Intervista, Кumtesa|

nëntor 2021, Shkup – Të hënën në Kuvend duhet të fillojë debati për Propozim-buxhetin për vitin 2022. Ministri i Financave Fatmir Besimi, në një intervistë për MPB-në, shprehet se është e rëndësishme ai të miratohet brenda afatit të përcaktuar me ligj, meqë me të sigurohet financimi i papenguar i funksioneve shtetërore, mbështetja e fuqishme financiare për rimëkëmbjen ekonomike dhe zhvillim të përshpejtuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm ekonomik.

“Është me rëndësi të nënvizoj se përmes Buxhetit sigurohet pagesë me kohë të pagave, pensioneve, kompensimeve sociale, subvencioneve, sigurohet realizimi i investimeve kapitale, të cilat për vitin 2022 janë planifikuar në nivelin prej 37,8 miliardë denarë dhe janë më të larta se deficiti buxhetor. Në atë mënyrë respektohet rregulli i artë në financat publike, gjegjësisht parashihen më shumë mjete për financimin e projekteve investuese sesa huamarrja e parashikuar”, thekson Besimi.

Sipas tij, Propozim-buxheti është i zhvilluar në të gjitha aspektet, gjë që mund të shihet përmes shumës së projektuar historikisht më të lartë të investimeve kapitale në shpenzimet e përgjithshme prej 14 për qind. Akoma më domethënëse, sipas Besimit, është se ato janë projektuar në një shumë që është më e lartë se deficiti buxhetor, gjegjësisht deficiti buxhetor është paraparë të arrijë në 33,5 miliardë denarë ose 4,3 për qind të PBB-së së planifikuar, ndërsa shpenzimet kapitale janë parashikuar në 37,8 miliardë denarë ose 4,9 për qind nga PBB.

“Kjo do të thotë se në vitin 2022 do të merret hua vetëm për realizimin e projekteve investuese”, thekson Besimi.

Kryesor do të jetë parimi “value for money” që do të thotë se paratë e qytetarëve do të përdoren aty ku do të kenë efektet më të mëdha për arritjen e qëllimeve për cilësi më të lartë të jetës.

Sipas projeksioneve, shpenzimet e përgjithshme në Propozim-buxhetin janë planifikuar në nivel prej 272,4 miliardë denarë ose 32 për qind të PBB-së, ndërsa të hyrat në 238,9 miliardë denarë ose 30,9 për qind të PBB-së. Të ardhurat e përgjithshme janë 7,4 për qind më të larta se në vitin 2021, ndërsa te shpenzimet ka rritje prej 1,4 për qind krahasuar me shpenzimet e vitit 2021, por ato janë më të ulëta si përqindje e PBB-së në krahasim me vitin 2021. Deficiti është parashikuar në 33,5 miliardë denarë ose 4,3 për qind nga PBB-ja, ndërsa norma e inflacionit në 2,4 për qind.

Në intervistë me ministrin e Financave diskutojmë edhe për investimet kapitale, për të cilat ai shprehet se duhet të jenë në fushat kyçe të infrastrukturës që do të gjenerojnë rritje, ndërsa sqaron se si do të bëhet shlyerja e deficitit dhe borxhit të projektuar. Besimi thekson se si në kohë krize, ashtu edhe në vitin kur duhet të shlyhej euroobligacioni prej 500 milionë eurosh, i emetuar në vitin 2014, borxhi publik është ulur në 59.3 për qind në tremujorin e tretë.

“Kjo e tregon politikën e mirëformuar fiskale dhe mirëmenaxhimin e financave publike edhe në kohë pandemie. Si Ministri e Financave qëndrojmë fuqishëm në përkushtimin për stabilizimin e borxhit dhe pozicionimin e tij në nivel deri në 60 për qind të PBB-së”, shprehet Besimi.

Në vazhdim transmetojnë intervistën në tërësi:

Z. ministër, Qeveria ka miratuar Propozim-buxhetin për vitin 2022 dhe tashmë është dorëzuar në Kuvend ku më 15 nëntor është caktuar debati në Komisionin amë për financim dhe buxhet. A prisni debat konstruktiv dhe miratim të thesarit të propozuar të shtetit?

“Buxheti është dokument strategjik, në të cilin Qeveria reflekton financiarisht prioritetet për të cilat do të përkushtohet gjatë vitit dhe duhet të miratohet nga Kuvendi sepse siguron financim të pandërprerë të funksioneve të shtetit, mbështetje të fuqishme financiare për rimëkëmbjen ekonomike dhe zhvillim të përshpejtuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm ekonomik.

