Кumtesa|

18 nëntor 2021, Shkup – Pas një krize të madhe politike dhe zënkave partiake në vend, një gjë është e qartë, të mos lejojmë mosmiratimin e dokumentit më të rëndësishëm ekonomik, Buxhetin për vitin e ardhshëm nga i cili varet se si do të financohen të gjitha nevojat e shtetit.

Opozita, si zakonisht, e priti me kritika, duke pretenduar se ai është një buxhet i fryrë, i pazhvilluar dhe jorealist, por zëvendësministri i Financave Dimitar Kovaçevski ka argumente të shumta në mbrojtje të arkës së përpiluar shtetërore. Në një intervistë për Factor, Kovaçevski shpjegon pse ky buxhet do të ofrojë infrastrukturë më të mirë, por edhe konkurrencë më të madhe të ekonomisë sonë, sepse do të përmirësojë shëndetësinë, arsimin, por edhe do të rrisë standardin jetësor të qytetarëve.

Do të ketë para, siguron Kovaçevski, për paga dhe pensione, me ç’rast garantohet siguri dhe stabilitet, por edhe për investime kapitale më të larta se deficiti buxhetor, që do të sigurohet edhe zhvillimi i vendit. Kovaçevski në intervistë shpjegon se ku Qeveria i bazon projeksionet e saj optimiste për rritje të lartë ekonomike dhe investime bruto, pse pret që vitin e ardhshëm nga TVSH-ja të arkëtojë mbi një miliard euro dhe cili është motori që do të lëkundë rrjedhat ekonomike.

Gjithashtu, në intervistën për Factor, me zëvendësministrin e Financave, Dimitar Kovaçevski diskutuam se a është reale pritja e investimeve kapitale mbi 615 milionë euro dhe si Qeveria planifikon ta shfrytëzojë realisht atë vlerë. Pse janë paraparë mbi dy miliardë euro për transferet sociale dhe a ka para të mjaftueshme për amortizim në Buxhetin për vitin e ardhshëm lidhur me krizën evetuale energjetike dhe goditjet e çmimeve.

Në Kuvend filloi debati për dokumentin më të rëndësishëm ekonomik të vendit, Buxhetin e vitit 2022. Duke pasur parasysh situatën specifike politike në Kuvend dhe orientimin e forcave, a prisni që ai të votohet me kohë, edhe pse opozita VMRO-DPMNE ka paralajmëruar se nuk do të bëjnë opstrukcione?

Kovaçevski: E rëndësishme është që Buxheti të miratohet në kohë nga Kuvendi, sepse siguron financim të pandërprerë të funksioneve shtetërore, përkrahje të fuqishme financiare për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritje ekonomike të përshpejtuar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme.

Buxheti është elementi kryesor i shtetit, që do të thotë se me miratimin e tij aprovohet zhvillimi i vendit për investime kapitale që do të thotë infrastrukturë më të mirë dhe përmirësim të konkurrencës së ekonomisë sonë, ne votojmë për shëndet më të mirë, arsim më të mirë. dhe standarde më të mira të qytetarëve. Me miratimin e tij, aprovohet pagesa në kohë e pensioneve, transferet sociale dhe përkrahja e fermerëve.

Në një kohë kur jemi ende duke luftuar me efektet e pandemisë, përkrahja e ekonomisë dhe shëndetësisë është thelbësore. Sa i përket afateve që duhet të respektohen, e gjithë procedura për përgatitjen dhe miratimin e buxhetit është e përcaktuar me ligj, ku parashihen afate të sakta. Sipas tyre, Propozim buxheti duhet të miratohet nga deputetët në seancë plenare më së voni deri në datë 31 dhjetor të këtij viti.

Të gjitha parashikimet ekonomike për vitin e ardhshëm bazohen në rritjen ekonomike të parashikuar prej 4.6%, si dhe rritjen e investimeve bruto prej 8.5%. A janë reale këto parashikime, duke pasur parasysh se pandemia, të paktën për momentin, nuk do të qetësohet dhe stabilizohet, ndërsa situata politike në vend është e jostabile, kështu që vitin e ardhshëm ka gjasa, se duhet të mbahen zgjedhjet parlamentare?

