Kolumna, Кumtesa|

24 maj 2022, Shkup – Gjatë ditës së shtunë prezantuam para opinionit publik propozim rishikimin e Buxhetit për vitin 2022, pas miratimit të tij nga Qeveria. Sipas zhvillimeve të reja gjeopolitike dhe efektit të tyre në ekonominë globale, ristrukturimi i buxhetit kishte për qellim adaptimin e projeksioneve me kontekstin e ri makroekonomik, parashikimin e mjeteve si reagim ndaj krizës, optimizimin e burimeve të financimit dhe ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale. Para se t’i shqyrtoj ndryshimet dhe plotësimet e propozuara në Buxhetin për vitin 2022, do të theksoj se ky është reagim në kohë, i matur dhe proaktiv ndaj zhvillimeve globale. Ky është hap logjik, i radhës që duhet ndërmarrë.

Në fillim të këtij muaji edhe Kroacia kishte rishikim të buxhetit. Kroacia bëri korrigjim në rënie të PBB-së për 1.4 pikë përqindjeje, përkatësisht nga 4.4% në 3% rritje për këtë vit, ndërsa projeksioni lidhur me normën e inflacionit u rrit nga 2.6% në 7.8%. Ana e të hyave të buxhetit të Kroacisë është rritur, por edhe ana e shpenzimeve është rritur për vlerë më të lartë se ana e të hyrave, ndërkohë që deficiti i buxhetit është zgjeruar. Parimisht, ndryshimet e realizuara janë në drejtim të njëjtë me ndryshimet që propozuam me rishikimin.

 

Lufta në Ukrainë – spirancë e zhvillimeve ekonomike globale dhe vendore

Cili është konteksti? – Projeksionet për buxhetin e këtij viti janë realizuar në gjysmën e dytë të vitit 2021. Vitin e kaluar, ekonomia globale dhe ajo evropiane u rimëkëmbën me shpejtësi. E njëjta gjë vlen edhe për vendet e rajonit. Ballafaqimi me pandeminë, imunizimi, pozita më e favorshme ndërkombëtare dhe rihapja e ekonomive kontribuan në rritjen e përshpejtuar. Vitin e kaluar ekonomia jonë arriti rezultat solid ekonomik prej 4%. Gjatë vitit të kaluar, u krijuan presione të caktuara mbi çmimet, kryesisht tek energjensat dhe disa produkte të tjera primare në tregjet botërore. Këto presione rezultuan si pasojë e çrregullimit të zinxhirëve të furnizimit gjatë pandemisë, resprektivisht oferta nuk u rimëkëmb në mënyrë të shpejtë për të përmbushur kërkesën, e cila po kthehej në normalitet. Megjithatë, pritshmëritë e institucioneve financiare ndërkombëtare ishin që këto mospërputhje të tejkalohen dhe që në gjysmën e parë të vitit 2022 ato të stabilizohen.

Por, atë që organizatat financiare ndërkombëtare dhe vendi ynë nuk morën parasysh, në projeksionet e asaj kohe, ishte fillimi i luftës në Ukrainë. Rusia dhe Ukraina luajnë rol të rëndësishëm në zinxhirët globalë, si një nga eksportuesit më të mëdhenj të energjensave dhe drithërave në botë. Me fillimin e luftës në Ukrainë, sanksionet ndaj Rusisë, presionet mbi çmimet u intensifikuan dhe u përhapën, ndërsa kërcënimet e tjera për ekonomitë u shfaqën përmes tregtisë, ngushtimit të tregjeve financiare dhe pasigurisë nga investitorët dhe konsumatorët. E gjithë kjo kontriboi në uljen e pritshmërive për rritjen ekonomike në vitin 2022.

 

Rritje prej 3.2% këtë vit, e më pas përshpejtim: 4.5% në 2023 dhe norma mbi 5% prej 2024-2027

Fondi Monetar Ndërkombëtar pret që ekonomia botërore të rritet për 3.6% në vitin 2022 ose 0.8 pikë përqindje më pak se projeksioni i muajit janar. Rritja ekonomike e BE-së projektohet në 2.9%. Pritshmëritë për PBB-në në Gjermani për këtë vit paraqesin rritje prej 2.1%.