Është me rëndësi të theksohet se Buxheti parashikon pagesën me kohë të pagave, pensioneve, kompensimeve sociale, subvencioneve, siguron realizimin e investimeve kapitale, të cilat për vitin 2022 janë planifikuar në nivelin prej 37,8 miliardë denarë dhe janë më të larta se deficiti buxhetor. Në atë mënyrë respektohet rregulli i artë në financat publike, gjegjësisht parashihen më shumë mjete për financimin e projekteve investuese sesa huamarrja e parashikuar.

Prandaj, është e rëndësishme që buxheti të miratohet brenda afatit të përcaktuar me ligj. Me fjalë tjera, përgatitja dhe miratimi i buxhetit të shtetit është i paraparë me ligj dhe në të janë përmendur afate të sakta sipas të cilave duhet të veprohet. Sipas këtyre afateve, buxheti nga Kuvendi duhet të miratohet më së voni deri më 31 dhjetori të këtij viti.

Investimet kapitale janë projektuar në nivelin prej 37,8 miliardë denarë dhe janë më të larta për 27 për qind në krahasim me buxhetin për vitin 2021. Për herë të parë do të jenë më të larta se deficiti buxhetor. Pse vendosët të ndërmerrni një hap të tillë?

“Qeveria është e fokusuar në realizimin e rritjes më të lartë ekonomike dhe cilësisë më të mirë të jetës së qytetarëve. Për ta arritur këtë, është e qartë se duhet të ketë investime më të larta kapitale, por ato duhet të jenë në fushat kyçe të infrastrukturës që do të gjenerojnë rritje. Gjithashtu, qëllimi ynë është të nxitet edhe zhvillim më i balancuar lokal dhe rajonal, që do të mundësojë aftësi konkurruese të ekonomisë maqedonase në tregjet e huaja, por edhe tërheqjen e investimeve direkte të huaja në vendin tonë, ku lidhja e mirë infrastrukturore është kyçe në pjesën e vendimmarrjes për investime në një komunë ose shtet.

Me këtë rast, fokusi i investimeve kapitale janë agjenda e gjelbër, digjitalizimi, inovacionet dhe zhvillimi teknologjik, zhvillimi i infrastrukturës fizike…, por, gjithashtu, vazhdojmë edhe me mbështetjen e kompanive përmes programeve Kovid, për të cilat janë ndarë 4,6 miliardë denarë.

Në politikën e përmirësimit të strukturës dhe realizimit të shpenzimeve kapitale, qëllimi kryesor është rritja e potencialit për rritje të ekonomisë vendore, rritja e aftësisë konkurruese, tërheqja dhe nxitja e investimeve duke rritur nivelin, cilësinë dhe dinamikën e realizimit të shpenzimeve kapitale.

Është e rëndësishme që gjatë realizimit të udhëhiqemi nga parimi i vlerës për paratë e investuara (“values for money”), që do të thotë se mjetet nga buxheti apo paratë e qytetarëve do të përdoren aty ku japin efektet më të mëdha në arritjen e qëllimeve për cilësi më të lartë të jetës..

Përmes buxhetimit të vendosur të bazuar në rezultate do të arrihet efikasitet dhe efektivitet më i mirë i shpenzimeve publike, duke lidhur shpenzimet e sektorit publik me rezultatet e arritura. Buxhetimi nuk duhet shikuar si nismë e izoluar, por si pjesë e një reforme më të gjerë institucionale, qëllimi i së cilës është cilësia më e lartë e jetës për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme.

Shpenzimet kapitale në propozim-buxhetin për vitin 2022 janë të destinuara për intensifikimin e realizimit të projekteve infrastrukturore, përkatësisht për investime në infrastrukturën rrugore, hekurudhore, energjetike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushteve në sistemin shëndetësor, arsimor dhe social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe gjyqësor.

Si projekte më domethënëse do të veçoja ndërtimin e Korridorit 8: aksi Tetovë – Gostivar (zgjerimi i autostradës), ndërtimi i autostradës së re Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, ndërtimi i akseve Gostivar-Bukojçan dhe Bukojçan-Kërçovë, si dhe Korridorit 10: aksi Prilep – Manastir. Po ashtu, përmes NPRRSH në pjesën e infrastrukturës rrugore do të përgatitet studimi i fizibilitetit (studim i realizimit) për ndërtimin e rrugës Tetovë – Prizren.

Njëherësh, në vitin 2022 është planifikuar të përfundojë rikonstruksioni i hekurudhës së Korridorit 10 të financuar me kredi nga BERZH. Janë parashikuar edhe mjete për vazhdimin e realizimit të fazës së parë dhe të dytë të projektit për ndërtimin dhe rehabilitimin e pjesës lindore të hekurudhës – Korridori 8: aksi Kumanovë – Belakovc – Kriva Pallankë, të financuar nga BERZH. Krahas kredisë nga BERZH-i dhe granti nga instrumenti Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, në kuadër të projektit janë parashikuar edhe aktivitete për përmirësimin e karakteristikave teknike të hekurudhës, ndërtimin dhe rehabilitimin e urave, stacioneve hekurudhore, ndalesave, nënkalimeve dhe mbikalimeve.

