Kolumna, Кumtesa|

10 korrik 2022, Shkup – Ditën e hënë, në seancën plenare, Kuvendi do shqyrtojë ndryshimin dhe plotësimin e Buxhetit për vitin 2022. Gjatë shqyrtimit të ekspozesë dhe materialeve u inspirova për këtë kolumnë, ku do të trajtoj disa tema, të cilat janë me vërtet të gjera dhe të veçanta, por që kanë lidhje të fuqishme, siç janë zhvillimet ekonomike globale, buxheti dhe financimi i tij, si dhe perspektivat drejt BE-së. Gjithmonë përpiqem përmes kolumnave të mia ta parashikoj dhe paraqes tablonë e përgjithshme, sepse ekonomia çdoherë kërkon strategji dhe planifikim. Pra edhe në këtë tekst do të flas përmes fakteve për aspektet e financave shtetërore në kontekstin aktual dhe se si do ta arrijmë më lehtë atë që dëshirojmë të gjithë – rritjen ekonomike të përshpejtuar dhe të qëndrueshme.

Sipas projeksioneve të fundit të muajit qershor të Bankës Botërore, pritshmëritë për rritjen globale këtë vit janë që ajo të ngadalësohet nga 5.7% në vitin 2021 në 2.9% në vitin 2022, si rezultat i recesionit të thellë që do ta kaplojë ekonominë ruse dhe atë ukrainase, përhapjes së krizës në ekonomitë e tjera, ngadalësimit të kërkesës, si dhe tërheqjes së politikave të përkrahjes dhe njëkohësisht inflacionit të lartë. Për vitin 2023 pritet përshpejtim i ulët i aktivitetit ekonomik, me rritje të projektuar prej 3% në vitin 2023, kryesisht si rezultat i nivelit të lartë të çmimeve të produkteve bazë, si dhe shtrëngimit monetar, i cili pritet të vazhdojë edhe për disa kohë. Projeksioni për vitin 2024 është rritja e PBB-së botërore për 3%, me përafrimin e ekonomisë globale drejt rritjes potenciale afatgjate.

 

Shmangia e stagflacionit

Deri më tani, të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare parashohin rezultat pozitiv ekonomik këtë vit. Megjithatë, një pjesë e madhe e tyre paralajmërojnë rrezikun nga stagflacioni. Banka Botërore në “Perspektivat ekonomike globale” të muajit qershor 2022 si “flamuj të kuq” vë në dukje normat e inflacionit që arrijnë rekorde disa dekadash, huamarrje të lartë të vendeve pas pandemisë, shtrëngim të politikës monetare si reagim ndaj inflacionit dhe kështu edhe kufizim të kushteve për financim dhe ngadalësim të aktivitetit investues shumëvjeçar.

Për uljen e mëtejshme të rrezikut të stagflacionit, politikëbërësit botëror duhet të tentojnë që ta rrisin prodhimin e ushqimit dhe energjisë dhe duke paralajmëruar këtë, t’i ulin pritshmëritë inflacioniste dhe çmimet. Nevojitet që të përshpejtohet tranzicioni energjetik drejt burimeve të energjisë me karbon të ulët, të ofrohet ndihmë për ata që janë përfshirë nga lufta në Ukrainë, të shqyrtohen opsionet për shlyerjen ose lehtësimin e borxheve të vendeve me të ardhura të ulëta dhe më tej të forcohen mekanizmat e mbrojtjes kundër pandemisë Covid-19.

Në kushtet e presioneve të vazhdueshme inflacioniste, ekonomitë në zhvillim, të cilat pas pandemisë kanë hapësirë ​​fiskale dukshëm të ngushtuar për reagim, duhet të fokusohen para së gjithash në mbrojtjen e kategorive më të ndjeshme të përfshira nga kriza. Por, njëkohësisht, në mënyrë vigjilente ta menaxhojnë borxhin publik, që të sigurojnë financim të qëndrueshëm të tij, dhe kështu edhe stabilitet makroekonomik.