Kovaçevski: Në vitin 2021, pavarësisht efekteve të vazhdueshme të pandemisë, ekonomia vendase rimëkëmbet me dinamikë të përshpejtuar, me ç’rast rritja e aktivitetit ekonomik në gjysmën e parë të vitit arriti në 5.2%, që do të thotë se rritja udhëhiqet nga shumë sektorë (tregtia, industria, sektori i shërbimeve, etj.). Në vitin 2022, rritja ekonomike në vend pritet të përshpejtohet në 4.6%, në kushtet e rritjes së investimeve, rritjes solide të konsumit dhe stabilizimit të kërkesës së jashtme. Në kushtet e rritjes së shpenzimeve kapitale për përmirësimin e infrastrukturës fizike, të shoqëruara me masa dhe aktivitete për realizimin më të madh të tyre, por edhe hyrje më intensive të investimeve të huaja, që do të kontribuojnë në rritjen e investimeve private, investimet bruto parashikohen të rriten prej 8.5%, përkatësisht pritet të jetë një faktor i rëndësishëm për rritjen ekonomike në vitin 2022, por edhe në periudhë afatmesme. Përveç kësaj, investimet do të nxiten edhe përmes përkrahjes shtetërore për avancimin e sektorit privat dhe përforcimin e konkurrencës, inovacionit dhe zhvillimit teknologjik të ndërmarrjeve, përmes sigurimit të burimeve alternative dhe instrumenteve të finacimit, që është një nga aspektet kryesore të Planit për rritje të përshpejtuar ekonomike. Njëkohësisht, konsumi privat parashihet të shënojë rritje reale prej 3.5%, në kushtet e rritjes së mëtejshme të pagave dhe punësimit, rritjes së kreditimit dhe rritjes së remitancave. Aktiviteti i eksportit parashihet të rritet prej 8.3% në vitin 2022, si rezultat i stabilizimit të mëtejshëm të zinxhirëve globalë të prodhimit dhe rritjes së kërkesës së jashtme në kushtet e rritjes së aktivitetit ekonomik të partnerëve më të rëndësishëm tregtarë, para së gjithash, Gjermanisë. Pritshmëritë dhe politikat e tilla janë bazë për projektimin e rritjes ekonomike prej 4.6%. Natyrisht, skenari bazë makroekonomik shoqërohet me rreziqe, që lidhen kryesisht me jetëgjatësinë dhe pasojat e krizës shëndetësore, brenda dhe jashtë vendit.

Ajo që bie në sy kur shikojmë anën e të ardhurave të arkës së planifikuar të shtetit për vitin e ardhshëm është se pushteti planifikon të mbledhë vitin e ardhshëm 1.012 miliardë euro tatim mbi vlerën e shtuar, që për herë të parë kalon kufirin psikologjik prej një miliardë eurove të të hyrave të pritshme nga ky tatim dhe janë rritur për 140 milionë euro krahasuar me buxhetin e rishikuar për këtë vit. Mbi çfarë baze i bazoni këto pritshmëri të larta dhe ambicioze të TVSH-së, cili është konsumi që do të stimulojë kaq shumë rritjen e këtij tatimi?

Kovaçevski: Këto projeksione i bazojmë në bazë të rritjes së projektuar të konsumit privat, në tejkalimin e realizimit të të hyrave nga TVSH-ja këtë vit, por edhe në aktivitetet dhe politikat që zbatohen në drejtim të uljes së ekonomisë së gri. Për vitin e ardhshëm, konsumi privat parashihet të shënojë rritje reale prej 3.5%, në kushte të rritjes së vazhdueshme të pagave dhe punësisë, rritjes së kreditimit dhe rritjes së remintencave. Përmirësimi i pritshëm i situatës epidemiologjike do të ndikojë pozitivisht mbi konsumin privat, nëpërmjet rritjes së përfshirjes së imunizimit dhe rritjes së shfrytëzimit të kapaciteteve të shërbimit. Sa i përket realizimit aktual të Buxhetit, në pjesën e të hyrave nga TVSH-ja kemi tejkalim të planit për këtë vit. Kështu, nga fillimi i vitit deri më datë 16 nëntor, të hyrat nga TVSH-ja janë 50.1 miliardë denarë, që është 26.7% më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Gjithashtu, ulja e ekonomisë gri, përkatësisht ulja e evazionit fiskal përmes të gjitha mekanizmave të cilat Ministria e Financave dhe organet në përbërje i zbatojnë është prioriteti kryesor i Ministrisë dhe sigurisht se është një nga arsyet kryesore të rritjes së pritshme të të hyrave nga tatimi mbi vlerën e shtuar.

