Кumtesa|

31 maj 2022, Shkup – Përmes gjysmë miliardë euro, resprektivisht 523.6 milionë euro janë destinuar për projekte infrastrukturore me rishikimin e buxhetit. Bëhen investime në pjesën rrugore të Korridorit 8 dhe 10 si dhe në linjën hekurudhore, ndërtimin e gazsjellësve, projekte të mëdha në fushën e mjedisit jetësor, shëndetësisë, arsimit etj. Investimet publike në infrastrukturë kanë rëndësi të veçantë për stimulimin e aktivitetit ekonomik, por edhe për tërheqjen e investitorëve të huaj. Siç theksoi nobelisti Paul Krugman në Forumin ekonomik dhe financiar, Shkup – SEFF, që investitorët e huaj të vijnë, nevojitet axhendë ambicioze për projekte infrastrukturore.

“Ajo që duhet bërë menjëherë tani dhe besoj se problemi adresohet është që të siguroheni se nëse dëshironi diçka, si për shembull fabrikat nga Holanda, Gjermania, nëse dëshironi që ta shfrytëzoni prodhimin këtu, ajo që ka më shumë rëndësi është infrastruktura sa i përket transportit”, theksoi Krugman në Shkup në ditën e parë të SEFF-it.

Përmirësimi i infrastrukturës është një nga prioritetet e Qeverisë, gjë që tregohet nga vlera e lartë e investimeve kapitale të parapara në Buxhetin e vitit 2022 dhe tani me ndryshimet e tij. Investimet kapitale janë paraparë në 32.2 miliardë denarë dhe janë 37.8% më të larta në krahasim me vitin paraprak. Planifikohen investime të konsiderueshme në infrastrukturën rrugore si korridoret 8 dhe 10. Ndër to janë: pjesa Tetovë-Gostivar/zgjerimi i autostradës, ndërtimi i autostradës Trebenishtë – Strugë – Qafë Thanë, ndërtimi i pjesës Gostivar-Bukojçan, pjesës Prilep – Manastir, pjesës Rankovce – Kriva Pallankë dhe pjesës Kriva Pallankë – kufiri me Bullgarinë, autostrada Kërçovë – Bukojçan dhe Kërçovë – Ohër. Parashihet edhe ndërtimi i autostradës Shkup – Bllacë, rruga Shtip – Radovish etj

Tema e sivjetme e këtij edicioni të SEFF është “Rritje e qëndrueshme në kohë pasigurie dhe përtej”. Në ditën e parë, pjesëmarrësit, përfshirë zyrtarët qeveritarë nga rajoni, përfaqësuesit e lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, përfaqësuesit e biznesit, ekspertët dhe të tjerë, debatuan për politikat fiskale dhe monetare dhe bashkëpunimin rajonal. Debati vazhdon edhe sot për temat që lidhen me tranzicionin e gjelbër, infrastrukturën, ndërlidhjen dhe tregtinë, inovacionin financiar dhe investimet në rrethana pasigurie, sfidat e reja për qeverisjen e mirë dhe kapitalin njerëzor në shekullin e 21-të.

SEEF-i është krijuar që të funksionojë si një platformë për dialog mbi çështjet ekonomike dhe financiare. Qëllimi është inkurajimi i të gjithë palëve të interesuara që të ofrojnë zgjidhje që mund të shfrytëzohen për t’i adresuar sfidat me të cilat përballemi aktualisht, por edhe zgjidhje për një të ardhme më të mirë.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window