 

Me rishikimin – masa r qytetarët dhe ekonominë

Në fillim të krizës energjetike dhe të çmimeve, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut pati reagim të fuqishëm fiskal, me qëllim të ngadalësimit të efektit transferues të inflacionit të importuar në produktet vendase. Pakoja e radhës e masave antikrizë, që do ta prezantojmë pas rishikimit të buxhetit, përfshin masa të targetuara që do të destinohen atje ku janë më të nevojshme dhe ku do të japin rezultatet më optimale. Dinamika e zbatimit të masave do t’i ndjekë lëvizjet ekonomike, ku pjesa më e madhe e tyre pritet të jetë aktive në tremujorin e katërt të vitit. Do të ketë masa për qytetarët, kompanitë, përkrahje për stabilizimin e çmimit të ushqimeve. Njëkohësisht, përmes politikës prudente do të ruhet hapësira fiskale, si dhe do të sigurohet në mënyrë esenciale ruajtja e stabilitetit makroekonomik.

Me rishikimin e buxhetit janë siguruar edhe 19 miliardë denarë shtesë për disa kategori dhe qëllime, për absorbimin e një pjese të efekteve të krizës. Rreth një e katërta e këtyre mjeteve janë rezervë për masa. Përveç kësaj, janë siguruar mjete shtesë për bujqit për nxitjen e prodhimit vendas dhe kështu edhe ndikim të favorshëm në çmimet e ushqimeve. Për kategoritë më të ndjeshme të qytetarëve, parashihen mjete shtesë për përkrahje për përballimin e goditjeve të çmimeve, si dhe parashihen mjete edhe për rritjen e pensioneve – në mënyrë sistemike, sipas rritjes së pagave dhe kostove të jetesës. Në rishikimin ka mjete shtesë edhe për kompanitë për subvencionimin e rritjes së pagave, si dhe programe për përkrahjen e investimeve.

Gjithashtu, përveç buxhetit si përkrahje për qytetarët dhe ekonominë nga kriza energjetike dhe inflacioni janë edhe huatë e favorshme nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim në vlerë prej 100 milionë eurove për likuiditetin e EMV (që shitet nën çmimin e kostos me qëllim të absorbimit të goditjes së çmimeve në tregun e rregulluar, resprektivisht “subvencionimin” e faturave të energjisë elektrike në radhë të parë të amvisërive) dhe nga Banka Evropiane e Investimeve në vlerë prej 100 milionë eurove për përkrahje të ekonomisë përmes kredive të favorshme dhe/ose pa interes, të cilat përmes modelit të Planit të rritjes së përshpejtuar do të përfshihen edhe bankat komerciale me 100-200 milionë euro shtesë. Këtu nuk i përmenda masat ekzistuese që janë llogaritur në rishikim, si ulja e TVSH-së për energji elektrike për amvisëri, kthimi i 2.2 miliardë denarëve në drejtim të qytetarëve përmes projektit TVSH-jaIme dhe masat e tjera të përcaktuara sistemike që ndihmojnë kategoritë e ndjeshme gjatë krizës si të ardhurat minimale të garantuara dhe masa të tjera aktive në tregun e punës, si dhe metodologjia e re që mundëson rregullimin e vazhdueshëm të pensioneve dhe pagës minimale me inflacion dhe rritje për mbrojtjen e standardit të tyre të jetesës dhe integritetit.

Pavarësisht nga kriza, e ruajmë komponentin e lartë zhvillimor të buxhetit me 32.1 miliardë denarë investime kapitale, të cilat edhe përkundër korrigjimit në rënie me rishikimin, janë në nivelin më të lartë historik deri më tani.

 

Janë përcaktuar limitet e borxhit dhe deficitit

Për ekonominë, ruajtja e stabilitetit dhe menaxhimi i kujdesshëm i borxhit publik është po aq i rëndësishëm për kthimin e mëtejshëm në drejtim të kahjes së rritjes së përshpejtuar ekonomike. Prandaj, me rishikimin e propozuar edhe pse ka zgjerim të deficitit të buxhetit për sigurimin e mjeteve për masa antikrizë është ende më i ulët në krahasim me vitin paraprak.