Për vitin e ardhshëm, qeveria planifikon të shpenzojë nga arka e buxhetit rreth 4.43 miliardë euro, që e bën kështu, buxhetin më të fryrë deri më tani në historinë e vendit. Cila është përgjigja juaj, pse duhet të harxhohen aq shumë mjete dhe a mund të ishim më të kursyer dhe më të kujdesshëm përballë pandemisë së papërfunduar të KOVID-it dhe borxhit të madh të vendit?

Kovaçevski: Viti i ardhshëm 2022 do të jetë viti i rimëkëmbjes ekonomike dhe përshpejtimit të rritjes përmes investimeve, që në këtë Propozim buxhet parashihen të jenë në nivelin historikisht më të lartë deri më tani dhe për herë të parë janë më të mëdha se deficii i buxhetit. Në kushte të rreziqeve ende të pranishme nga pandemia e KOVID-19, kujdesi për mbrojtjen e shëndetit të popullatës do të ketë prioritet, ndërsa pjesë integrale do të jetë edhe pagesa e rregullt e pagave, pensioneve dhe kompensimeve sociale dhe përkrahja e ekonomisë. Duke u përballur me realitetin e ri si pasojë e sfidave të pandemisë, me qëllim të rimëkëmbjes dhe progresit gjatë ndryshimeve të mëdha, ne, si Qeveri, jemi të fokusuar drejt realizimit të Planit për përshpejtimin e rritjes ekonomike (Growth Acceleration Plan), si kornizë e përgjithshme, e cila përbëhet nga të gjitha elemente që mund të kontribuojnë në shfrytëzimin më të mirë dhe rritjen e potencialit të rritjes në periudhë afatmesme. Përveç aktiviteteve të vazhdueshme që kemi përcaktuar, propozojmë mënyra inovative për financimin e investimeve, për shfrytëzimin e të gjitha mjeteve të disponueshme nga kreditorët zyrtarë dhe, në fund, t’i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë për mobilizimin e investimeve private. Burimet private të financimit do të stimulohen përmes burimeve publike të financimit dhe gamës së gjerë të mekanizmave konvencionale dhe inovative dhe instrumenteve të financimit. Efektet e vlerësuara të kombinuara të Planit për përshpejtimin e rritjes ekonomiek (2022-2026) planifikohen të jenë në nivel prej 12 miliardë eurove, të investuara në projekte të hartuara dhe të zbatuara si nga ana e sektorit publik ashtu edhe nga ana e sektorit privat.

Planifikoni konsolidim gradual fiskal, por megjithatë, sipas Buxhetit, deficiti i buxhetit në vitin e ardhshëm duhet të jetë në nivel prej 545 milionë eurove, ndërsa borxhi publik pritet që të jetë në nivel prej 65.5% të PBB-së. Për ekspertët, ky nivel i borxhit është “zonë e kuqe” dhe është mbi kriterin e Mastrihtit. A duhet të na shqetësojë ky fakt dhe a ekziston rreziku që të mos servisohet borxhi publik? 

Kovaçevski: Në nivel evropian dhe rajonal, edhe në vitin 2022 nevojiten deficite buxhetore mesatarisht të larta për përkrahje të ekonomisë dhe arritje të rritjes ekonomike së përshpejtuar të qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse. Konsolidimi fiskal tepër i shpejtë do të vështirësojë rimëkëmbjen ekonomike. Nëse i marrim parasysh projeksionet ekonomike të FMN-së, për vitin e ardhshëm në Turqi, p.sh., planifikohet deficit buxhetor në nivel prej 5.6%, në Spanjë 5%, në Itali 4.7% si përqindje të PBB-së, etj..

