Кumtesa|

3 nëntor 2021, Shkup – Arritja e zhvillimit lokal dhe rajonal është një nga qëllimet kryesore të programit të Qeverisë si pjesë e përpjekjeve për përshpejtimin e rritjes, me ç’rast rritja do të bëhet më inklusive (gjithëpërfshirëse), më e qëndrueshme dhe do të përmirësohet cilësia e jetesës së qytetarëve. Për të arritur këtë qëllim, në dispozicion janë: Plani për rritje të përshpejtuar ekonomike, reforma për avancimin e decentralizimit fiskal dhe Propozim buxheti për vitin 2022, ku investimet kapitale parashihen të jenë në nivel prej 14% nga shpenzimet e përgjithshme, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, në ngjarjen e organizuar nga UNDP-ja, “Financimi i investimeve infrastrukturore për zhvillim të qëndrueshëm lokal dhe rimëkëmbje ekonomike”.

Propozim buxheti për vitin 2022, siç theksoi ministri, është zhvillimor, i cili krijon mjedis për zhvillim të përgjithshëm dhe në atë kontekst është edhe zhvillimi i komunave.

Ministri veçanërisht u përkushtua mbi reformën për avancimin e decentralizimit fiskal, e cila ofron zgjidhje sistematike serioze për financat e qëndrueshme në komuna.

“Me këtë reformë ndahen më shumë mjete për komunat. Kjo do të arrihet përmes rritjes së të hyrave të tanishme të parapara për komunat prej 3% nga tatimi mbi të ardhurat personale në 6% dhe normës së dotacionit të TVSH-së, nga 4.5% në 6%, që do të zbatohet në vitin 2024. Deri në vitin 2024, parashihet rritje graduale e të hyrave nga tatimi mbi të ardhurat personale, me ç’rast përqindja për vitin 2022 do jetë në nivel prej 4%, në vitin 2023 në 5% dhe në vitin 2024 do të arrijë 6%”, njoftoi ministri dhe shtoi se mjetet nga rritja shtesë e përqindjes së TVSH-së, për komunat do të shpërndahen në dy fonde të reja – Fondi i Performancës (suksesit) dhe Fondi i Barazimit.

Fondi i performancës do t’i shpërblejë komunat që kanë arkëtim më të mirë të të hyrave lokale, ndërsa Fondi i Barazimit do të veprojë në drejtim të zvogëlimit të dallimeve, sipas kapacitetit fiskal të komunave.

Ministri Besimi, njofton se arritja e zhvillimit lokal dhe rajonal reflekton edhe në Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike. Gjithashtu, Plani për rritje të përshpejtuar ekonomike ka për qëllim rritjen e investimeve me mobilizimin e mjeteve të sektorit privat.

“Brenda këtyre kornizave do të formohet edhe Fondi për zhvillim lokal dhe rajonal, ku qëllimi është që të përkrahen vetëqeverisjet lokale dhe ndërmarrjet publike lokale dhe nacionale me qëllim të zgjerimit dhe zhvillimit të infrastrukturës lokale, sigurimit të shërbimeve lokale publike me cilësi të lartë dhe përmirësimit të menaxhimit lokal”, theksoi Besimi.

Kapitali i Fondit do të sigurohet nga mjetet e buxhetit qendror dhe do të plotësohet me mjete nga bankat komerciale, kreditorët zyrtarë dhe donatorët për të siguruar financa shtesë për investimet lokale dhe rajonale, si dhe projektet zhvillimore.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window