Кumtesa|

25 shkurt 2022, Shkup – Të punësuarit me pagë minimale nga muaji i ardhshëm do të kenë pagë më të lartë si rezultat i vendimit të Qeverisë për rritje të pagës minimale dhe ndihmë financiare për kompanitë për zbatimin e kësaj mase. Kjo u deklarua nga ministri i Financave Fatmir Besimi dhe drejtoresha e Drejtorisë së të Hyrave Publike Sanja Llukarevska të cilët sot vizituan dy kompanitë Ju-ka SHPKNJP Veles dhe Uka Komerc në Saraj, me ç’rast e mirëpritën përkrahjen e ofruar nga shteti për zbatimin e kësaj mase.

“Paga minimale nga muaji mars do të jetë 18.000 denarë për të punësuarit si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik. Kjo tregon përkujdesjen e Qeverisë ndaj punëtorëve dhe ngritjen e standardit të jetesës në vend. Po ashtu, kjo ndodh pikërisht në kushtet e krizës shëndetësore dhe energjetike, gjë që tregon edhe më qartë përkushtimin tonë si Qeveri për rritjen e pagave në vend. Kjo është zgjidhje sistematike që është në kompetencë të Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale, ku me këtë zgjidhje përmes metodologjisë së përcaktuar, paga minimale do të mbetet e mbrojtur nga ndikimi i inflacionit dhe do të lidhet me rritjen e produktivitetit të punës”, theksoi ministri Besimi.

Ai shtoi se shteti dhe ekonomia kanë raporte partneriteti, prandaj duke pasur parasysh gjendjen e përgjithshme aktuale, në buxhet kemi ndarë 16 milionë euro për subvencionimin e pjesës së kontributeve për ngritjen e pagës minimale.

“Raportet e partneritetit dhe përkrahja ndaj ekonomisë po vazhdojnë, gjë që u dëshmua edhe në kohën e pandemisë, kur përmes pakove të masave të miratuara në vlerë mbi një miliard euro, i ndihmuam ekonomisë dhe stimuluam aktivitetin ekonomik” tha ministri Besimi dhe theksoi lidhur me zvogëlimin e normave doganore për 258 lëndë të para dhe repromateriale që shfrytëzohen nga kompanitë vendase dhe përmes së cilave do të zvogëlohen shpenzimet e tyre, do të mundësohet zgjerimi i prodhimtarisë, krijimi i vendeve të reja të punës etj. Gjithashtu, ministri Besimi vuri në dukje edhe mundësitë në dispozicion të kompanive përmes Bankës Zhvillimore sa i përket investimeve.

Masa për rritjen e pagës minimale do të realizohet përmes Drejtorisë së të Hyrave Publike dhe lidhur me të, drejtoresha Llukarevska theksoi se Drejtoria është e gatshme për zbatimin e suksesshëm të masave paraprake antikrize të Qeverisë.

“Masa do të zbatohet përmes Drejtorisë së të Hyrave Publike me dorëzimin e përllogaritjeve të pagesës së pagave, ndërsa ndihmën financiare për pagesën e diferencës lidhur me kontributet e pagës minimale neto të rritur do t’a paguajë Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Procedura është e thjeshtë, gjegjësisht punëdhënësi në përllogaritjen mujore për pagesë të integruar ndaj personave për të cilët kërkohet sigurimi i ndihmës financiare nga shteti, ku këto persona shënohen me shifër të posaçme, mbi të cilën po punojmë aktualisht dhe lidhur me të do t’u njoftojmë më tutje. Në fund të muajit pas pagesës së pagës, Drejtoria e të Hyrave Publike do të dorëzojë raport lidhur me ndihmën e kërkuar financiare në MPPS, prej ku punëdhënësit do ta marrin këtë ndihmë”, deklaroi drejtoresha Llukarevska, si dhe theksoi se DHP-ja me sukses i ka realizuar masat antikrizë dhe se është e gatshme për realizimin e kësaj mase.

Ajo shtoi se shteti do t’a mbulojë diferencën e përgjithshëm në pjesën e kontributeve të pagës minimale nga 15.200 denarë që paguhet tani, deri në pagën që do të paguhet për muajin mars prej 18.000 denarëve, me ç’rast do t’u ndihmohet kompanive si dhe punëtorëve.

Propozim ligji për ndryshim dhe plotësim të Ligjit për pagë minimale në RMV, me të cilin rritet paga minimale u miratua gjatë kësaj jave në Kuvend.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window