Për vitin e ardhshëm planifikojmë që deficiti buxhetor të jetë në nivel prej 4.3% të PBB-së së planifikuar ose në vlerë absolute prej 33.5 miliardë denarëve. Deficiti i planifikuar është në përputhje me projeksionet e përcaktuara në Strategjinë fiskale për periudhën 2022-2026 dhe përcaktimin e konsolidimit fiskal. Ky deficit buxhetor konfirmon qëndrueshmërinë e projeksioneve, përkushtimin për disiplinë buxhetore, ridizajnimin e realizimit të buxhetit përmes rritjes së pjesëmarrjes së projekteve kapitale dhe intrastrukturore në shpenzimet e përgjithshme.

Gjithashtu, deficiti i planifikuar buxhetor për vitin e ardhshëm është vetëm si pasojë e realizimit të investiemve kapitale, të cilat për vitin e ardhshëm planifikohen të jenë në nivel më të lartë se deficiti, me ç’rast arrijmë rregullin e artë në financat publike.

Me qëllim që të arrijmë qëndrueshmëri fiskale përmes uljes së deficitit buxhetor për vitin 2022, imponohet nevoja për racionalizimin e shpenzimeve publike, vlerësimin e rezultateve nga realizimi i shpenzimeve, si dhe rritjen e efikasitetit të shpenzimeve. Me Buxhetin për vitin 2022, parashihet rimëkëmbja e ekonomisë së shkaktuar nga KOVID-19, rritja e përshpejtuar me rritjen e investimeve kapitale, si dhe ruajtja e stabilitetit fiskal duke zvogëluar deficitin buxhetor në krahasim me vitin paraprak. Sipas strategjisë afatmesme, deficiti buxhetor do të ulet gradualisht.

Parashihet që ai deri në vitin 2026 të ulet në nivel nën 3%. Kështu, për vitin 2023 deficiti planifikohet të jetë në nivel prej 3.5%, për vitin 2024 planifikohet të jetë në nivel prej 2.9%, për vitin 2025 planifikohet të jetë në nivel prej 2.5% dhe për vitin 2026 planifikohet të jetë në nivel prej 2.2%. Sa i përket borxhit publik, në lexim të dytë të Buxhetit në Qeveri do ta dorëzojmë strategjinë e rishikuar për menaxhim të borxhit publik. Borxhi publik në vitin 2022, sipas projeksioneve jozyrtare, do të arrijë të jetë në nivel prej 63.5% të PBB-së, që është nivel më i ulët se në projeksionin aktual në Strategjinë e menaxhimit të borxhit publik, ku është projektuar në nivel prej 65.9% të PBB-së.

Ndër burimet e financimit të deficitit, Ministria e Financave për herë të parë në historinë e pavarësisë ekonomike do të vendosë lloje të reja të instrumenteve financiare edhe atë: fletobligacione zhvillimore, fletobligacione të indeksuara me inflacion, fletobligacione të gjelbra dhe fletobligacione projektuese, të cilat në të njëjtën kohë janë pjesë e Planit për rritje të përshpejtuar ekonomike. Sipas të dhënave, të cilat siç theksova më sipër, janë duke u përditësuar, pritet që borxhi publik në vitin 2026 të jetë nën nivelin e kriterit të Mastrihtit, përkatësisht nën 60%.

Kur do të emetoni euroobligacion dhe në çfarë vlerë dhe a do të emetohen edhe lloje të tjera të euroobligacioneve?

Kovaçevski: Emetimi i fletobligacionit paraqet instrument të rregullt sa i përket vendeve në mbarë botën për sigurimin e mjeteve financiare si për mbulimin e deficitit buxhetor ashtu edhe për financimin e projekteve kapitale. Emetimi i fletobligacionit, në të njëjtën kohë, sjell përfitime edhe për pozitën e bilancit të pagesave të shtetit.

