Кumtesa|

31 maj 2022, Shkup – Përmes së axhendës ambicioze të investimeve në infrastrukturë, tranzicion të gjelbër dhe dixhitalizim, në vend dhe rajon, në periudhë afatmesme mund të arrihen norma të rritjes prej 5% dhe më shumë dhe të njëjtat të jenë të qëndrueshme. E ardhmja e sigurt energjetike mund të mundësohet vetëm duke investuar në infrastrukturën energjetike, por edhe duke krijuar modele dhe ndërgjegjësim për efikasitet më të madh energjetik tek konsumatorët, ku në kohë krize energjetike është mënyrë e mirë për t’u përballur me rritjen e çmimeve, sidomos në vendet në zhvillim. Lidhja më e mirë e rajonit dhe dixhitalizimi do të kontribuojnë në zhvillimin e të gjitha ekonomive në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe kjo është mënyrë e duhur për konkurrencë më të madhe në rajon dhe tërheqje më të madhe për investitorët.

Këto janë konkluzionet e diskutimit mbi shtyllën e tretë “Dixhitalizimi, infrastruktura, ndërlidhja dhe tregtia” në ditën e dytë të Forumit ekonomik dhe financiar Shkup – SEFF, i cili filloi me fjalimet e presidentit të vendit, Stevo Pendarovski dhe kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi. Mesazhi nga fjalimi i presidentit në SEFF-it është se zhvillimi mund të arrihet përmes zbatimit të katër qëllimeve – përshpejtimit të rritjes ekonomike, përmirësimit të mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe ripërcaktimit të politikës energjetike, dixhitalizimit dhe edukimit si dhe zhvillimit inkluziv.

Në fjalimet e tyre hyrëse, të cilat hapën diskutimin për pilarin e tretë, kryetarja e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Odile Renault-Basso dhe nënkryetarja e Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Ljiljana Pavlova, theksuan se këto institucione financiare ndërkombëtare edhe në periudhën e ardhshme planifikojnë të ofrojnë përkrahje të konsiderueshme për vendet e Ballkanit Perëndimor në vlerë prej disa miliarda eurove. Në fjalimet e tyre, theksuan edhe aspektit sa i përket ballafaqimit me ndryshimet klimatike, investimeve në qëndrueshmërinë energjetike dhe zgjidhjeve inovative për diversifikimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, si dhe përkrahjes së projekteve në infrastrukturën e transportit.

Në panelin lidhur me energjinë dhe tranzicionin e gjelbër diskutuan ministri i Mjedisit Jetësor Naser Nuredini, drejtori i Sekretariatit të Komunitetit Energjetik, Artur Lorkovski, ambasadori i BE-së David Geer, përfaqësuesi i UNDP-së në vend Armen Grigorian, drejtori i CEB-it, Christian Tabakaru, drejtori i KfW-së në Shkup, Rene Eheman, drejtori ekzekutiv i EVN-së, Stefan Peter, si dhe kryetari i Komisionit Rregullator, Marko Bislimovski, ndërsa moderatore ishte profesoresha universitare Aleksandra Nakeva Ruzhin.

Mesazhet kryesore të këtij paneli, ku u diskutua edhe për sfidat e krizës energjetike për vendet e rajonit janë se nevojitet të investohet në kapacitetet e reja energjetike, të diversifikohen burimet e furnizimit me energji dhe orientimi drejt burimeve të të ripërtëritshme të energjisë, por edhe më shumë ndërgjegjësim sa i përket kursimit të energjisë dhe efikasitetit energjetik. U theksua se në vend, vitin e kaluar fokusi i investitorëve në investimet lidhur me energjinë e ripërtëritshme ka rëndësi të madhe, sepse vetëm ata krijojnë burime shtesë të energjisë prej rreth 80 megavat në nivel vjetor, që është ekuivalente me kapacitetin e HEC Kozjak.

Në panelin “Dixhitalizimi, infrastruktura, ndërlidhja dhe tregtia” depatuan ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski, menaxheri rajonal i IFC-së për Evropën Qendrore dhe Juglindore, Ari Naim, drejtoresha e Drejtorisë së të Ardhurave Publike, Sanja Lukarevska, drejtoresha e Drejtorisë Doganore, Slavica Kutirov, drejtori i BEI për rajonin Alessandro Bragonzi, drejtori i AEK-ut Jeton Akiki, drejtori ekzekutiv i A1 Metodija Mirçev dhe drejtori i Telekomit të Maqedonisë, Nikola Ljusev, ndërsa moderatore ishte profesoresha universitare, Shiret Elezi.

Në këtë panel u theksua lidhja direkte midis infrastrukturës dhe rritjes ekonomike – përkatësisht se me investimet në infrastrukturë kontribuojnë në rritjen ekonomike, ndërsa rritja ekonomike nxit zhvillimin drejt infrastrukturës më të mirë. U theksua se, viteve të kaluara shpenzimet e kapitalit janë rritur vazhdimisht, si dhe se realizimi i tyre është përmirësuar në periudhën e kaluar pas zbatimit të mekanizmit CAPEF. Gjatë këtij viti, shpenzimet e kapitalit janë planifikuar në nivelin më të lartë prej më shumë se gjysmë miliardë euro dhe ato do të investohen në pjesën rrugore dhe hekurudhore të korridoreve 8 dhe 10, autostradat dhe rrjetin e gazit, si dhe në projekte të mëdha të infrastrukturës ekologjike, duke përfshirë investimet kapitale në arsim dhe shëndetësi.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window