Кumtesa|

30 gusht 2022, Shkup – Agjencia e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) me Maqedoninë e Veriut nënshkroi amendamentin e tretë të Marrëveshjes për grantin e partneritetit të zhvillimit, ku sigurohen 10.3 milionë dollarë shtesë për përkrahjen e partneritetit të zhvillimit të qëndrueshëm. Kjo marrëveshje ndërmjet USAID-it dhe Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është marrëveshje pesëvjeçare që promovon përfshirje më të madhe, lidership dhe investime në vend, duke punuar së bashku për të arritur qëllimet zhvillimore të vendit.

Marrëveshjen e nënshkruan përfaqësuesja e Zyrës së USAID-it, Jerri Dible dhe ministri i Financave, Fatmir Besimi, si përfaqësues i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ambasadorja e SHBA-së, Kate Mary Byrnes, ishte prezente gjatë  nënshkrimit të dokumenteve të marrëveshjes dhe theksoi rëndësinë e avancimit të partneritetit ndërmjet SHBA-së dhe Maqedonisë së Veriut.

Gjysmë e përkrahjes së USAID-it përmes kësaj Marrëveshjeje për grantin e parneritetit të zhvillimit destinohet për luftë kundër korrupsionit. Me partneritetin tonë dhe punën e përbashkët për ndryshime për një të ardhme më të mirë, jemi të sigurtë se vendi mund të bëhet një shoqëri më prosperuese, me udhëheqje më të mirë dhe më rezistente. Me nënshkrimin e marrëveshjes, ne do të vazhdojmë të ofrojmë përkrahjen tonë dhe presim që të shikojmë kthim të konsiderueshëm të këtij investimi, realizimi i të cilit udhëhiqet nga qeveria dhe qytetarët” theksoi ambasadorja Kate Marie Byrnes.

 

Siç theksoi ministri Besimi, si partnerë të vazhdueshëm dhe të përkushtuar dhe si përkrahës të këtij procesi ishin miqtë tanë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Konfirmim i kësaj është nënshkrimi i sotëm me Agjencinë e SHBA-së për zhvillim ndërkombëtar të Amendamentit të marrëveshjes pesëvjeçare të grantit për partneritet të zhvillimit.

“Me këtë dokument, Shtetet e Bashkuara të Amerikës na japin përkrahje shtesë në vlerë prej 10.3 milionë dollarëve, me ç’rast përkrahet zhvillimi i shoqërisë demokratike dhe ekonomisë konkurruese, si vlera mbi të cilat bazojmë shoqërinë tonë. Me nënshkrimin e këtij amandamenti, vlera efektive e deritanishme e kësaj marrëveshjeje është 22.1 milionë dollarë nga gjithsej 56.6 milionë dollarë të planifikuara në kuadër të kësaj marrëveshjeje pesëvjeçare. Me këtë rast, dëshiroj të falënderoj dhe të theksoj se pavarësisht përkrahjes politike, deri më tani vendi ynë ka marrë përkrahje të konsiderueshme financiare nga Qeveria e SHBA-së përmes USAID-it, e cila nga viti 1993 deri më tani ka arritur vlerën prej 840 milionë dollarëve” theksoi ministri Besimi.

 

Të dyja palët në këtë marrëveshje marrin përsipër të investojnë bashkërisht; të sigurojnë burime materiale, jomateriale dhe burime njerëzore; dhe të punojnë së bashku për të arritur qëllimet e zhvillimit që janë me përfitim reciprok. Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka ndërmarrë rolin udhëheqës në këtë bashkëpunim – duke zhvilluar, financuar dhe zbatuar nismat kyçe të dobishme për vendin – me përkrahjen shtesë të USAID-it.

Qëllimet e përbashkëta të shprehura në Marrëveshje janë plotësisht në përputhje me Strategjinë e Bashkëpunimit për Zhvillimin e Maqedonisë së Veriut në periudhën 2020-2025, përkatësisht:

  • Përforcimi i rritjes ekonomike, duke përmirësur konkurrencën, duke zvogëluar barrierat për zgjerimin e integrimit më të madh në tregjet euroatlantike dhe duke avancuar sigurinë energjetike;
  •  Rritja e kontributit të të rinjve për nxitjen e mundësive ekonomike dhe stimulimi i tyre që të ndërmarrin rolin aktiv në zhvillimin e vendit dhe;
  •  Ulja e korrupsionit dhe nxitja e kulturës së përgjegjësisë.

 

Këtë vit USAID-i feston 30 vjet partneritet me Maqedoninë e Veriut, kurse përkrahja e vazhdueshme përmes kësaj marrëveshje, konfirmon përkushtimin e Qeverisë së SHBA-së për arritjen e qëllimeve të përbashkëta zhvillimore në Maqedoninë e Veriut.

 

 

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window