Кumtesa|

15 nëntor 2022, Shkup – Ministria e Financave, së bashku me Bankën Botërore, janë duke punuar në krijimin e Sistemit të Integruar Informativ për Menaxhimin e Financave IFMIS. Sistemi IFMIS është pjesë e reformës së financave publike, e cila do të dixhitalizojë proceset dhe do të modernizojë sistemin. Për realizimin e këtij projekti, Kuvendi sot miratoi Propozim Ligjin për Huamarrje të Republikës së Maqedonisë së Veriut me hua nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore në kuadër të Marrëveshjes për hua për financimin e projektit për krijimin e institucioneve menaxhuese efektive, transparente dhe të përgjegjshme me financat publike, me procedurë të shkurtuar.

“Përmirësimi i menaxhimit të financave publike dhe përforcimi i planifikimit buxhetor afatmesëm janë një nga prioritetet më të mëdha të Ministrisë së Financave dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sistemi IFMIS do të përmirësojë efikasitetin dhe transparencën në menaxhimin e financave publike, gjë që do të arrihet përmes ndërlidhjes së sistemeve të ndryshëm të fragmentuara dhe të shkëputura në një platformë dixhitale të centralizuar. Kjo do të thotë implementim i teknologjive të avancuara në punë për të cilin synon Qeveria”, tha ministri i Financave, Fatmir Besimi.

Sistemi IFMIS është parakusht për krijimin e mënyrës bashkohore dhe moderne të menaxhimit të financave publike, që përsëri kërkon nivel të lartë të proceseve të dixhitalizuara. Sistemi i Informacionit të Integruar për Menaxhimin e Financave Publike do të përfshijë, ndër të tjera, edhe planifikimin e buxhetit, realizimin e buxhetit (duke përfshirë të gjitha shpenzimet, të hyrat dhe operacionet e llogarisë së vetme të thesarit); menaxhimin e borxhit; lidhjen me sisteme të tjera për shkëmbimin automatik të të dhënave në Qeveri; faqen e internetit për ofrimin e qasjes së sigurt për të gjithë shfrytëzuesit e autorizuar buxhetor dhe subjektet e tjera publike të autorizuara.

Krijimi i sistemit IFMIS është i rregulluar dhe është si rezultat i Ligjit të ri të Buxheteve, që paraqet reformë të rëndësishme në financat publike dhe i cili përcakton rregulla fiskale që bëhen konsistente me ato të BE-së dhe i bëjnë politikat fiskale më të parashikueshme dhe më të përgjegjshme.

Projekti do të realizohet me mjete financiare në vlerë prej 20 milionë eurove nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore dhe grant prej 4.9 milionë eurove. Projekti do të zbatohet në periudhë 4-vjeçare.

Krahas vendosjes së këtij sistemi, ligji parashikon implementimin e Sistemit të ri informativ për menaxhimin e ndihmës shtetërore dhe Sistemin informativ për menaxhimin e të hyrave tatimore të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window