BE-ja dhe Gjermania janë partnerët tanë më të mëdhenj tregtarë. Ekonomia jonë është e vogël dhe jashtëzakonisht e hapur. Sipas kësaj, projeksionet tona janë në të njëjtin drejtim me projeksionet e vendeve të tyre. Rimëkëmbja e ekonomisë do të vazhdojë edhe këtë vit. Tempoja do të jetë më e ngadalësuar krahasuar me vitin e kaluar, por për vitin 2022 presim rritje prej 3.2%. Kjo është 1.4 pikë përqindje më pak se projeksioni mbi të cilin është bazuar buxheti për vitin 2022. Ky projeksion korrespondon edhe me projeksionin më të fundit të FMN-së për vendin tonë. Pritshmëritë e rritjes bazohen në pritshmëritë e kërkesës, ku konsumi privat projektohet të rritet prej 3.3%. Ndikimi i presioneve të çmimeve në të ardhurat e amvisërive pritet që të neutralizohet përmes rritjes së pagës minimale, rritjes së pensioneve, por edhe përmes masave të tjera qeveritare për zbutjen e efekteve të goditjes së çmimeve. Për investimet bruto projektohet rritje reale prej 5%. Përveç shpenzimeve kapitale të buxhetit, kontribut i duhur pritet edhe nga investimet private, kryesisht si rezultat i pëkrahjes për zhvillimin e sektorit privat dhe përforcimit të konkurrencës.

Pritshmëritë e FMN-sa janë që inflacioni në eurozonë të arrijë normë vjetore prej 5.3%, ndërsa në periudhën e ardhshme pritet të ngadalësohet dhe të kthehet në normën vjetore prej 2%. Sipas zhvillimeve aktuale në vendin tonë, pritshmërive mbi inflacionin në eurozonë dhe efektit të përhapjes në vendin tonë, projektuam normë vjetore të inflacionit prej 7.2%. Institucionet financiare ndërkombëtare presin që çmimet të stabilizohen në mënyrë të matur dhe graduale në gjysmën e dytë të vitit, derisa ato të stabilizohen plotësisht vitin e ardhshëm. Sipas kësaj, për vitin 2023 presim normë vjetore të inflacionit prej 3.5%, ndërkohë që në periudhë afatmesme do të stabilizohet në 2%.

Me stabilizimin e presioneve të çmimeve, normalizimin e zinxhirëve të furnizimit, por edhe zbatimin e Planit për rimëkëmbjen dhe përshpejtimin e rritjes, projeksionet tona janë që rritja ekonomike në vendin tonë të përshpejtohet në periudhën afatmesme. Për këtë vit projektojmë rritje prej 4.5%, në vitin 2024 prej 5.7%, 2025 prej 5.9%, 2026 prej 5.7% dhe 2027 prej 5.5%.

Në periudhën afatmesme pritet rritje më e fuqishme e eksportit, me normë pak më të ulët të rritjes së importit. Për këtë vit prjektohet rritje e pagës neto për 11%, si rezultat i rritjes së pagës minimale, rritjes së pagave në arsim, si dhe në disa sektorë me të ardhura më të larta, si sektori i TIK-ut. Në periudhë afatmesme, rritja e pagave projektohet të vazhdojë. Shkalla e papunësisë pritet të vazhdojë të ulet, me projeksion prej 14.5% për këtë vit, ndërsa në periudhë afatmesme pritet të ulet në 8.2% në vitin 2027, ndërsa shkalla e punësimit të rritet në 54.7% për vitin e njëjtë.

Me buxhetin fillestar, të hyrat e përgjithshme për vitin 2022 ishin planifikuar në nivel prej 238.9 miliardë denarë (3.88 miliardë euro) dhe ishin 7.4% më të larta në krahasim me Rishikimin për vitin 2021, ndërsa shpenzimet ishin planifikuar në nivel prej 272.4 miliardë denarë (4.43 miliardë euro) ose 1.4% më shumë në krahasim me vitin 2021. Me anën e planifikuar të të hyrave dhe shpenzimeve të buxhetit, projektuam ulje graduale të deficitit të buxhetit, përkatësisht konsolidim gradual, i cili nuk do të reflektohet në rritjen ekonomike.