Gjatë vitit 2022 me kredi nga Banka Botërore do të vazhdojnë aktivitetet për realizimin e Projektit për rrugët lokale, me të cilin do të përmirësohet infrastrukturën rrugore të komunave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Fondet IPA do të realizojnë projekte për ndërtimin e aksit rrugor Gradsko – Drenovë, si pjesë e aksit rrugor të Korridorit 10 dhe rehabilitimin, rindërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës ekzistuese rrugore.

Në fushën e infrastrukturës energjetike dhe komunale dhe menaxhimin e mbeturinave do të vazhdojë dinamika e intensifikuar e ndërtimit të sistemeve të ujësjellësit dhe kanalizimeve në komunat të financuara nga burimet personave dhe me fonde nga linja kreditore nga Banka Evropiane e Investimeve (BEI).

Përmes projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale, të financuar nga Banka Botërore, do t’u mundësojë komunave dhe ndërmarrjeve komunale publike të financojnë ndërhyrje investuese në përputhje me prioritetet e tyre në fushën e ujësjellësit dhe derdhjen e ujërave të zeza, menaxhimit të mbeturinave të ngurta dhe investimeve të tjera në shërbimet komunale, të cilat kanë potencial për të gjeneruar të ardhura, pra për të arritur kursime ose që janë me prioritet të lartë për komunat.

Në vitin 2022 me kredi nga Banka Botërore do të nisë realizimi i Projektit të efikasitetit energjetik në sektorin publik, me të cilin do të financohen projekte me efikasitet energjetik në komuna, si dhe institucione publike shëndetësore të pushtetit qendror.

Me kredi nga BEI dhe BERZH, si dhe me grant nga BEI, në vitin 2022 do të fillojë financimi i njërit prej projekteve më të mëdha kapitale në vend, e ai është impianti për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup.

Fondet IPA do të mbështesin rehabilitimin dhe përmirësimin e sistemit kolektor në Shkup, rehabilitimin dhe përmirësimin e rrjetit të kanalizimit dhe ndërtimin e impianteve të trajtimit në Kërçovë, Manastir dhe Tetovë, si dhe krijimin e një sistemi rajonal për menaxhimin e mbeturinave dhe mbylljen e deponive në rajonin Lindor dhe Verilindor.

Njëkohësisht me Propozim-buxhetin për vitin 2022, parashikohet rregullimi i zonave zhvillimore teknologjike industriale përmes ndërtimit të infrastrukturës dhe objekteve të nevojshme dhe punimeve hulumtuese gjeomekanike.

Për sektorin e shëndetësisë janë planifikuar investime të dedikuara për ndërtimin dhe rindërtimin e institucioneve publike shëndetësore, blerjen e pajisjeve mjekësore dhe rindërtimin e Spitalit të përgjithshëm në Kërçovë. Në vitin 2022, në të njëjtën kohë do të vazhdojë realizimi i Projektit – Spitali rajonal klinik në Shtip, i financuar me kredi nga BQE.

Për arsimin, mbrojtjen e fëmijëve dhe sportin, janë projektuar investime kapitale, që janë dedikuar për ndërtimin dhe rindërtimin e shkollave fillore dhe të mesme, kopshtet, ndërtimin e shkollave dhe sallave sportive, rindërtimin e konvikteve të nxënësve dhe studentore, pajisjen dhe rindërtimin e universiteteve dhe investime në infrastrukturën sportive.

Në fushën e arsimit, me kredi nga Banka KFW do të fillojë Projekti për rindërtimin e konvikteve të studentore dhe do të vazhdojë edhe me realizimin e Projektit për ndërtimin e palestrave në shkollat fillore dhe rehabilitimin e shkollave fillore dhe të mesme me kredi nga BQE dhe bashkëfinancim kombëtar.

Me qëllim të përmirësimit të kushteve të mësimit në arsimin fillor në vend, me kredi nga Banka Botërore do të vazhdojë financimi i realizimit të Projektit për avancimin e arsimit fillor.

Në drejtim të mbështetjes së sektorit të bujqësisë, parashikohen investime të konsiderueshme kapitale për zhvillimin rural, ndërtimin e hidrosistemeve dhe investime për përmirësimin e aftësisë konkurruese dhe modernizimin e ekonomive bujqësore.

Në fushën e jurisprudencës, në vitin 2022 është parashikuar rikonstruksioni i institucioneve ndëshkuese-përmirësuese.