Për vitin e ardhshëm planifikojmë nisjen e procesit së njërës nga eurobligacionet ekzistuese dhe pavarsisht nga lëvizjet e tregut të kapitalit do të qasemi drejt realizimit. Vlera e planifikuar për këtë aktivitet është 250 milionë euro. Gjithsesi, çdoherë ekzistojnë edhe opsione tjera për sigurimin e këtyre mjeteve, një nga këto opsione është edhe sigurimi i tyre përmes huasë nga ndonjë bankë e huaj komerciale.

Poashtu, shqyrtohet edhe opsioni i emetimit të fletobligacionit të gjelbër. “Fletobligacionet e gjelbra” do të ofrohen me qëllim të nxitjes së projekteve që do të përkrahin “axhendën e gjelbër” dhe tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër me qëllim të përmirësimit të efikasitetit energjetik, parandalimit ose uljes së ndotjes, lehtësimit të menaxhimit me mbeturinat; përkrahjes së qëndrueshme të bujqësisë, peshkimit, pylltarisë; mbrojtjes së ekosistemeve ujore dhe tokësore; transportit të pastër dhe menaxhimit të qëndrueshëm me ujërat; aplikimit të teknologjive që janë ekologjike, etj.

Për dallim nga fletobligacionet ekzistuese, fletobligacionet e gjelbra do të shfrytëzohen vetëm për projekte të pranueshme investuese ekologjike ose për zhvillim të gjelbër dhe do të jenë për shpenzime kapitale. Vendosja e këtij instrumenti, në periudhë afatmesme do të ndihmojë në zhvillimin e tregut financiar. Me qëllim të avancimit të vazhdueshëm të tregut financiar të letrave shtetërore me vlerë dhe ndjekjes së praktikës botërore, Ministria e Financave punon në diversifikimin e burimeve të financimit dhe vendosjen e instrumenteve të tjera të rinj që do të kenë aplikim të ndryshëm.

Opinioni publik akoma nuk mund të perceptojë një arsyetim të argumentuar se pse janë planifikuar investime kapitale kaq të larta për vitin e ardhshëm prej 615 milionë euro, që është për 130 milionë euro më shumë se vlera në rishikimin për këtë vit. E dimë se gjatë viteve paraprake nuk ka pasur sukses realizimi i shpenzimeve kapitale dhe as gjatë këtij viti, për për nëntë muaj realizimi është vetëm 47%. Tregoni se pse parshihni aq shumë mjete për investime kapitale dhe si mund të garantoni se ata me të vërtetë do të shpenzohen ashtu siç janë planifikuar?

Kovaçevski: Në periudhën nga data 1 janar deri në datë 12 nëntor të vitit 2021 janë realizuar mjete për invesitime kapitale me vlerë të përgjithshme prej 16.5 miliardë denarëve, që paraqesin 59% nga shpenzimet e përgjithshme të parapara për vitin 2021. Në të njëjtën periudhë, pjesëmarrja e shpenzimeve kapitale të realizuara në shpenzimet e përgjithshëm të realizuara arriti 7.4%. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2020, realizimi i shpenzimeve kapitale është më i lartë për 6.6. miliardë denarë ose 66.2%. Kjo tregon se mekanizimi i vendosur KAPEF tashmë jep rezultate, ku aplikimi i tij vazhdon edhe vitin e ardhshëm.

Ky mekanizëm parasheh se çdo tremujor të bëhet kontroll, të rialokohen mjete me qëllim të realizimit më të mirë. Përveç kësaj, vitin e ardhshëm vendosim buxhetimin e bazuar në rezultate. Përmes lidhshmërisë së harxhimeve në sektorin publik me rezultatet që arrihen, do të arrihet efikasitet dhe efektivitet më i mirë i shpenzimeve publike. Për këtë qëllim, tashmë me Buxhetin e vitit 2022 vendosen indikatorë pesëvjeçarë për sukseshmëri të realizimit të shpenzimeve kapitale, të ashtuquajturit indikator input dhe autput, ku do të punohet me ndihmë teknike nga ana e institucioneve ndërkombëtare fianciare, siç është FMN-ja.