Në periudhën janar-prill të vitit 2022, të hyrat e përgjithshme të Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë realizuar në vlerë prej 78.9 miliardë denarë (1.28 miliardë euro) ose rreth 33% nga projeksioni. Shpenzimet për periudhën e njëjtë u realizuan në vlerë prej 83.6 miliardë denarë (1.34 miliardë euro) ose rreth 30.7% nga Buxheti për vitin 2022. Gjatë kësaj periudhe janë shlyer në kohë dhe në mënyrë të pandërprerë detyrimet e shfrytëzuesve të buxhetit, të drejtat ligjore të qytetarëve dhe detyrimet e maturuara ndaj kreditorëve vendas dhe të huaj.

Nga Buxheti i RMV-së për vitin 2022, nga fillimi i vitit janë paguar mjete në vlerë prej 5.3 miliardë denarë (86.2 milionë euro) si pëkrahje financiare për SHA EMV Shkup për ballafaqim me krizën energjetike. Në këtë mënyrë, përmes përkrahjes me kohë në sektorin energjetik, u tejkalua problemi i furnizimit me energji elektrike, qytetarët u mbrojtën nga goditjet e çmimeve, ndërsa kompanive u është ofruar çmim më i favorshëm i energjisë elektrike. Mandej vijoi pakoja e masave nga Qeveria për mbrojtjen e kategorive më të ndjeshme sociale të qytetarëve, ekonomisë, si dhe masa për kursime të shfrytëzuesve të buxhetit.

Në këtë periudhë u realizua deficit prej 4.6 miliardë denarë (74.8 milionë euro) ose 0.6% krahasuar me PBB-në e projektuar për vitin 2022.

Duke pasur parasysh korrigjimet në projeksionet makroekonomike, situatën aktuale ekonomike dhe gjendjen e tregjeve ndërkombëtare, nevojitet ristrukturim për të reaguar në mënyrë të duhur ndaj situatës së re.

Të hyrat e përgjithshme me ndryshimet dhe plotësimet në Buxhetin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022 janë planifikuar në vlerë prej 245.8 miliardë denarë (4 miliardë euro) dhe janë për rreth 6.9 miliardë denarë (112.2 milionë euro) më të larta se projeksionet fillestare të Buxhetit.

Të hyrat tatimore u planifikuan në nivel prej 143.2 miliardë denarë (2.3 miliardë euro), përkatësisht rreth 6.7 miliardë denarë (108.9 milionë euro) ose 5% më shumë në krahasim me të planifikuarat në Buxhetin për vitin 2022. Rritja e projektuar e të hyrave tatimore vjen si rezultat i rritjes së bazës tatimore për lloje të caktuara të tatimeve si rezultat i rritjes së konsumit, rritjes së pagës mesatare, rritjes së profitabilitetit të kompanive etj., si dhe në bazë të pritshmërive për përmirësimin e arkëtimit të të hyrave për shkak të uljes së ekonomisë gri, përmirësimit të kontrollit tatimor dhe thjeshtësimit të dixhitalizimit të procedurave tatimore, si dhe realizimit të mëtejshëm të qëllimeve dhe prioriteteve të Strategjisë së reformave të sistemit tatimor 2021-2027.

Shpenzimet e përgjithshme janë rishikuar në nivel prej 288.5 miliardë denarë (4.7 miliardë euro) ose në nivel më të lartë për 5.9%, përkatësisht për rreth 16.1 miliardë denarë (261.8 milionë euro) më shumë se projeksionet fillestare me planin për vitin 2022. Përndryshe, gjatë bisedimeve lidhur me rishikimin e buxhetit janë bërë shkurtime në disa zëra të buxhetit në vlerë të përgjithshme prej 13.4 miliardë denarë (217.9 milionë euro).

Në bazë të të hyrave dhe shpenzimeve të tilla të planifikuara, deficiti është planifikuar në nivel prej 42.7 miliardë denarë (694.3 milionë euro), resprektivisht 5.3% të PBB-së, që është për 9.1 miliardë denarë (148 milionë euro) më shumë në krahasim me buxhetin fillestar.