Në drejtim të reformave në financat publike, përmirësimin e kornizës fiskale, forcimit të procesit të planifikimit dhe realizimit të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përmirësimit e arkëtimit të të hyrave, forcimit të sistemit të furnizimeve publike, kontrollit të brendshëm dhe të jashtëm dhe raportimi transparent, në vitin 2022 do të vazhdohet me aktivitetet për përgatitjen për vendosjen e Sistemit të integruar informativ për menaxhimin financiar dhe Sistemit të integruar informativ tatimor i cili do të financohet me kredi nga Banka Botërore dhe mjetet e donatorëve. Procesi i përgjithshëm i reformës së financave publike do të nënkuptojë vendiosjen e konceptit të “financave të mençura” (SMART Finance) (strategjike, të qëndrueshme, të përgjegjshme, reformuese dhe transparente), respektivisht financat publike që do të mbështesin rritjen e përshpejtuar ekonomike në periudhën afatmesme dhe afatgjate, në kuadër të qëndrueshmërisë fiskale dhe stabilitetit makroekonomik e financiar (Smart Finance for Smart Growth)

Disa ekspertë pajtohen se komponenti zhvillimor i buxhetit janë investimet kapitale, por theksojnë se deficiti i parashikuar prej 4.3 për qind të PBB-së është i lartë, ndërsa i shqetësin edhe borxhi publik. Komenti Juaj?

“Buxheti i propozuar për vitin 2022 sipas të gjitha karakteristikave është buxhet zhvillimor, i cili shihet përmes vlerës së parashikuar historikisht më të lartë të investimeve kapitale në shpenzime të përgjithshme prej 14 për qind. Edhe më e rëndësishme është që ato janë projektuar në vlerë më të lartë se deficiti buxhetor. Respektivisht, deficiti buxhetor është paraparë të arrijë në 33,5 miliardë denarë ose 4,3 për qind të PBB-së së planifikuar, ndërsa shpenzimet kapitale janë parashikuar në 37,8 miliardë denarë ose 4,9 për qind nga PBB. Kjo do të thotë se në vitin 2022 do të merret hua vetëm për realizimin e projekteve investuese.

Deficiti i planifikuar është në përputhje me projeksionet e përcaktuara në Strategjinë fiskale për vitet 2022-2026 dhe përcaktimin për konsolidim fiskal dhe konfirmon qëndrueshmërinë e projeksioneve, përcaktimin për disiplinë buxhetore, ridizajnimin e shpenzimeve buxhetore, përmes rritjes së pjesëmarrjes së projekteve kapitale infrastrukturore në shpenzimet e përgjithshme.

Në vitin 2022, me rritjen e mjeteve dhe shpenzime kapitale në raport me vitin 2021 dhe ndikimi ende i pranishëm i krizës nga Kovid 19, që kërkon nevojën për deficite ende të larta buxhetore për të mbështetur kompanitë e prekura dhe kategoritë e rrezikuara, deficiti i projektuar buxhetor është më i ulët për 2,2 për qind të PBB-së në raport me deficitin e projektuar buxhetor për vitin 2021.

Shfaqja e pandemisë së shkaktuar nga Kovid-19 dhe përgjigjja ndaj krizës imponuan nevojën për mjete shtesë që ndikoi në rritjen e deficitit buxhetor, si dhe të borxhit publik. Kjo ishte rast jo vetëm në vendin tonë, por edhe në nivel global.

Për zbutjen e tronditjes ekonomike, Qeveria reagoi në kohë duke miratuar disa pako të masave ekonomike, përmes mbështetjes së synuar dhe të përkohshme me qëllim të mbrojtjes së likuiditetit të kompanive, ruajtjen e vendeve të punës dhe sigurimin e mbrojtjes sociale për të papunët dhe amvisërive të rrezikuara. Masat e ndërmarra ekonomike shkaktuan rritje të shpenzimeve shtetërore, e me këtë edhe rritje të deficiteve.

Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se në kohë krize dhe në vitin kur patëm dhe shlyem 500 milionë euro euroobligacione të lëshuara në vitin 2014, si dhe kredi për realizimin e projekteve të caktuara, arritëm të reduktonim borxhin publik dhe deri ne tremujorin e tretë të vitit 2021 niveli i tij arriti në 59.3 për qind të PBB-së që është nën kriterin e Mastrihtit (60 për qind të PBB-së). Kjo tregon politikën fiskale të mirëformuar dhe mirëmenaxhimin e financave publike edhe në kohë pandemie.