Sipas situatës së fundit, në fund të tremujorit të parë të vitit 2022, borxhi shtetëror është ulur në 46.8% të PBB-së, ndërsa borxhi publik në 54.9% të PBB-së. Sipas pikëpamjeve të FMN-së, niveli stabil i borxhit publik për vendet në zhvillim është deri në 70%. Impenjimi ynë për menaxhim prudent të borxhit publik në drejtim të stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së tij reflektohet edhe përmes limiteve në periudhë afatmesme që kemi vendosur në Strategjinë e menaxhimit me borxhin publik, ku krijohet kornizë për borxhin publik për periudhën nga viti 2023 deri në vitin 2027. Limitet në periudhë afatmesme përcaktojnë nivelin maksimal të qëndrueshëm të borxhit publik të përgjithshëm, por edhe nivelin e borxhit të garantuar në raport me PBB-në.

Për ta ruajtur nivelin e borxhit publik brenda kornizave të qëndrueshme, limiti i borxhit publik të përgjithshëm në periudhë afatmesme dhe afatgjate nuk duhet ta tejkalojë nivelin prej 60% të PBB-së. Megjithatë, si rezultat i krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia e Covid-19, një pjesë e konsiderueshme e vendeve të Bashkimit Evropian, por edhe të vendeve të rajonit, u detyruan që t’i zgjerojnë deficitet e buxhetit, me qëllim të sigurimit të mjeteve për ta përballuar pandeminë, që rezultoi në rritje të nivelit të borxhit publik me më shumë se 10 pikë përqindjeje.

Për shkak të seriozitetit të krizës, rregullat fiskale në BE janë suspenduar deri në fund të vitit 2022. Projeksionet afatmesme në vendin tonë tregojnë se borxhi publik do ta tejkalojë pragun prej 60% në periudhën 2022-2025, por si rezultat i masave të konsolidimit fiskal, në vitin 2026 dhe 2027 parashikohet kthimi i sërishëm nën 60% të PBB-së, ndërsa borxhi shtetëror do të ulet në nivelin prej rreth 50%. Përndryshe, Ligji i ri i buxheteve pritet që të shqyrtohet në Kuvend deri në fund të muajit korrik, ku parashihen edhe rregulla fiskale për borxhin publik dhe deficitin buxhetor, si dhe këshilli fiskal, tejet të rëndësishme për qëndrueshmërinë fiskale, së bashku me shumë reforma të tjera të parapara në ligj që do të nënkuptojnë menaxhim më efikas dhe transparent të financave publike.

Ruajtjen e stabilitetit të borxhit publik do ta arrijmë përmes angazhimit tonë të qartë për konsolidim gradual fiskal. Me Strategjinë më të fundit fiskale me perspektivë deri në vitin 2027, parashihet konsolidim fiskal me etapa, me deficit buxhetor të zvogëluar në përqindje të PBB-së: 4.2% në vitin 2023, 3.6% në vitin 2024, 3.2% në vitin 2025, 3.0% në vitin 2026 dhe 2.8% në vitin 2027. Me qëllim të përforcimit të disiplinës fiskale, strategjia fiskale afatmesme përfshin limite për shpenzime buxhetore, limite sipas shfrytëzuesve buxhetorë, si dhe projeksione afatmesme për pushtetin vendor dhe ndërmarrjet publike, si dhe për shoqëritë aksionare në pronësi shtetërore.

Konsolidimi fiskal i planifikuar përfshin tre aspekte kryesore: përmirësimin e arkëtimit të të hyrave të buxhetit, nëpërmjet masave për uljen e ekonomisë gri, parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit; uljen dhe ristrukturimin e shpenzimeve të buxhetit, nëpërmjet shkurtimit të shpenzimeve jo prioritare, përkrahjes më të madhe për sektorin privat dhe inovacioneve, përkrahjes për kategoritë më të ndjeshme të popullatës dhe rishikimit të metodologjive të transfertave dhe subvencioneve; dhe ndryshime në burimet e financimit të deficitit të buxhetit, diversifikimin më të madh të burimeve të financimit të deficitit, financimin dhe realizimin e projekteve të caktuara përmes partneriteteve publiko-private dhe krijimin e Fondi zhvillimor.