 

Mjete shtesë për masa antikrizë, paga, pensione, subvencione dhe ndihmë të garantuar

Tani, do të jap sqarime për secilin zë të anës së shpenzimeve, me qëllim që opinioni publik të ketë një pasqyrë të detajuar lidhur me atë se ku rriten dhe ku shkurtohen shpenzimet.

Në zërin – Paga dhe kompensime, planifikojmë 32.3 miliardë denarë (526.1 milionë euro) ose 554.7 milionë denarë më shumë se buxheti fillestar për harmonizimin e pagave të të punësuarve tek shfrytëzuesit e buxhetit me pagë minimale dhe rritjen e planifikuar të pagave në gjyqësor dhe polici. Këtu, duhet theksuar se në këtë vlerë përfshihen edhe efektet e kontrollit të punësimeve të reja dhe optimizimit të administratës publike, përkatësisht numri i administratës shtetërore tek shfrytëzuesit e buxhetit është ulur për 500 të punësuar krahasuar me muajin dhjetor të vitit 2021 kur administrata kishte 87.000 të punësuar.

Lidhur me reagimin e Lidhjes së Sindikatave për rritjen e pagave në sektorin publik, do të përmend se duhet të përcaktojmë një metodologji gjithëpërfshirëse me të cilën do të përshtaten pagat në të gjithë sektorin publik. Në këtë metodologji do të vlerësohet produktiviteti, si dhe ruajtja e standardit (rritja reale e pagave dhe inflacioni). Sipas metodologjisë së përcaktuar, do të destinohen edhe mjete.

Shpenzimet për mallra dhe shërbime janë planifikuar në vlerë prej rreth 22.3 miliardë denarë (362.6 milionë euro), që janë për 2.2 miliardë denarë (35 milionë euro) më të larta se buxheti fillestar. Ndërsa shkurtimet sa i përket punësimeve të përkohshme dhe inventarit tjetër të imët, në këtë zë korrigjimi në rritje është kryesisht si rezultat i shërbimeve komunale, ngrohjes, komunikimit dhe transportit, si pasojë e rritjes së çmimeve të energjisë elektrike, si dhe për kryerjen e aktiviteteve aktuale të sektorit publik, shpenzimet lidhur me detyrimet ndaj NATO-s në Ministrinë e Mbrojtjes, si dhe kostot e parashikuara për refugjatët dhe personat e shpërngulur.

Transfertat rrjedhëse janë planifikuar në nivel prej 189.7 miliardë denarë ose rreth 19 miliardë denarë më të larta se plani për vitin 2022 dhe i referohen mjeteve të nevojshme për realizimin e masave ekonomike për përkrahjen e qytetarëve dhe ekonomisë.

Parashihen 4.7 miliardë denarë (76.4 milionë euro) për rezervë (bafer), të cilat do të shfrytëzohen për përkrahjen e targetuar për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive në kushte të vazhdimit të krizës në tregun botëror të energjensave dhe produkteve primare.

Gjithashtu, janë planifikuar subvencione dhe transferta shtesë për përkrahje direkte financiare në sektorin e bujqësisë me sigurimin e 3.2 miliardë denarëve shtesë (52 milionë euro) për përkrahje të prodhimit bimor dhe shtazor, me qëllim të stimulimit të rendimenteve, rritjes së produktivitetit, konkurrencës më të madhe, si dhe amortizimit të presioneve të çmimeve të produkteve ushqimore bazë.

Rritje ka edhe zëri – Transferta rrjedhëse për vetëqeverisjen lokale, që vjen si rezultat i rritjes së bllok granteve, të cilat i referohen rritjes së pagës prej 15% për kopshtet e fëmijëve, shkollat ​​fillore dhe të mesme nga muaji shtator i këtij viti.

Pensionet janë rritur në mënyrë shtesë, sipas metodologjisë së re të llogaritjes së pensioneve, sipas së cilës harmonizimi i pensioneve bëhet sipas lëvizjes së indeksit të kostove të jetesës në vlerë prej 50% dhe rritjes së pagës mesatare të të gjithë të punësuarve në vlerë prej 50%.