Si Ministri e Financave, ne qëndrojmë të vendosur në angazhimin për stabilizimin e borxhit dhe pozicionimin e tij në një nivel deri në 60 për qind të PBB-së. Kështu që, në afat të mesëm, respektivisht deri në vitin 2026, projeksionet në Strategjinë e menaxhimit të borxhit publik janë që ai të stabilizohet dhe të ulet në 57,7 për qind, ndërsa borxhi shtetëror do të ulet në 50,7 për qind. Për ta realizuar këtë, është përgatitur Plani i qëndrueshmërisë fiskale, i cili parashikon një ngushtim gradual të deficitit të përgjithshëm buxhetor nga 6,5 për qind në vitin 2021 në 2,2 për qind në vitin 2026. Kjo do të arrihet duke përmirësuar arkëtimin e të ardhurave buxhetore, duke reduktuar dhe ristrukturuar shpenzimet buxhetore dhe ndryshimet në burimet e financimit të deficitit buxhetor.

E gjithë kjo është e orientuar drejt rritjes së përshpejtuar ekonomike, e cila në përputhje me Planin e miratuar për rritje të përshpejtuar ekonomike, në pesë vitet e ardhshme duhet të kontribuojë në dyfishimin e normës së PBB-së në raport me mesataren në 10 vitet e fundit dhe rritje mesatare vjetore prej 2,5 për qind të kemi norma të rritjes së PBB-së mbi 5 për qind deri në vitin 2026, si dhe investime që përllogariten në 12 miliardë euro. Është e rëndësishme që nga të planifikuarat, 4 miliardë euro janë investime nga sektori publik, ndërsa ato do të gjenerojnë 8 miliardë euro shtesë kapital privat. Koncepti është vendosur në atë mënyrë që të gjenerojë huamarrje plotësuese dhe ngarkesa tatimore të qytetarëve.

Ju njoftuat se deficiti dhe shlyerja e borxhit do të financohen në kombinim të huamarrjes së brendshme dhe të huaj, por do të merret parasysh optimizimi i kostove të huamarrjes. Si planifikoni ta bëni këtë?

“ Shlyerja e deficitit të parashikuar për vitin 2022 në vlerë prej 33,5 miliardë denarësh dhe shlyerja e borxhit në vlerë prej 11,6 miliardë denarësh do të financohet me debi të brendshme dhe të jashtme. Në mënyrë thelbësore në sigurimin e fondeve të nevojshme dhe zgjedhjen e financimit, ne do të udhëhiqemi duke siguruar fondet e nevojshme në kushte të favorshme dhe shpenzime të reduktuara. Kjo u arrit me emetimin e eurobondit në mars të vitit 2021 kur u arrit norma më e ulët e interesit historikisht prej 1.625 për qind. Gjithashtu, për të menaxhuar me maturi financat publike, do të shqyrtojmë mundësinë e menaxhimit aktiv të portofolit të borxhit nëpërmjet operacioneve të shlyerjes së parakohshme të borxhit.

Shlyerja e kryegjësë apo principalit në bazë të borxhit të jashtëm në vlerë prej 6,1 miliardë denarë përfshin shërbimin e rregullt të detyrimeve ndaj kreditorëve të huaj, si në vijim: BERZH në vlerë prej 1,5 miliard denarë, Dojçe Bank në vlerë prej 1,1 miliardë denarësh, IDA në vlerë prej 1,0 miliardë denarësh, BERZH në vlerë prej 1,0 miliardë denarësh, EIB 0,7 miliardë denarësh, BQE 0,4 miliardë denarë, Banka e Japonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar në vlerë prej 0,2 miliardë denarësh, ndërsa pjesa tjetër 0,2 miliardë denarë kreditorë të tjerë bilateralë (IFAD, KfV dhe të tjerë).

Debia jashtë vendit mund të realizohet duke rihapur eurobondet ekzistuese në tregun ndërkombëtar të kapitalit dhe duke tërhequr fonde nga kreditë e favorshme nga institucionet financiare të huaja dhe linjat e kreditit të destinuara për financimin e projekteve të caktuara.

Shlyerja e kryegjësë në bazë të borxhit të brendshëm është në vlerë të përgjithshme prej 5,5 miliardë denarësh dhe ka të bëjë me shlyerjen e obligacioneve shtetërore dyvjeçare dhe trevjeçare në vlerë prej 5,1 miliardë denarësh dhe kthimin e obligacioneve për denacionalizim në vlerë prej 0,4. miliardë denarësh. Në vitin 2022, obligacionet afatgjata me maturitet 5, 7, 10, 15 dhe 30 vjet nuk maturohen. Huamarrja e brendshme, e cila është e paraparë në nivelin prej 26,6 miliardë denarësh, do të sigurohet përmes huamarrjes me letra me vlerë të qeverisë dhe kreditë e brendshme, dhe me qëllim të optimizimit të portofolit të letrave me vlerë të qeverisë, dhe me qëllim të zvogëlimit të rrezikut të rifinancimit, angazhimi bazë do të jetë dhe rritja e maturimit të portofolit të letrave me vlerë të qeverisë.

