Кumtesa|

8 dhjetor 2021, ShkupMe pikturimin simbolik të instalacionit gri të vendosur në sheshin “Maqedonia” në Shkup sot u shënua fillimi i fushatës “Vendos ngjyrë në ekonominë gri”, e cila ka për qëllim ngritjen e vetëdijes për pasojat e aktiviteteve të paregjistruara ekonomike në cilësinë e jetës së çdo qytetari, si dhe për të nxitur reduktimin e tyre. Fushata zbatohet nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) në bashkëpunim me Ministrinë e Financave. Ministri i Financave, Fatmir Besimi, theksoi se vitin e kaluar Ministria së bashku me organet përbërëse kanë punuar në mënyrë aktive në Planin Aksionar për eliminimin e ekonomisë gri në drejtim të ngritjes së vetëdijes për pasojat e ekonomisë gri dhe nevojën për reduktim të saj.

“Tranzicioni nga sektori joformal në atë formal do të reduktonte konkurrencën e pandershme, do të krijonte kushte për konkurrencë të barabartë mes bizneseve, do të forconte moralin tatimor dhe do të çonte në një rritje të bruto produktit vendor”. Kjo tregon se sa e rëndësishme është të ndërmarrim masa dhe aksione urgjente për eliminimin e ekonomisë joformale. Për këtë qëllim, Plani Aksionar për eliminimin e ekonomisë gri përfshin disa prioritete: përmirësimin e procesit të matjes, monitorimin dhe zbulimin e ekonomisë gri, aktivitete stimulative për formalizimin e ekonomisë gri, forcimin e vetëdijes për ekonominë gri dhe forcimin e moralit tatimor, forcimin e shërbimeve inspektuese, përmirësimin e legjislacionit, si dhe zbatimin e masave në pjesën e Drejtorisë doganore, ku do të përfshihen edhe produktet e e-tregtisë”, tha ministri Besimi.

Ekonomia gri në Maqedoninë e Veriut mbulon afërsisht një të tretën e bruto prodhimit vendor. Kjo është një e treta më pak para për të mirat publike të financuara nga buxheti i shtetit, të cilat përdoren nga çdo qytetar. Me fjalë të tjera, nëse të gjithë do të paguanin tatime dhe do të kërkonin llogari dhe fatura fiskale, do të kishte një të tretën më shumë para në buxhetin e shtetit për shëndetin publik – më shumë mjete ambulancë, më shumë shtretër spitalor, paga më të larta për punonjësit e shëndetësisë. Më shumë para për arsimin – më shumë kopshte dhe shkolla, paga më të larta për punonjësit e arsimit, pajisje të reja në shkolla. Më shumë para për infrastrukturën rrugore dhe mbrojtjen e mjedisit. E gjithë kjo do të marrë ngjyrë nëse zvogëlojmë grinë.

“Qytetarët duhet të përfshihen në mënyrë aktive në nxitjen e llogaridhënies së qeverisë dhe sektorit privat, kryesisht duke përdorur fuqinë e tyre si konsumatorë për të mbështetur bizneset që operojnë me përgjegjësi. Kur qytetarët paguajnë pa kërkuar llogari fiskale, ata në fakt mbështesin ekonominë gri dhe bëhen pjesë e problemit. Hapi i parë më i thjeshtë por shumë i rëndësishëm që qytetarët mund të ndërmarrin është të ndryshojnë mënyrën e sjelljes së tyre në ndërveprimet e tyre të përditshme ekonomike. UNDP do të vazhdojë të punojë me partnerët për të arritur një kuptim më të thellë të ekonomisë gri, duke përfshirë hartëzimin, matjen dhe monitorimin e saj, në mënyrë që të zbatohen politikat dhe zgjidhjet e duhura për të frenuar ekonominë joformale,” tha Sanja Bojaniq, zëvendësja e përfaqësit të përhershëm të UNDP-së.

Fushata do të ketë edhe rol edukativ në mënyrë që qytetarët të informohen se çfarë paraqet ekonomia gri, si mund ta njohin atë dhe cilat janë pasojat nga mbështetja e saj. Mesazhi kryesor është se çdo qytetar mund të kontribuojë në uljen e pjesëmarrjes së ekonomisë gri duke mbështetur bizneset legale dhe duke mos përdorur produkte dhe shërbime për të cilat nuk pagohet tatim dhe që paraqesin konkurrencë të pandershme për bizneset e regjistruara. Një nga mjetet më të sigurta për këtë është llogaria fiskale, e cila është një garanci që tatimi është paguar.

Më shumë informata rreth fushatës mund të gjeni në vnesiboja.mk / vendosngjyrе.mk

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window