Shpenzimet kapitale vitin e ardhshëm planifikohen të jenë në nivel prej rreth 37.8 miliardë denarëve. Sipas të gjitha karakteristikave, Buxheti i propozuar për vitin 2022 është buxhet zhvillimor. Komponenti zhvillimor i Buxhetit pasqyrohet përmes rritjes së mjeteve për shpenzime kapitale për rreth 27% në raport me vitin 2021. Ato do të destinohen për intesifikimin e realizimit të projekteve infrastrukturore, përkatësisht për investime në infrastukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjetike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirsimin e kushteve në shëndetësi, sistemin arsimor dhe social, bujqësi, kulturë, sport, mbrojtje të mjedisit jetësor dhe gjyqësor.

Me rëndësi është që me këtë Propozim buxhet e kemi arritur rregullin e artë në financat publike. Në vitin 2022 investimet kapitale për herë të parë në dekadën e fundit do të jenë më të larta nga deficiti buxhetor, përkatësisht do të huazojmë vetëm për projekte investuese. Shpenzimet kapitale në vitin 2022 do të kenë pjesëmarje historike më të lartë në shpenzimet e përgjithshme buxhetore. Gjatë realizimit do të udhëhiqemi me parimin vlera e mjeteve të investuara (value for mony) që do të thotë se mjetet e qytetarëve do të shfrytëzohen atje ku japin efekt më të lartë në realizimin e qëllimeve për jetesë me cilësi më të lartë.

Përmes vendosjes së buxhetimit të bazuar në rezultate do të arrihet efikasitet dhe efektivitet më i mirë i shpenzimeve publike, përmes lidhshmërisë së harxhimeve në sektorin publik me rezultatet që janë arritur. Buxhetimin nuk mund ta shikojmë si iniciativë të izoluar, por si një pjesë e reformave më të gjera institucionale, ku qëllimi është jetesa me cilësi më të lartë për gjeneratat e tashme dhe të ardhme. Ky buxhet zhvillimor i propozuar për vitin 2022 do të sigurojë financim të pandërprerë të funksioneve në shtet, por edhe përkrahje të fuqishme financiare për rimëkëmbjen ekonomike dhe zhvillim ekonomik të përshpejtuar, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm.

Qeveria u lëvdua se për vitin e ardhshëm do t’i ulë shpenzimet rrjedhëse, si dhe shpenzimet për mallra dhe shërbime, por prandaj ka rritje të harxhimeve për paga, gjegjësisht do të arrijnë në 531 milionë euro, përshkak të rritjes tek punëtorët shëndetësor, gjykata, prokurori, inspektorate, kulturë… A do të jenë këto shpenzime të rritura vetëm për shkak të pagave më të larta, apo do të ketë punësime të reja në administratën publike, sepse Qeveria në Buxhet premton se do t’i “mbajë nën kontroll punësimet e reja”

Kovaçevski: Rritja e pagave në vitin 2022 është për punëtorët shëndetësorë, që në kushte të pandemisë ofruan përpjekje mbinjerëzore që të kujdesen për shëndetin e të gjithë qytetarëve, në gjyqësor, në pjesën e shërbimeve inspektuese që duhet të kontribuojnë për uljen e ekonomisë gri. Përgjithësisht, mbetemi në përcaktimin për optimizim të administrates përmes kontrollit të punësimeve të reja, por edhe përmirësimin e standardit jetësor të të punësurave dhe rritjen e motivit për përmbushjen profesionale dhe cilësor të detyrave punuese.

Kjo mund të vërehet nëse analizohen shpenzimet për paga si përqindje në shpenzimet e përgjithshme, të cilat tregojnë ulje në vitet e fundit. Kështu që nëse ato kanë qenë 14% nga shpenzimet e përgjithshme në vitin 2016, nga vitet 2017 dhe 2018 janë në nivel respektivisht prej 13.3% dhe 13.2%, kurse në vitet 2019 dhe 2020 u ulën në nivel 12.8% dhe 12.2%, kurse në vitin 2021 pjesëmarrja e tyre në shpenzimet kapitale ishte 11.8%.