Gjithashtu, ndër burimet e financimit, Ministria e Financave për herë të parë në historinë e pavarur ekonomike prezanton lloje të reja instrumentesh financiare: bono zhvillimi, bono jeshile, bono projektuese dhe obligacione të indeksuara me inflacion që janë pjesë e Planit për rritje të përshpejtuar ekonomike.

Në periudhën e ardhshme afatmesme, politika fiskale do të vazhdojë drejt konsolidimit të mëtejshëm të shpenzimeve publike, stimulimit të aktivitetit ekonomik nëpërmjet shpenzimeve kapitale dhe investimeve në infrastrukturë, përmirësimit të kushteve për të bërë biznes dhe krijimit të vendeve të reja të punës. Në të njëjtën kohë, do të vazhdojë angazhimi për zbatimin e disiplinuar të shpenzimeve buxhetore me theks në kufizimin dhe kontrollin e kostove më pak produktive, në llogari të rritjes së investimeve investuese në projekte kapitale. Postulatet bazë të vendosura të politikës fiskale, në periudhën e ardhshme janë planifikuar të ofrojnë konsolidim fiskal me ulje graduale të nivelit të deficitit.

Të hyrat tatimore janë planifikuar në nivelin prej 136,5 miliardë denarësh dhe janë rritur për 10,2 për qind në krahasim me vitin 2021. Nga do të vijnë këto para?

“Për vitin 2022, të hyrat e përgjithshme me Projektbuxhetin janë planifikuar në vlerë prej 238,9 miliardë denarë dhe janë për 7,4 për qind më të larta se të hyrat e parashikuara për këtë vit. Projeksionet buxhetore për buxhetin 2022 bazohen në realizimin e të hyrave në vitin 2021, pritjet për rritjen ekonomike, si dhe aktivitetet për përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit të arkëtimit të së hyrave publike.

Siç theksoni, të hyrat tatimore për vitin 2022, të cilat janë planifikuar në vlerë prej 136,5 miliardë denarë, janë rritur për 10,2 për qind në krahasim me vitin 2021. Peshën më të madhe në strukturën e të hyrave të planifikuara tatimore e ka TVSH-ja, 45,6 për qind dhe akciza me 21,2 për qind. Dua të theksoj se kjo rritje është parashikuar, pavarësisht se kemi vendosur një normë të dytë preferenciale prej 10 për qind për shërbimet hotelierike, normën preferenciale të TVSH-së për energjinë elektrike shtëpiake, si dhe transferimin e një pjese të akcizës së derivateve të naftës kundrejt Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore për 30 për, në vend të 20 për qind të tanishme.

Rritja e të ardhurave të parashikuara do të arrihet duke përmirësuar rregulloret ekzistuese tatimore, duke reduktuar evazionin fiskal, duke futur teknologji të avancuara, duke modernizuar dhe automatizuar proceset e punës, duke forcuar kapacitetet e institucioneve të arkëtimit të të ardhurave, duke rritur arkëtimin e të ardhurave tatimore, si dhe duke forcuar koordinimin institucional.

Qëllimi kryesor i politikës tatimore është të sigurojë rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke garantuar sigurinë juridike për tatimpaguesit dhe mbledhjen apo arkëtimin e rregullt të të hyrave publike.

Gjithashtu, në Projektbuxhetin për vitin 2022 është planifikuar të realizohen rreth 19,2 miliardë denarë nga të hyrat jotatimore dhe 3,3 miliardë denarë si të hyra kapitale nga shitja e tokës bujqësore dhe banesave sociale, si dhe nga baza e dividendës së planifikuar nga SHA Telekomi I Maqedonisë. Kontributet sociale si të hyra burimore të fondeve për sigurimin pensional dhe invalidor, sigurimin shëndetësor dhe në Agjencinë për punësim janë planifikuar në vlerë prej 74,4 miliardë denarësh ose 7,5 për qind më shumë se në vitin 2021. Në bazë të donacioneve janë paraparë 5,6 miliardë denarë, të cilat shfrytëzuesit buxhetorë planifikohen t’i realizojnë në llogaritë e tyre të të hyrave për projekte konkrete, si dhe tërheqje nga fondet paraaderuese të BE-së.

Inflacioni parashikohet të jetë 2.4 për qind. Mbi çfarë baze i bazoni pritshmëritë e tilla, duke qenë se ka një krizë globale energjetike dhe rritje të çmimeve në bursat bëotërore?

