Кumtesa|

17 nëntor 2021, Shkup – Rritja e projektuar prej 4.6% në vitin 2022 bazohet në rritjen e investimeve bruto për 8.5%, rritjen e shpenzimeve kapitale për 27%, si dhe realizimin e shpenzimeve kapitale që është më i mirë në këtë periudhë se viti paraprak, si dhe probabiliteti që realizimi të përmirësohet deri në fund të vitit.

Kjo u theksua nga ministri i Financave Fatmir Besimi në një intervistë në emisionin “24 Analiza”, ku potencoi se me mekanizmin tashmë të vendosur KAPEF, me të cilin shpërblehen shfrytëzuesit buxhetorë që kanë shkallë të lartë të realizimit të shpenzimeve kapitale, me ç’rast dje shfrytëzuesve buxhetorë u janë kthyer 201 milionë denarë të cilët kanë arritur të realizojnë 70% të investimeve kapitale.

“Tashmë kemi plan, kemi aktivitete se si kjo të arrihet. Në vitin e kaluar kemi pasur 81% realizim të shpenzimeve kapitale dhe gjatë këtij viti me mekanizmin KAPEF e përmirësuam realizimin e shpenzimeve kapitale, që deri më tani ishte në nivel prej 55.8%. Në vitin 2020, 2019 dhe 2018 realizimi ishte në nivel nën 50% në këtë periudhë. I pranoj sfidat, duke pasur parasysh situatën me të cilën po përballemi. Prandaj, përpiluam Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike, që paraqet koncept ku përveç instrumenteve financiare përfshin edhe një kapitull të tërë lidhur me përforcimin e kapaciteteve institucionale, theksoi ministri Besimi.

Ai shtoi se ka edhe aspekte të tjera përmes të cilave do të ndikohet mbi realizimin më të mirë të shpenzimeve kapitale.

– Nuk them se viti i ardhshëm do të jetë magjik dhe se do të zgjidhet cdo gjë mënjëherë. Por përcaktohet kahja se si ta përmirësojmë realizimin dhe mendoj se këto numra të projektuara në letër dhe kjo qasje paraqesin përgjegjësi më të madhe për t’i realizuar. Vetëm nëse vendosim qëllime më të mëdha, kemi mundësi që t’i realizojmë, theksoi ministri.

Në këtë intervistë iu referua edhe krizës energjetike, masave si dhe aktiviteteve që do të ndërmerrë Qeveria dhe potencoi se përveç asaj që është paraparë këtë vit dhe mjeteve të transferuara prej 65 milionë euro ndaj EMV-së për sigurimin e likuditetit, tha se janë siguruar mjete edhe në vitin 2022.

-Me rëndësi është që goditjet e çmimeve të lehtësohen tek amvisritë në tregun rregulator, ku ka ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Situata monitorohet, reagojmë dhe do të reagojmë që të mos ketë mungesë të energjisë, efekti i çmimit të mos jetë i mаdh. E rëndësishme është që qasja e Qeverisë është në drejtim të zgjidhjeve të qëndrueshme, theksoi Besimi.

Për borxhin publik tha se do të ketë rishikim në rënie të nivelit të borxhit publik me propozimin e plotësuar të buxhetit për vitin 2022 që do të dorëzohet në Kuvend. Për huamarrjen potencoi se do të shfrytëzohet vetëm për investime kapitale, gjegjësisht nga huamarrja e planifikuar neto prej 590 milionë eurove, 545 milionë euro janë për shpenzime kapitale, mjete që do të destinohen drejtpërdrejtë në ekonomi, që nënkupton më shumë mjete financiare për kompanitë vendase, më shumë vende pune.

Paralajmëroi emetimin e një euroobligacioni në një kohë më të përshtatshme, ndërsa për tregun e brendshëm paralajmëroi më shumë instrumente.

Planifikojmë që nga viti i ardhshëm të fillojë edhe funksionimi i platformës Bloomberg, që të mund të shfrytëzohet për ankandet e këtyre instrumenteve të reja, por edhe për letrat shtetërore me vlerë. Përmes platformës Bloomberg do të mund të zhvillojmë tregun tonë, por njëkohësisht punojmë edhe në zhvillimin e tregut financiar, deklaroi ministri i Financave.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window