Për programin e subvencionimit të kontributeve për përkrahjen e pagave është planifikuar vlerë më e madhe e destinuar pët stimulimin e punëdhënësve që të paguajnë paga më të larta për ta përmirësuar standardin ekonomik të të punësuarve në sektorin privat, përkatësisht vlera e planifikuar shtesë përfshin efektin e kontributit të subvencionuar për diferencën e pagës deri në pagën minimale.

Shfrytëzuesve të së drejtës së ndihmës së garantuar minimale u është ofruar përkrahje financiare shtesë në vlerë prej 2.4 miliardë denarë (39 milionë euro).

Transfertat në fondin e shëndetësisë do të dedikohen për uljen e detyrimeve të institucioneve publike shëndetësore si dhe për rritjen e pagave për personelin mjekësor dhe mjekët.

 

Shpenzimet kapitale vazhdojnë të jenë në nivel më të lartë se vitet e kaluara

Shpenzimet kapitale janë planifikuar në nivel prej 32.2 miliardë denarë (523.6 milionë euro) ose rreth 6 miliardë denarë më të ulëta se plani për vitin 2022. Do të theksoj se investimet kapitale për këtë vit vijojnë të jenë në nivel rekord edhe me këtë vlerë, përkatësisht janë për 8.8 miliardë denarë ose 37.8% më të larta në krahasim me vitin e kaluar dhe për 16.1 miliardë denarë, përkatësisht dy herë më të larta në krahasim me vitin 2020. Mekanizmi CAPEF funksionon, realizimi ndiqet në mënyrë vigjilente edhe më tej, ndërsa aty ku ka dinamikë më të dobët të realizimit, shkurtohen mjetet.

Planifiikohen investime të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore – Korridoret 8 dhe 10. Do të përmend disa nga pjesët për të cilat parashihen mjete për planifikim, projektim dhe ndërtim. Këtu janë pjesët Tetovë-Gostivar/zgjerimi i autostradës, ndërtimi i autostradës së re Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, ndërtimi i pjesës Gostivar-Bukojçan, si dhe pjesa Prilep – Manastir. Lidhur me ndërtimin e rrugës Tetovë-Prizren do të përgatitet studim fizibiliteti. Parashihet ndërtimi i pjesës lindore të rrugës së Korridorit 8 përmes pjesës Rankovce-Kriva Pallankë dhe pjesës Kriva Pallankë deri në kufi me Bullgarinë, si dhe pjesës perëndimore të rrugës së Korridorit 8 përmes ndërtimit të autostradës Kërçovë-Bukojçan dhe pjesës Kërçovë-Ohër. Gjithashtu me mjete kreditore është paraparë ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë (kufiri me Kosovën), autostrada Shtip-Radovish etj.

Në fushën e infrastrukturës hekurudhore planifikohet financimi i tri fazave të ndërtimit dhe rehabilitimit të pjesës lindore të linjës hekurudhore – Korridori 8 pjesa drejt Bullgarisë, si dhe financimi i Projektit për ndërtimin e linjës hekurudhore Kërçovë – kufiri me Shqipërinë.

Në fushën e gazifikimit, parashihet ndërtimi i gazsjellësve kryesorë pjesa Shkup-Tetovë, Gostivar – Kërçovë dhe pjesa Shën Nikollë – Veles, ndërtimi i gazsjellësit interkonektiv ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Kosovës, ndërtimi i gazsjellësit interkonektiv ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Serbisë, si dhe ndërtimi i gazsjellësit interkonektiv ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë.

Planifikohen edhe një sërë projektesh të tjera kapitale në fushën e arsimit dhe kujdesit ndaj fëmijëve, shëndetësisë, mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe menaxhimit të mbetjeve…në fakt lista është mjaft e gjatë, axhenda është ambicioze, këtë e dëshmon edhe vlera e lartë e planifikuar prej mbi gjysmë miliardë euro – investime kapitale.

 

Pagesa e borgjeve dhe mbulimi i deficitit në vitin 2022 si dhe sigurimi i rezervave për vitin 2023

Deficiti i projektuar për vitin 2022 në nivel prej 42.7 miliardë denarë (694.3 milionë euro), pagesa në bazë të kryegjësë së borxhit të jashtëm në vlerë prej 6.2 miliardë denarë (101.3 milionë euro) dhe pagesa e borxhit vendor në vlerë prej 5.5 miliardë denarë (90 milionë euro) do të financohen përmes huamarrjes në tregun ndërkombëtar dhe atë vendor.