“Norma e inflacionit në nëntëmujorin e parë të vitit 2021 është 2.8 për qind. Rritja e çmimeve të konsumit u regjistrua pothuajse në të gjitha kategoritë e produkteve, me rritje më të theksuar te ushqimet me 2,4 për qind, produktet e duhanit me 6,4 për qind, karburantet me 13 për qind dhe energjia elektrike me 5,7 për qind, megjithëse çmimet e energjisë në 2 muajt e fundit kanë shënuar rritje më të ngadaltë për shkak të shterimit të efektit transmetues të rritjes së çmimit me vendim të Komisionit Rregullativ të Energjetikës (KRE). Është thelbësore që inflacioni orinetohet kryesisht tek rritja e çmimeve të ushqimeve dhe energjisë, për shkak të presioneve të çmimeve të shkaktuara nga faktorë të jashtëm.

Po ndërmerren hapa të duhur për zbutjen e pasojave të kësaj krize energjetike, e cila është në përmasa më të mëdha dhe nuk mbulon vetëm Republikën e Maqedonisë së Veriut. Tashmë është shpallur krizë në furnizimin me energji elektrike dhe po ndërmerren masa dhe aktivitete për sigurimin e sasive shtesë të energjisë elektrike, përfshirë energjinë e bilancit dhe rezervën e fuqisë aktive në përputhje me krizën e konstatuar në përputhje me Ligjin për Energjinë dhe Dekretin për kriteret dhe kushtet për shpalljen e krizës, situata në rastet e motit dhe fatkeqësive natyrore, havarive dhe çrregullimeve në tregjet e energjisë elektrike, mënyra e furnizimit me energji elektrike në krizë, masat e marra në rast krize, si dhe të drejtat dhe detyrimet e atyre që kanë licenca për ushtrimin e aktivitete të energjisë.

Rrjedhimisht, 4 miliardë denarë tashmë janë siguruar nga buxheti në vitin 2021 dhe janë transferuar në SHA Termocentralet e Maqedonisë së Veriut, për të siguruar sasi shtesë të energjisë elektrike, përfshirë energjinë e bilancit dhe rezervën e fuqisë aktive. Gjithashtu, për mbrojtjen e kategorive më të cenueshme, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, në koordinim me Ministrinë e Ekonomisë, është përgjegjëse për përgatitjen e masave për mbështetjen e kategorive të cenueshme sociale me qëllim të shfrytëzimit të mjeteve shtesë për mbrojtjen nga varfëria energjetike. Kjo masë tashmë është duke u zbatuar dhe kemi 45.622 shfrytëzues nga kategoritë vulnerabël të cilët marrin kompensim prej 1000 denarë për mbulimin e shpenzimeve për ngrohje. Një masë që edhe ne e kemi miratuar dhe tashmë po e zbatojmë dhe ka pasur për qëllim mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve është ulja e TVSH-së për energjinë elektrike nga 18 në 5 për qind për amvisëritë.

Situata është duke u monitoruar dhe është e rëndësishme që gjithçka që bëhet të synojë sigurimin e sasive të mjaftueshme të energjisë elektrike dhe zbutjen e efektit të çmimit. Në periudhën në vijim pritet stabilizim i lëvizjeve të çmimeve të produkteve ushqimore primare dhe të energjisë elektrike në bursat botërore. Rritja e çmimeve të produkteve primare dhe energjisë pritet të stabilizohet më së voni deri në mesin e vitit të ardhshëm, kështu që edhe norma e inflacionit është parashikuar në 2.4 për qind.

Instrumentet e reja që do të aplikohen për herë të parë janë obligacionet e zhvillimit, obligacionet e projektit dhe bonot e gjelbra, si dhe obligacionet e indeksuara me inflacion. Këto janë instrumentet e përfshira në Planin e Përshpejtuar të Rritjes Ekonomike. Cilat janë pritshmëritë nga këto obligacione?

“Zhvillimi, përkatësisht obligacionet e indeksuara me inflacion, bonot jeshile dhe ato të projektit synojnë përmirësimin e vazhdueshëm të tregut financiar të letrave me vlerë të qeverisë, ku ne ndjekim praktikën botërore.

Këto janë mekanizma dhe instrumente novatore që mund të ofrojnë financim dhe të përmirësojnë efikasitetin në zbatimin e projektit.

Një nga këto instrumente është obligacioni i indeksuar me inflacion , emetimi i të cilit pritet të tërheqë fondet e disponueshme të qytetarëve.

Obligacionet e indeksuara me inflacion (inflation-indexed bonds) do të jenë një lloj i ri letrash me vlerë afatgjatë qeveritare të emetuara nga Ministria e Financave. Ato do të indeksohen me normën e inflacionit për të mbrojtur investitorët nga rënia e fuqisë blerëse të fondeve të investuara. Nëse norma e inflacionit rritet, çmimi i obligacioneve përshtatet për të ruajtur vlerën e tyre.

