Кumtesa|

13 tetor 2022, Washington – Konfirmimi i FMN-së se RMV-ja mund të shfrytëzojë mjetet nga Programi për përkujdesje dhe likuiditet (PPL), paraqet sinjal të mirë për politikat që Qeveria e RMV-së po ndërmerr në kohë krize. Masat që i miratuam për përkrahjen e qytetarëve dhe ekonomisë në gjysmën e parë të këtij viti, kontribuan që të zbutet inflacioni për 3 pikë përqindjeje, ndërsa përkrahja do të vijojë edhe më tej, por ajo do të jetë e targetuar në mënyrë strikte ndaj kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe kompanive.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi e theksoi këtë gjatë intervistës për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, në Washington, ku po merr pjesë në Takimet vjetore të FMN-së dhe BB-së.

“Në fillim miratuam masa të përgjithshme, që në fillim të pranverës përkatësisht, në muajin mars, me qëllim të mbrojtjes nga goditjet e çmimeve. Ato i referoheshin zvogëlimit dhe heqjes së tatimeve për një pjesë së produkteve, njëkohësisht edhe kufizimit të çmimeve sa i përket marzhit. Këto masa dhanë efektin e tyre në një periudhë afatshkurtër, me ç’rast përmes tyre kishim zbutje të inflacionit në nivel prej 3 pikë përqindjeje gjatë gjysmës së parë të këtij viti, ndërsa masat e tjera ishin në lidhje me energjinë elektrike. Megjithatë, ato edhe në të gjitha raportet e institucioneve ndërkombëtare botërore, paraqesin masa që shfrytëzohen në periudhë afatshkurtër, me qëllim të eliminimit të efektit spekulativ të tregut, gjë që u arrit. Pastaj, ato ngadalë transferohen në masa të targetuara, që nënkupton se barra bartet pjesërisht mbi buxhetin dhe përfshihen më të prekurit, ndërsa pjesa tjetër bartet mbi tregun dhe ne këtë po e bëjmë gjatë gjithë kësaj periudhe” theksoi ministri Besimi.

Ai theksoi se po ballafaqohemi me një krizë, që nga aspekti ekonomik, dallon shumë me atë të periudhës së Kovid-it, prandaj duhet të arrijmë konsolidim fiskal, për dallim nga periudha e Kovid-it, kur kishte ekspansion monetar dhe fiskal.

“Tani ka restrikcion monetar dhe duhet të arrihet konsolidim fiskal, përkatësisht të shpenzojmë më pak dhe në mënyrë të targetuar. Tani jemi në fazën ku përkrahjen që duhet ta ofrojmë, duhet të targetohet në mënyrë strikte, me qëllim që ta shkurtojmë ose zvogëlojmë deficitin. Nuk ka mënyrë tjetër.

E vetmja mënyrë është se secili duhet të jetë i vetëdijshëm për atë që po ndodh në korniza botërore, sa i përket energjensave dhe financave, prandaj nëse ofrojmë përkrahje, ajo duhet të jetë mirëtargetuar” theksoi ministri Besimi.

Ai potencoi se kjo është krizë serioze në përmasa globale dhe se nuk mund të mbulohen goditjet vetëm me mjete financiare nga buxheti.

“Këtë duhet ta kuptojmë të gjithë, edhe qytetarët edhe ekonomia. Me qëllim të tejkalimit të kësaj gjendjeje, së pari janë masat, që do të jenë të targetuara, sepse nuk mund të shpenzohet buxheti me përmasa të papërballueshme. Së dyti, tregjet financiare në nivel botëror, jo vetëm që janë të shtrenjta, por nuk kanë mjaftueshëm mjete financiare dhe kjo paraqet një aspekt tjetër të kufizimit. Së treti, pavarësisht masave të targetuara, ne punojmë mbi përkrahjen e kategorive më të ndjeshme të qytetarëve dhe ekonomisë, përmes zgjidhjeve afatmesme dhe afatgjata, sa i përket rritjes së efikasitetit të energjisë, sigurimit të pavarësisë energjetike, burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe rritjes së ndërgjegjësimit të përgjithshëm mbi kursimin gjatë kësaj periudhe. Njëkohësisht, edhe mbi reformat që nënkuptojnë bazë të qëndrueshme, sa i përket politikave për rritje të qëndrueshme edhe gjatë periudhës së ardhshme, asaj pas krizës” theksoi ministri Besimi.

Sa i përket inflacionit në vend, ministri Besimi, theksoi se ai ndërlidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me atë që po ndodh në tregun evropian. Ministri Besimi, shpjegoi se kjo vjen si rezultat i faktit që ekonomia jonë është më e hapur sesa ajo e vendeve të tjera të rajonit dhe se ajo që po ndodh në tregun evropian, veçanërisht në Gjermani, si rrjedhojë po transferohet edhe te ne.

Në këtë intervistë, ministri i Financave, Fatmir Besimi, theksoi se në vitin 2023 pritet që të stabilizohen çmimet dhe se nuk pret gjendje stagflacioni, edhe pse theksoi se do të ketë ngadalësim të rritjes, por megjithatë do të ketë rritje që pritet që të jetë në nivel prej 3% gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window