Kjo parashihet edhe me Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike, i cili përmes përfshirjes së burimeve të ndryshme të financimit do të përkrahë aktivitetin investues dhe në këtë mënyrë do të përshpejtojë rritjen, duke ulur njëkohësisht deficitin. Këtu, do të shtoja edhe përkrahjen financiare për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik, të ashtuquajturat Precautionary and Liquidity (PLL) – Hua për likuiditet dhe përkujdesje – për periudhën 2022-2023, si dhe programe të tjera zhvillimore nga FMN-ja dhe Banka Botërore.

 

BE-ja në kontekstin e ekonomisë, rritjes dhe investimeve

Aspekt tjetër i rëndësishëm në këtë drejtim është qasja në fondet evropiane, por edhe rritja e investimeve të huaja, si një nga përfitimet më të mëdha për ekonominë nga integrimet në BE. Duke pasur parasysh se në planin për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritjen e përshpejtuar ekonomike, planifikohet që përmes përfshirjes së disa burimeve të kapitalit me qëllim të dyfishimit të rritjes ekonomike në vend dhe për arritjen e normave më të larta historike mbi 5% rritje të qëndrueshme, nga aspekti ekonomik, integrimet në Bashkimin Evropian kanë rol të rëndësishëm në zbatimin e këtij plani.

Përvojat e vendeve të tjera të eurointegrimeve tregojnë për rritje të aktivitetit ekonomik, përmirësim të konkurrencës dhe shkëmbimit të jashtëm tregtar, rritje të investimeve të huaja dhe krijim të vendeve të reja të punës. Në Republikën e Çekisë, për shembull, rritja ekonomike u përshpejtua nga 2.7% në 6.1% pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Integrimi ka ndikim pozitiv në zhvillimin e infrastrukturës dhe gjithashtu ka ndikim pozitiv edhe në sektorët e tjerë si industria informatike dhe telekomunikacioni, turizmi, bujqësia dhe arsimi.

Përfitimet e përgjithshme të BE-së janë stabiliteti, demokracia, siguria dhe prosperiteti, stimulimi dhe përkrahja e rritjes së PBB-së, më shumë vende pune, paga dhe pensione më të larta, rritja e tregut të brendshëm dhe kërkesa e brendshme, lëvizja e lirë e fuqisë punëtore, mallrave shërbimeve dhe kapitalit, qasja në treg prej 450 milionë konsumatorësh. Në lidhje me ndikimet makroekonomike ka fluks në rritje të investimeve të huaja direkte për shkak të rritjes së besimit afarist, uljes së rreziqeve, mobilitetit më të madh të fuqisë punëtore, transportit efikas, konkurrencës më të fuqishme dhe nxitjes së inovacioneve, sistemit të subvencioneve shtetërore i harmonizuar me rregullativat e BE-së, qasjes më të lehtë tek institucionet dhe fondet financiare, rritjes shtesë të PBB-së dhe rritjes së prodhimit industrial për shkak të dinamikës më të lartë të eksportit.

Ka edhe përfitime për kompanitë. Këtu është edhe mundësia më e madhe për qasje në fondet e BE-së dhe përkrahja për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Nuk ka kufizime doganore apo kuantitative dhe procedura administrative në tregtinë me shtetet e tjera anëtare të BE-së është thjeshtësuar. Për sa i përket uljes së barrierave tregtare, vlen të përmendet certifikimi i ndërsjellë i mallrave, procesi standard i njësuar për të gjithë rajonin dhe zbatimi i politikës së konkurrencës dhe të drejtave të pronësisë intelektuale.

Me pak fjalë, sa i përket aspektit ekonomik, përfitimet janë të padiskutueshme. Republika e Maqedonisë së Veriut, pas një periudhe të gjatë me norma të rritjes ekonomike mesatarisht prej rreth 2.5% dhe më pas goditjet ekonomike nga pandemia, kriza energjetike dhe e çmimeve, tregojnë qartë se ekonomia jonë ka nevojë për nxitës, katalizator, që do ta përshpejtojë rritjen. Kemi strategji të fuqishme dhe të qëndrueshme me Planin e përshpejtimit të rritjes dhe kemi mundësi të cilat duhet t’i shfrytëzojmë. Në fund, tabloja e përgjithshme është gjithmonë e rëndësishme për marrjen e vendimeve të duhura.

 

Fatmir Besimi, ministër i Financave

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window