Këto obligacione zhvillimore synojnë edhe avancimin e tregut të letrave me vlerë qeveritare, me çka do të nxisin financimin e projekteve zhvillimore në vend dhe në këtë mënyrë do të mundësojnë lëvizjen e tregjeve financiare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Ky lloj instrumenti financiar, i cili do të jetë i lidhur me inflacionin, do të ketë një kupon të caktuar dhe fillimisht do të jetë i destinuar për popullatën, pra për individët, me mundësi për t’u vënë në dispozicion të bankave, fondeve të pensioneve dhe pjesëmarrësve të tjerë në tregun financiar.

“Bonot e gjelbra” do të synojnë të inkurajojnë dhe mbështesin projekte për përmirësimin dhe mbrojtjen e mjedisit dhe synojnë veçanërisht financimin e projekteve mjedisore. Ndryshe nga obligacionet ekzistuese, bonot e gjelbra do të përdoren vetëm për projekte investimi ose zhvillim të gjelbër dhe do të jenë për shpenzime kapitale. Futja e këtij instrumenti në periudhën afatmesme do të ndihmojë në zhvillimin e tregut financiar.

Nga ana tjetër, “bonot e projektit” do të jenë një mënyrë alternative për financimin e projekteve të infrastrukturës. Ato do të ofrojnë mundësinë për investitorët institucionalë të marrin pjesë në projekte infrastrukturore përmes letrave me vlerë të përmendura që mund të tregtohen dhe që mund të ofrojnë rendimente superiore të adaptuara nga rreziku.

Instrumentet dhe mekanizmat e rinj që do të futen synojnë mobilizimin e kapitalit privat dhe rritjen e investimeve në vend, gjë që do të rezultojë në rritje të përshpejtuar ekonomike.

Është thelbësore që këto instrumente t’u japin mundësinë qytetarëve tanë nga diaspora, të cilët i mbajnë paratë e tyre në banka të vendeve të zhvilluara ku norma e interesit është pothuajse zero, t’i investojnë ato në një obligacion që lidhet me një projekt. Me këtë ata do të mund të investojnë në zhvillimin e vendit të tyre dhe në të njëjtën kohë paratë e tyre garantohen dhe marrin të ardhura më të larta se ato që japin bankat në vendet e zhvilluara.

Me Planin për Rritje të Përshpejtuar Ekonomike 2022-2026, planifikoni rritje ekonomike deri në 5 për qind dhe ulje të borxhit publik nën 60 për qind të PBB-së deri në vitin 2026. Investimet janë rreth 12 miliardë, nga të cilat katër miliardë janë para publike dhe duhet të gjenerojnë tetë miliardë të tjerë nga investitorët privatë. Si planifikoni ta bëni këtë?

 “Duke u përballur me realitetin e ri si pasojë e sfidave të pandemisë, për të rikuperuar dhe për të bërë progres, në këtë kohë ndryshimesh të mëdha, ne si Qeveri jemi të fokusuar në realizimin e Planit të Përshpejtimit të Rritjes Ekonomike si një kuadër i përgjithshëm i përbërë nga të gjithë elementët që mund të kontribuojnë në shfrytëzimin më të mirë dhe rritjen e potencialit të rritjes në afat të mesëm. Krahas aktiviteteve të vazhdueshme që kemi identifikuar, ne propozojmë mënyra inovative për financimin e investimeve, përdorimin e të gjitha fondeve në dispozicion nga kreditorët zyrtarë dhe, në fund, shfrytëzimin e të gjitha mundësive për mobilizimin e investimeve private.

Burimet private të financimit do të ushqehen nga burimet publike të financimit dhe nga një gamë e gjerë mekanizmash dhe instrumentesh financimi konvencionale dhe novatore. Nxitja e investimeve private do të lehtësohet përmes partneriteteve publiko-private (PPP), privatizimit të segmenteve jo-thelbësore të ndërmarrjeve publike, fondeve të reja të investimeve, ripërdorimit të fondeve, realizimit më të mirë të shpenzimeve kapitale përmes mekanizmit KAPEF, etj.

Efektet e vlerësuara të kombinuara të Planit të Përshpejtuar të Rritjes Ekonomike janë 12 miliardë euro të investuara në projekte të hartuara dhe të zbatuara si nga sektori publik ashtu edhe nga ai privat. Plani do të mbështesë në veçanti projektet mjedisore dhe klimatike, risitë dhe iniciativat për një shoqëri më të drejtë, duke lehtësuar kështu kalimin në një ekonomi me karbon të ulët, konkurruese, qarkore dhe të qëndrueshme. Gjithashtu do të përpiqemi që sa më shumë qytetarë të gëzojnë përfitimet e kësaj rritjeje, pra të jetë gjithëpërfshirëse

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window