Кumtesa|

02 nëntor 2022, Shkup – Qeveria miratoi Buxhetin e parë afatmesëm, i cili u propozua nga Ministria e Financave, në përputhje me Ligjin e Buxheteve të saporekrijuar. Propozim buxheti për vitin 2023 është në drejtim të tejkalimit të sfidave të krizës globale ekonomike dhe energjetike, për të cilat janë ndarë 250 milionë euro. Por me Buxhetin vendoset edhe baza për rritjen e përshpejtuar në periudhë afatmesme. Me të ndahen mjete për rritjen e pensioneve, për përkrahjen e kompanive dhe bujqve, për transferta në njësitë e vetëqeverisjes lokale, por edhe 795 milionë euro për investime kapitale, ose 52.3% më shumë krahasuar me vitin 2022. Ky është buxhet që udhëhiqet nga “rregulli i artë” në ekonomi, përkatësisht investimet kapitale duhet të jenë më të larta se deficiti.

Me Propozim buxhetin për vitin 2023, Qeveria vazhdon të jetë konsekuente për angazhimin e saj për konsolidimin gradual fiskal të Buxhetit, me deficit të projektuar prej 4.6% të PBB-së, ndërsa në periudhë afatmesme ai do të reduktohet nën kriteret e Mastrihtit, përkatësisht deficit prej 3%.

“Ajo që është veçanërisht sinjifikative, është fakti se Buxheti i vitit 2023 bazohet në “rregullin e artë” në ekonomi. Kjo do të thotë të marrësh hua vetëm për të financuar investime, projekte kapitale, projekte që do t’i shtojnë vlerë ekonomisë, do të përshpejtojnë rritjen dhe do të kontribuojnë në përmirësimin e jetesës së qytetarëve tanë. Ky buxhet do të menaxhohet sipas parimit të vlerës së parave (value for money), ku do të bëhet kujdes që paratë e qytetarëve të shfrytëzohen aty ku japin efekte më të mëdha në arritjen e synimeve për një jetë më cilësore”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi, duke sqaruar Propozim buxhetin për vitin 2023.

Ministri theksoi se ky buxhet bazohet në qëllimet strategjike, respektivisht në konsolidimin fiskal, vendosjen e sistemit të treguesve për matjen e performancës së politikave, rritjen e investimeve, avancimin e decentralizimit fiskal, përmirësimin e vazhdueshëm të transparencës fiskale dhe përshpejtimin e rritjes ekonomike në 5% në nivel vjetor.

 “Rritja ekonomike në vitin 2023 projektohet të jetë 2.9%. Inflacioni do të fillojë të ulet vitin e ardhshëm, por me çmime akoma të larta të energjensave dhe ushqimeve në tregjet ndërkombëtare, ai projektohe të jetë në nivelin 7.1%. Në periudhë afatmesme, projeksionet janë të ndryshme. Pritet normalizimi i zhvillimeve globale, stabilizimi i zinxhirëve globalë të furnizimit dhe rritja e aktivitetit ekonomik mes partnerëve tanë kryesorë tregtarë. Politikat dhe masat ekonomike të inkorporuara në Planin për qëndrueshmëri fiskale dhe përkrahje për rritjen ekonomike, Planin për investime publike dhe Planin për rritje të përshpejtuar ekonomike, do të ofrojnë bazë solide për dyfishimin e rritjes ekonomike krahasuar me mesataren e dekadës së fundit. “Rritja mesatare e aktivitetit ekonomik në periudhën 2023-2027 do të arrijë në 4.6%, ndërsa nga viti 2025 rritja do të arrijë në 5%”, theksoi ministri i Financave.

 Në lidhje me projeksionet afatmesme, Besimi përmendi investimet që pritet të kenë rritje mesatare vjetore prej rreth 8%. Në periudhën 2024-2027, rritja e punësimit do të përshpejtohet dhe do të ketë rritje mesatare vjetore prej 3.2%. Kjo do të kontribuojë në uljen e shkallës së papunësisë në 9.4% për vitin 2027. Paga mesatare neto në këtë periudhë pritet të rritet nominalisht me 6.1% në nivel vjetor. Norma e inflacionit do të stabilizohet gradualisht dhe projektohet në 7.1% në vitin 2023 dhe 2.5% në vitin 2024, ndërsa në periudhën afatmesme do të ulet në 2%.

Të hyrat në Propozim buxhetin për vitin 2023 janë planifikuar të jenë në nivel prej 282 miliardë denarëve dhe janë 14.8% më të larta se në vitin 2022, ndërsa shpenzimet janë planifikuar të jenë në nivel prej 324.8 miliardë denarëve ose 12,6% më të larta në raport me vitin 2022, përkatësisht konsolidimi gradual fiskal vijon me deficit buxhetor më të ulët se një vit më parë, në nivel prej 4.6% të PBB-së së planifikuar.

Ministri po ashtu theksoi se janë vënë në dispozicion të buxhetit 75 miliardë denarë ose rreth 10% më shumë në krahasim me këtë vit për pagesën e pensioneve. Këtu merret parasysh metodologjia e re për llogaritjen e pensioneve, sipas së cilës haronizimi i pensioneve kryhet sipas lëvizjes së indeksit të kostos së jetesës në vlerë prej 50% dhe rritjes së pagës mesatare të paguar për të gjithë punonjësit në vlerë prej 50%, me qëllim për të mundësuar një standard të mirë jetese për pensionistët.

Në transfertat e njësive të vetëqeverisjes lokale është planifikuar rritje e përqindjes së të hyrave nga TVSH-ja, të cilat ndahen nëpër komunat nga 4.5% në 5.5%, ndërsa është siguruar rritje shtesë e grantit të përgjithshëm për komunat për 1.2 miliardë denarë me qëllim të rritjes së kapaciteteve fiskale të komunave. Rritja shtesë prej 2 miliardë denarëve ka për qëllim financimin e rritjes së pagave për 15% në arsimin fillor dhe të mesëm në nivel lokal dhe 15% për edukatoret dhe kujdestaret në çerdhe, si dhe për financimin e rritjes së shpenzimeve për transport dhe energji elekrike.

Në lidhje me financimin e buxhetit, përkatësisht deficitit të projektuar dhe shlyerjes së borxhit në shumë prej 52.1 miliardë denarë në bazë të detyrimeve të maturuara, prej të cilave gati gjysma është e fletobligacionit nga viti 2016, i cili do të bëhet nga burime të brendshme dhe të jashtme.

Huamarrja e brendshme do të realizohet nëpërmjet letrave shtetërore me vlerë ose huasë së brendshme, ndërsa jashtë vendit nëpërmjet emetimit të letrave me vlerë të borxhit në tregun ndërkombëtar të kapitalit, tërheqjes së transhesë nga linja për përkujdesje dhe likuiditet nga FMN-ja, si dhe mjetet e favorshme nga institucionet financiare të huaja dhe linjat e kreditit të destinuara për financimin e projekteve të caktuara dhe deficitit buxhetor. Zgjedhja e burimit të financimit do të bazohet në kushtet e favorshme aktuale të tregjeve ndërkombëtare të kapitalit.

Me qëllim të menaxhimit të kujdesshëm të financave publike, Ministria e Financave do të shqyrtojë mundësinë e menaxhimit aktiv të portofolit të borxhit nëpërmjet operacioneve të shlyerjes së parakohshme të borxhit.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window