A mund të na shpjegoni se për çfarë konkretisht në vitin e ardhshëm, sa i përket transfereve sociale do të shpenzohen mbi dy miliardë euro, gjegjësisht 2.024 miliardë euro dhe si një buxhet pritet të jetë zhvillimor nëse gjysma e parave në të, parashihet të destinohen për aspektin social?

Kovaçevski: Në transferet sociale që janë planifikuar të jenë me vlerë prej 124.49 miliardë denarëve janë përfshirë të gjithat vlerat e planifikuara që sigurojnë financimin dhe pagesën e pandërprerë të shpenzimeve në vijim: shpenzimet për pensione me vlerë prej 64.35 miliardë denarëve, që në krahasim me vitin 2021, janë rritur në bazë të numrit më të madh të pritshëm të shfrytëzuesve dhe harmonizimit të rregullt të pensioneve sipas Ligjit për SPI. Shpenzimet sa i përket tranzicionit që i referohen transferit në shtyllën e dytë të pensioneve, në bazë të kontributeve nga sigurimi i detyrueshëm pensional me financim kapital me vlerë prej 9.87 miliardë denarëve. Kompensimet për të papunësuarit, që i referohen kompensimit financiar dhe të drejtave të tjera gjatë kohës së papunësisë me vlerë prej 1.4 miliardë denarëve. Masat aktive për punësim, që i referohen masave të parapara në Planin operativ për masa aktive dhe programe për punësim, ku përkufizohen grupet e synuara të personave të papunësuar me vlerë 1.81 miliardë denarëve. Kompensimet sociale që i referohen të drejtave për mbrojtje sociale, kompensime për invalidët civilë të luftës, për luftëtarë dhe invalidë të luftës dhe kompensime sociale për mbrojtje të fëmijëve me vlerë prej 11.09 miliardë denarëve. Mbrojtje shëndetësore që është baza e buxhetit të FSSHM-së, ku në pjesën më të madhe financohen shërbimet shëndetësore përmes institucioneve shëndetësore dhe kompensimeve për pushim mjekësor me vlerë prej 36.05 miliardë denarëve. Siç e shihni, bëhet fjalë për zërin buxhetor që është shumë i rëndësishëm për një pjesë të madhe të qytetarëve dhe përmes së cilit buxheti garanton pagesë të pandërprerë të pensioneve, financim të shërbimeve shëndetësore dhe ndihmës sociale, si dhe masave aktive për punësim.

Në ditën e parë të debatit parlamentar të Komisionit amë të Buxhetit, opozita, ndër tjerash, interesohej se pse vitin e ardhshëm për pensione do të paguhen 1.05 miliardë euro. Cila është përgjigjja juaj?

Kovaçevski: Me propozim buxhetin për vitin 2022 janë projektuar 64.3 miliardë denarë, me ç’rast është për 2.8% më shumë se plani për vitin 2021. Qëllimi ynë si Qeveri është që të mundësojmë nivel dinjitoz të standardit të jetesës te qytetarët më të moshuar. Që prej formimit të kësaj qeverie, te pensionet sipas ligjit, dy herë në vit bëhet harmonizimi i tyre me shpenzimet për jetesë.

Sipas Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, harmonizimi i rregullt i pensionit bëhet nga data 1 janar dhe nga data 1 korrik, sipas përqindjes së rritjes së indeksit të shpenzimeve për jetesë në gjysmëvjetorin paraprak, në raport me gjysmëvjetorin që i paraprin. Në këtë mënyrë, vitin e ardhshëm, njësoj si në vitet paraprake, do të kemi harmonizim të pensioneve në muajin janar dhe korrik, që sipas rritjes së nivelit të shpenzimeve të evidentuar nga Enti Shtetëror i Statistikës, pritet të reflektohet edhe sa i përket pensioneve.

