Кumtesa|

8 mars 2022, Shkup – Ministria e Financave ka bashkëpunim të suksesshëm me Bankën Evropiane për Investime e cila është e gatshme ta vazhdojë përkrahjen për Republikën e Maqedonisë së Veriut në financimin e projekteve kyçe për zhvillimin e vendit në fushën e energjisë, infrastrukturës, tranzicionit të gjelbër dhe rritjes së konkurrencës së kompanive vendase.

Kjo u konstatua gjatë takimit të sotëm të ministrit të Financave Fatmir Besimi, i cili është nikoqir i delegacionit të kryesuar nga nënkryetarja e Bankës Evropiane për Investime Liljana Pavllova.

Ministri theksoi përkushtimin e Qeverisë për tranzicionin energjetik dhe ndryshimin e strukturës energjetike në vend, që do të ofrojë siguri në furnizimin me burime energjetike me fokus burimet e ripërtëritshme të energjisë.

Në këtë takim u diskutua për projekte konkrete që janë në fazën e realizimit dhe mundësitë lidhur me financimet e reja të projekteve zhvillimore në vend. U konfirmua nevoja për përforcimin e dinamikës së zbatimit të projektit për interkonektorin e gazit me Republikën e Greqisë, veçanërisht në lidhje me zhvillimet e fundit në botë. Ky projekt kontribuon në diversifikimin e burimeve të energjisë, arritjen e qëllimeve për dekarbonizimin dhe efikasitetin energjetik.

Për realizimin e tij, ministri Besimi dhe Pavllova tashmë kanë nënshkruar Marrëveshjen për financimin e ndërtimit të gazsjellësit drejt Greqisë në vlerë prej 28.9 milionë euro.

Gjithashtu, me anë të instrumentit WBIF janë siguruar 12.4 milionë euro shtesë si grant investues, i cili do të menaxhohet nga Banka Evropiane e Investimeve. Pjesa tjetër prej 16.5 milionë eurove do të sigurohet nga BERZH-i, ku u kërkua gjithashtu përkrahje.

“Me kënaqësi vërejmë përshpejtimin e tranzicionit të gjelbër, inkluziv dhe të qëndrueshëm të Maqedonisë së Veriut përmes bashkëpunimit të përforcuar me partnerët tanë lokalë. BEI planifikon që burimet e saj financiare dhe teknike t’i bëjë më të arritshme për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, edhe atë, falë përkushtimit të filialit të ri – BEI Global.

Në kuadër të EIB Global, dëshiroj t’a konfirmoj përkrahjen e plotë të BEI për Maqedoninë e Veriut në arritjen e qëllimeve dhe reformave të saj, në përputhje me politikat e BE-së dhe Strategjinë e KE-së për zgjerim.

Si partner i fuqishëm dhe i përkushtuar i Maqedonisë së Veriut, do të punojmë në mënyrë aktive për t’i mundësuar vendit të përfitojë nga mjetet e disponueshme në kuadër të Planit ekonomik dhe investues për rajonin. Përveç përkrahjes sonë për projektet e infrastrukturës, jemi të përkushtuar ta përkrahim tranzicionin dixhital dhe energjetik të sektorit privat”, theksoi Pavllova.

Me përkrahjen nga BEI dhe BERZH-i do të kompletohet financimi i projektit për ndërtimin e tërësishëm të korridorit hekurudhor VIII, pjesa Kriva Pallankë – kufiri me Bullgarinë. Ministri i Financave shprehu mirënjohje për BEI dhe për përkrahjen e tyre lidhur me aprovimin e grantit investues për realizimin e këtij projekti përmes instrumentit WBIF në vlerë prej 149.2 milionë eurove, me ç’rast BEI do të ofrojë përkrahje teknike dhe të përgjithshme shtesë me qëllim që të përshpejtohet realizimi i këtij projektit lidhur me fazat në vijim.

“Realizimi i këtij projekti është një nga prioritetet e Qeverisë, duke pasur parasysh se ndërtimi i pjesës së tretë të Korridorit hekurudhor VIII është një prej çështjeve kryesore në bisedimet e fundit me Republikën e Bullgarisë dhe paraqet projekt strategjik mbi të cilin grupi i punës i Maqedonisë dhe Bullgarisë për transport aktualisht punon në mënyrë aktive. Gjithashtu, Qeveria planifikon ta përfundojë ndërtimin e pjesës perëndimore të pjesës hekurudhore të Korridorit VIII, si pjesa Kërçovë – kufiri me Shqipërinë dhe për atë në periudhën që vijon do të parashtrojë aplikim në institucionet financiare ndërkombëtare, duke përfshirë edhe BEI-n për shprehjen e interesit sa i përket financimit të këtij projekti” theksoi ministri i Financave në takimin me Pavllovën.

Gjatë takimit u diskutua për projektin e ri në lidhje me furnizimin me ujë dhe trajtimin e ujërave të zeza, me vlerë prej 50 milionë eurove, përmes së cilit do të përfshihen 80 komuna dhe që planifikohet të miratohet nga Këshilli i Bankës deri në mes të këtij viti. Në këtë mënyrë mundësohet realizimi i këtij projekti të madh përmes së cilit do të përmirësohet cilësia e jetësës së qytetarëve. Gjithashtu, në kontekst të infrastrukturës komunale u diskutua edhe mbi zbatimin e deritanishëm të stacionit për trajtimin e ujërave të zeza në Shkup, të financuar nga BEI dhe EBRD.

Bëhet fjalë edhe për një mundësi që i referohet ndihmes shtesë nga BEI përmes linjës kreditore të lirë për ndërmarrje të vogla dhe të mesme, me ç’rast do të përkrahet tranzicioni energjetik dhe për mundësitë lidhur me skemën e re garantuese të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor EFSD+, si dhe sferat prioritare të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Besimi dhe Pavllova konfirmuan përkushtimin e tyre për vazhdimin e bashkëpunimit të shkëlqyer, intesifikimin e komunikimit në periudhën e ardhshme, si dhe rëndësinë e BEI-t si partner zhvillimor i vendit tonë.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window