Кumtesa|

15.09.2022, Shkup – Po përcaktojmë rregulla dhe parime të reja fiskale që do të shfrytëzohen gjatë procedurës së hartimit, miratimit dhe realizimit të Buxhetit të RMV-së. Kuvendi miratoi Ligjin e ri për Buxhetet, që u hartua nga Ministria e Financave dhe me të cilin mundësohet transparencë dhe llogaridhënie më e madhe gjatë gjithë procesit buxhetor.

“Me këtë zgjidhje ligjore, vijojmë me përcaktimin e planifikimit strategjik, duke ofruar kornizë afatmesme të financave publike, përkatësisht planifikim buxhetor në periudhë afatmesme. Zgjidhja ligjore paraqet reformë kyçe, që zbatohet në financat publike dhe është pjesë përbërëse e konceptit të financave SMART, me qëllim të sigurimit të kornizës së politikëbërjes së mirëfilltë, parashikueshme dhe qëndrueshme fiskale, si dhe rritjes së disiplinës buxhetore dhe përgjegjësisë” theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Me Ligjin e ri, rregullat fiskale janë definuar në atë mënyrë që e bëjnë politikën fiskale më të parashikueshme dhe më të përgjegjshme. Njëkohësisht, ato harmonizohen dhe janë konzistente me rregullat e BE-së. Afatet e reja për procesin buxhetor janë përcaktuar, me ç’rast zgjatet korniza kohore për përgatitjen e buxhetit; parashihen dispozita për menaxhim dhe disponim të mjeteve financiare dhe jofinanciare të shtetit dhe komunave, me qëllim të shfrytëzimit dhe disponimit të mjeteve financiare të shtetit; parashihen dispozita të përgjithshme për menaxhim të borxhit publik dhe emetim të garancive, me përcaktimin e procedurave të huamarrjes për nevojat e pushtetit qendror dhe vetëqeverisjes lokale.

Me këtë ligj, rregullohet krijimi i Këshillit fiskal, planifikimi buxhetor në periudhë afatmesme, menaxhimi i mjeteve financiare të shtetit dhe komunave, si dhe përgjegjësia fiskale dhe bazat për vendosjen e Sistemit të integruar informativ për menaxhimin e financave publike. Buxheti do të pasqyrohet në mënyrë më të mirë, përmes rritjes së numrit të informacioneve që do të prezantohen në mënyrë më të strukturuar.

Këshilli fiskal, i cili krijohet për herë të parë, do të sigurojë analiza të pavarura dhe profesionale, si dhe mendime lidhur me supozimet makroekonomike dhe fiskale, strategjitë fiskale, buxhetin, raportet për realizimin e buxhetit, rreziqet fiskale etj. Këshilli fiskal do të jetë një organ i pavarur, i cili do të përfshijë ekspertë nga fusha e financave publike, makroekonomisë ose ekonomisë. Ai do të themelohet nga Kuvendi, ndërsa anëtarët do të propozohen nga ASHAM-i, Enti Shtetëror i Revizionit dhe Banka Popullore.

Ministri Fatmir Besimi, theksoi se Ministria e Financave, në bashkëpunim me ekspertët e institucioneve ndërkombëtare si FMN-ja, BB-ja, BE-ja dhe Qeveria e Mbretësisë së Bashkuar, me Ligjin e ri për Buxhetet ka krijuar koncept bashkëkohor për menaxhim me financat publike.

 

Sot, Filip Nikoloski, zëvendësministri i Financave, e arsyetoi nevojën e miratimit të këtij ligji.

“Mënyra bashkëkohore dhe moderne e menaxhimit të financave publike paraqet nivel të lartë të proceseve të dixhitalizuara, që duhet të implemenetohen përmes sistemit të ri IFMIS. Me këtë sistem, sigurohet zbatim më i mirë i të gjitha proceseve, si dhe monitorim dhe kontroll i tyre” tha Nikoloski.

Gjithashtu, siç potencoi ai, me Ligjin e ri për Buxhetet do të përmirësohet menaxhimi i financave publike, përforcimi i buxhetimit në periudhë afatmesme, si dhe do të sigurohet kontroll më i madh mbi mënyrën se ku dhe si shpenzohen paratë e qytetarëve.

Rregullat dhe parimet, që përcaktohen me zgjidhjen e re ligjore, do të zbatohen edhe gjatë hartimit, miratimit dhe realizimit të buxheteve të njësive të vetëqeverisjes lokale dhe Qytetit të Shkupit.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window