Gjithashtu, nga viti 2019 përveç harmonizimit të rregullt parashihet edhe harmonizimi shtesë i pensionit në rast se prodhimi i brendshëm bruto në vitin paraprak ka rritje reale prej më shumë se 4%, gjithashtu bëhet harmonizim shtesë nëse ekziston rritje e pagës minimale në vitin aktual për më shumë se 15% dhe rritje e pagës mesatare në vitin paraprak për më shumë se 5%.

Vendi shpalli 30 ditë gjendje të krizës energjetike, për shkak të çmimeve të larta të energjencave dhe domosdoshmëri që t’u ndihmohet kompanive energjetike, me ç’rast që në fazën e parë u parapanë 65 milionë euro. A janë paraparë në buxhetin e vitit të ardhshëm mjete të mjaftueshme për amortizimin e goditjeve të mundeshme energjetike që mund të prolongohen edhe vitin e ardhshëm?

Kovaçevski: Në propozim buxhetin për vitin 2022, janë paraparë mjete edhe për krizën energjetike. Në buxhetin e vitit të ardhshëm, me anë të një programi të veçantë janë rezervuar 5.4 miliardë denarë që shteti të mund të reagojë ndaj situatave të këtilla të krizave, siç janë ajo energjetike dhe kriza me Kovid 19. Në drejtim të lehtësimit të pasojave të kësaj krize energjetike, që është me përmasa më të gjera, nuk përfshihet vetëm RMV-ja dhe tashmë po ndërmerren hapa përkatëse. U shpall gjendje krize lidhur me furnizimin me energji elektrike dhe ndërmerren masa dhe aktivitete që janë orientuar në drejtim të sigurimit të energjisë më të madhe elektrike, duke përfshirë edhe energji të balancuar dhe rezervë të kapacitetit aktiv sipas gjendjes së krizës së përcaktuar me Ligjin për energjetikë. Tashmë janë siguruar 4 miliardë denarë nga Buxheti i vitit 2021 dhe janë transferuar në SHA EMV për sigurimin e energjisë më të madhe elektrike. Gjithashtu, për mbrojtjen e kategorive më të ndjeshme, Ministria e Punës dhe Politikës Sociale në koordinim me Ministrinë e Ekonomisë obligohen të përgatisin masa për përkrahjen e kategorive të ndjeshme sociale, me qëllim që të shfrytëzojnë mjete shtesë për mbrojtje nga varfëria energjetike. Kjo masë tashmë zbatohet, me ç’rast 45.622 qytetarë të kategorive të ndjeshme marrin nga 1.000 denarë shtesë për mbulimin e shpenzimeve për ngrohje.

Masë tjetër që gjithashtu e kemi miratuar dhe tashmë po zbatohet, që ishte pikërisht në drejtim të ruajtjes së standardit të qytetarëve është zvogëlimi i TVSH-së të energjisë elektrike nga 18% në 5% për amvisëritë. Gjithçka që po ndërmerret është në drejtim të sigurimit të energjisë elektrike të mjaftueshme dhe lehtësimit të efektit të çmimeve.

Vitin e ardhshëm parashihni që norma e inflacionit të jetë 2.4% dhe të stabilizohet në gjysmën e dytë të vitit. A nuk është kjo një normë shumë e vogël nëse marrim parasysh rritjen e çmimeve dhe a ka Qeveria një mënyrë dhe plan se si t’i mbrojë qytetarët nga rritjet e mundshme të konsiderueshme të çmimeve?

Kovaçevski: Norma e inflacionit, gjatë nëntë muajve të këtij viti është 2.8% dhe kryesisht ka lëvizur si rezultat i rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore dhe energjencave për shkak të presionit mbi çmimet të shkaktuar nga faktorët e jashtëm. Rritja e çmimeve të produkteve primare dhe energjisë, pritet të stabilizohet më se voni deri në mes të vitit të ardhshëm, kështu që norma e inflacionit është projektuar të jetë 2.4%. Bëhet fjalë për parashikime në nivel global që është në një drejtim me projeksionet e institucioneve ndërkombëtare financiare. Qeveria, si deri më tani do të ndërmerr masa aktive sipas projeksioneve dhe lëvizjeve aktuale të tregut dhe do të punojë në koordinim me politikën monetare.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window