojnë në treg ashtu edhe në plasmanet financiare.

Forcimi i pozicionit të tregut nga shoqëritë financiare në periudhën e kaluar është impuls shtesë për të menduar më seriozisht për kërkesat rregullatore dhe standardet që shoqëritë financiare duhet të përmbushin. Për këtë arsye, Ministria e Financave shqyrton mundësinë e forcimit të kornizës rregullatore për funksionimin e shoqërive financiare në tregun e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë që të theksohet serioziteti dhe qasja e tyre në punë nga njëra anë, si dhe rritja e besimit tek popullata dhe kompanitë në këto institucione financiare. “- theksoi Ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Ai shtoi se kjo është e nevojshme sepse shoqëritë financiare duhet të shihen si institucione financiare serioze që ofrojnë alternative të veprimtarisë bankare, dhe jo vetëm si kompani që ofrojnë kredi afatshkurtra për popullatën.

Duke iu referuar treguesve të sistemit bankar, guvernatorja Angelovska-Bezhoska theksoi se për shkak të një vlerësimi më të detajuar të rreziqeve dhe gatishmërisë së sektorit bankar për t’u përballur me goditjet në kushte të veçanta pandemike, Banka Popullore zgjeroi kornizën për stres-testimin e sistemit.

“Përveç makro-stres testit të rregullt, për herë të parë ne kemi kryer stres-testim gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, individual për secilën bankë. Rezultatet e stres-testit, sipas të dyja qasjeve, treguan se shtresat mbrojtëse të kapitalit, të ndërtuara nga sistemi bankar në periudhën e mëparshme, ofrojnë mbrojtje adekuate kundër rreziqeve dhe mundësojnë rritje të mëtejshme të mbështetjes së kredisë, si për amvisëritë ashtu edhe për sektorin e korporatave. “- tha guvernatorja.

Ajo theksoi se është me rëndësi të madhe që pavarësisht sfidave të pandemisë, dhe pas përfundimit të shtyrjes së pagesës së kredive, niveli i kredive jofunksionale është ende i ulët.

KLV vazhdon të monitorojë me kujdes, si në periudhën e kaluar, tendencat dhe rreziqet e mundshme, për shkak të reagimit të përshtatshëm që synon kryesisht pjesëmarrësit e tregut, infrastrukturën e tregut, mjedisin e tregut, përfshirë transparencën, qeverisjen e mirë korporative dhe interesin për investime.

“Misioni i tregut të kapitalit edhe në periudhën pas shpërthimit të pandemisë Kovid-19 ka për qëllim njohjen e ideve pozitive dhe projekteve që forcojnë funksionimin e tregut të bursave dhe fondeve, duke motivuar kështu shoqëritë aksionare dhe të gjitha subjektet tjera që kanë potencial të fuqishëm për përparim për të investuar në inovacion dhe zhvillim përmes tregut, sepse vetëm trendet pozitive mund të kontribuojnë për parametra edhe më të mirë ekonomik.” – tha kyetarja e KLV -së, Nora Aliti.

Tregu i kapitalit po tregon stabilitet, në të gjitha aspektet e tij, i cili është konstant dhe i dukshëm, dhe, nga ana tjetër, është rezultat i aktiviteteve të KLV. Duke filluar nga arritjet e tregut të letrave me vlerë, në vitin që ishte jashtëzakonisht i pasigurt për të gjithë, ka përparim në segmente të caktuara, i cili është deklaruar edhe në Raportin për Stabilitet Financiar të vitit 2020.

Siç u theksua në mbledhje, edhe në kushte krize me sfida të reja, Komisioni arriti të veprojë intensivisht, si rregullator proaktiv dhe të ndërtojë një treg kapitali më të qëndrueshëm.

Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të MAPAS, Maksud Ali, theksoi se kriza globale shëndetësore dhe ekonomike i zhvendosi në afat të shkurt tendencat e rritjes së parametrave të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar për financim kapital të sigurimeve pensionale, kështu që shënoi ulje në fund të tremujorit të parë të vitit 2020, por fondet e pensionit në një kohë relativisht të shkurtër shlyen dhe tejkaluan vlerën e reduktuar të mjeteve.

“Sidoqoftë, duke pasur parasysh që fondet e pensioneve janë investitorë afatgjatë, është e rëndësishme që ato të vlerësohen në plan më afatgjatë. Në periudhën shtatëvjeçare 2014-2020, rendimenti mesatar i realizuar në bazë vjetore është brenda nivelit strategjik të planifikuar. ”-tha Ali.

Politikat konservative të shoqërive të sigurimit dhe rregullativa për kryerjen e veprimtarisë së sigurimit të cilat i referohen vlerësimit të rezervave teknike dhe investimeve të mjeteve që mbulojnë rezervat teknike, si dhe cilësisë së lartë të instrumenteve të përfshira në llogaritjen e kapitali të shoqërive të sigurimit, janë bazë dhe garanci e mirë për ruajtjen e aftësisë paguese në funksionimin e shoqërive të sigurimit. Në gjysmën e parë të vitit 2021, u shënua rritje e sigurimit në të dyja grupet, jetë dhe jo-jetë. Numri i shoqërive të sigurimit nuk ka ndryshuar, por ka një rritje të konkurrencës në ofertën e shërbimeve të sigurimit në të dy segmentet, gjë që çon në rritje të konsiderueshme të anës së shpenzimeve, domethënë rritje të pagesave të dëmeve dhe kostove operative të funksionimit, e cila kontribuon në zvogëlimin e përqëndrimit të tregut, por edhe në përkeqësimin e rezultateve financiare në gjysmën e parë të vitit.- tha, ndër të tjera, Kryetari i Këshillit të Ekspertëve të AMS -së, Krste Shajnoski.

Në mbledhje u theksua se është jashtëzakonisht e rëndësishme që pavarësisht nga efektet e theksuara të pandemisë, rreziqet që lidhen me sektorin “amvisëri” janë brenda kornizave të kontrolluara, dhe borxhi i amvisërive mbetet i moderuar. Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që amvisërite ruajtën aftësinë për të shlyer borxhin rregullisht, gjë që kontribuoi në ruajtjen e cilësisë së portofolit të huave të bankave. Borxhi i sektorit të korporatave është rritur në mënyrë të moderuar në vitin 2021, por ai edhe më tej mbetet i moderuar. Në fakt, edhe gjatë pandemisë, sektori i korporatave rriti kapitalin e tij, i cili kontribuoi në rritjen e financimit të borxhit, pa rritur nivelin e borxhit të shprehur si raporti midis borxhit dhe kapitalit (levave financiare). Duke pasur parasysh se pandemia është burimi kryesor i rreziqeve për sektorin e korporatave edhe në periudhën e ardhshme, në mbledhje u theksua se rreziqet janë më të theksuara për subjektet me nivele më të larta të borxhit dhe ata që nuk do të jenë në gjendje të përshtatin funksionimin me kushtet e imponuara nga pandemia.

Duke parë të dhënat për të gjitha segmentet institucionale të sistemit financiar, u arrit në përfundim se ai është gati t’iu përgjigjet edhe sfidave të ardhshme. Në këtë kontekst, duke pasur parasysh faktin se ende egziston pasiguria lidhur me rrjedhën e pandemisë dhe efektet e mëtejshme të mundshme në ekonomi, pritet që të gjitha institucionet financiare të vazhdojnë të veprojnë me kujdes dhe të mbajnë nivele adekuate të kapitalizimit dhe likuiditetit.

Nënkomitetet brenda Komitetit për Stabilitetit Financiar monitorojnë rregullisht situatën, në mënyrë që koordinimi i rregullatorëve financiarë të jetë konstant.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window