Duke pasur parasysh situatën aktuale ekonomike dhe të politikës së jashtme, këtë vit fokus më i madh do t’i kushtohet financimit nga tregjet ndërkombëtare, gjë që do të mundësojë që më shumë para nga sektori bankar vendas të përdoren në ekonominë e Maqedonisë, si dhe përmes burimeve të jashtme të financimit do të realizohet rritja e rezervave valutore të shtetit.

Në kuadër të huamarrjes vendore, që do të realizohet me letra shtetërore me vlerë në tregun e vendor, përkatësisht me emetimin e bonove të thesarit dhe fletobligacioneve shtetërore, për financimin e buxhetit, do të jetë me pagesë së njëkohshme të fletobligacioneve shtetërore. Huamarrja jashtë vendit realizohet me tërheqjen e mjeteve nga kreditë e favorshme nga institucionet e huaja financiare të destinuara për financimin e projekteve të caktuara si dhe huamarrjen për financimin e deficitit buxhetor. Resprektivisht, për financimin e deficitit të buxhetit parashihen mjete nga FMN-ja si dhe mjete nga tregu ndërkombëtar i kapitalit përmes emetimit të letrave me vlerë të borxhit.

Njëkohësisht, në kushtet e krizës energjetike, pandemisë shëndetësore dhe luftës në Ukrainë, kushtet në tregjet ndërkombëtare të kapitalit janë të ndryshueshme dhe të vështira për t’u parashikuar. Prandaj, me qëllim të financimit të pandërprerë, si dhe për t’i ulur rreziqet për rifinancim, buxheti këtë vit përfshin bafer me para të gatshme – rezervë, që nuk do të shpenzohet gjatë vitit aktual, përkatësisht do të sigurojë mjete për parafinancim në vitin e ardhshëm. Mjetet që do të sigurohen në tregjet financiare do të shfrytëzohen për financimin e nevojave të buxhetit në vitin aktual, si dhe për financimin e pjesshëm në vitin 2023.

Me qëllim të përmirësimit të vazhdueshëm të tregut financiar të letrave shtetërore me vlerë dhe ndjekjes së praktikës botërore, Ministria e Financave punon për diversifikimin e burimeve të financimit dhe vendosjen e llojeve të reja të instrumenteve financiare që do të kenë zbatime të ndryshme, si fletobligacionet zhvillimore, fletobligacionet e gjelbra dhe fletobligacionet projektuese. Këto fletobligacione nuk do të zbatohen gjatë vitit aktual fiskal, por do të kontribuojnë në diversifikimin e portofolit në periudhë afatmesme, duke ulur rrezikun dhe kostot e financimit.

 

Pritshmëritë…

Rishikimi i buxhetit është reagim i duhur ndaj zhvillimeve globale, nga të cilat ne si ekonomi e vogël dhe e hapur nuk jemi të izoluar. Projektuam më shumë mjete për përkrahjen e standardit të qytetarëve. Në këtë mënyrë përkrahet konsumi dhe aktiviteti ekonomik. Përkrahje për aktivitetin ekonomik kemi edhe përmes shpenzimeve kapitale, të cilat janë në nivelin më të lartë deri më tani. Në rast nevoje projektuam rezervë adekuate që do ta shfrytëzojmë për ndonjë pako të re masash.

Edhe pse konteksti global është shumë i pasigurt, për shkak se burimi i krizës është politik, kryesisht i kushtëzuar nga zhvillimi i situatës në Ukrainë dhe sanksionet e reja ndaj/nga Rusia, megjithatë pritshmëritë janë për stabilizim, që nga viti i ardhshëm. Me stabilizimin e zinxhirëve globalë dhe çmimeve në bursat botërore, do të ulen presionet për ekonominë tonë. Me rëndësi është që edhe këtë periudhë ta kalojmë, duke ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe pa krijimin e presioneve të brendshme përmes nxitjes së pritshmërive të inflacionit.

 

Fatmir Besimi, ministër i Financave

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window