Кumtesa|

17 nëntor 2022, Shkup – Investimi në kapitalin njerëzor në një vend është investim në zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm dhe përfitimin për mbarë shoqërinë. Prandaj, investimi në kapitalin njerëzor është një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, ndërsa Banka Botërore është partnere kryesore në realizimin e këtij prioriteti. Mënyra se si do të krijohet kapitali njerëzor më i fuqishëm dhe më rezistent nëpërmjet projekteve të përbashkëta në tre sektorët kyç për zhvillimin e kapitalit njerëzor – arsimi, shëndetësia dhe mbrojtja sociale, ishte tema e takimit të sotëm në Ministrinë e Financave mes ministrit Fatmir Besimi, ministrit të Arsimit, Jeton Shaqiri, ministrit të Shëndetësisë Bekim Sali, ministres së Punës dhe Politikës Sociale Jovana Trençovska me drejtoreshën rajonale për zhvillim njerëzor për Evropë dhe Azi Qendrore të Bankës Botërore si dhe përfaqësuesin e BB-së në vend, Massimiliano Paolucci.

“Në Programin e punës së Qeverisë për periudhën 2022-2024, inkluzioni social dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor janë veçuar si një nga pesë prioritetet kryesore të vendit. Si pjesë e përkushtimit të madh ndaj axhendës për zhvillimin e kapitalit njerëzor, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, me ndihmë teknike të Bankës Botërore është duke punuar në Strategjinë e zhvillimit të kapitalit njerëzor, e cila e bën vendin të dallohet si e para në rajon e cila me anë të këtij dokumenti strategjik e hapi rrugën drejt përforcimit të kapitalit njerëzor”, u theksua në takim.

Propozim strategjia është miratuar nga Qeveria dhe ka për qëllim sigurimin e kushteve më të mira jetësore për qytetarët, stimulimin e rritjes ekonomike më të shpejtë, më inkluzive dhe më të qëndrueshme, si dhe uljen e nivelit të varfërisë përmes investimeve në tre sektorët kyç: arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.

“Kapitali njerëzor është faktori më sinjifikativ dhe luan rol thelbësor në nxitjen e rritjes dhe zhvillimit të një vendi. Prandaj një nga prioritetet në politikat tona është rritja e investimeve në kapitalin njerëzor, gjegjësisht në tre sektorët – arsim, shëndetësi dhe mbrojtje sociale. Kështu që, mjetet e ndara nga buxheti për këta tre sektorë rriten nga viti në vit edhe atë nga 180.1 miliardë denarë në vitin 2019, arritën në 220.8 miliardë denarë në vitin 2022, ndërsa në vitin vijues kjo vlerë rritet në 235 miliardë denarë, theksoi ministri Besimi.

Ministri Besimi shtoi se këto investime, në këtë moment dhe në periudhë afatshkurtër, nuk pasqyrojnë efektet, por paraqesin investime për të ardhmën, investime për gjeneratat e ardhshme, për rritjen dhe zhvillimin e ardhshëm të shtetit, si dhe pavarësisht gjendjes aktuale dhe përpjekjeve për ballafaqim me pasojat nga kriza energjetike dhe ajo e çmimeve, Qeveria mbetet e përkushtuar në zbatimin e reformave në këto fusha. “Këto reforma, siç theksoi ministri, janë të rëndësishme në aspektin e përshpejtimit të rritjes dhe shfrytëzimit të potencialit të tërësishëm të rritjes.

Siç theksoi Sadah, Banka Botërore konsideron se ekzistojnë shumë përparësi nga investimi në kapitalin njerëzor. “Së pari, në mënyrë të drejtpërdjretë kontribuon në mirëqenien e njerëzve në Maqedoninë e Veriut dhe paraqet bazë për mundësi të barabarta. Së dyti, gjithashtu, na ndihmon që të krijojmë shpërndarje në mënyrë më të barabartë të përfitimeve nga zhvillimi dhe si përfundim, mundëson ndërlidhjen e llojeve të ndryshme të investimeve, duke shfrytëzuar përparësitë e komplementaritetit ndërmjet kapitalit njerëzor dhe fizik” potencoi drejtoresha rajonale e BB-së për kapitalin njerëzor.

Ajo shtoi se këto përparësi, sado që të jenë të mëdha, nuk materializohen në mënyrë automatike. “Prandaj, përkushtimi bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm dhe kam kënaqësinë të shoh që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e ka prioritet kryesor axhendën e kapitalit njërëzor”, deklaroi gjatë takimit.

Në këtë takim, u theksua se cilësia e kapitalit njerëzor në vend gjatë periudhës 2010-2020 është përmirësuar dhe se indeksi i kapitalit njerëzor nga 0.54 shënoi rritje në 0.56, por kjo s’do të thotë se duhet të heqim dorë më tej nga këto reforma. Po ashtu, ministrat resorialë Trençevska, Sali dhe Shaqiri i prezantuan reformat në të cilat punojnë dhe ato të cilat i kanë planifikuar për periudhën e ardhshme lidhur me përmirësimin e kapitalit njerëzor.

Në zbatimin e kësaj reforme, vendi merr përkrahje kyçe nga Banka Botëror, përmes zbatimit të disa projekteve, ndërsa u shpreh edhe përkrahja për bashkëpunim të mëtejshëm në zbatimin e qëllimeve të programeve në këta tre sektorë në drejtim të përkrahjes së zhvillimit të kapitalit njerëzor.

Përmes projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale po zbatohen reforma ambicioze të mbrojtjes sociale. Projekti për përmirësimin e arsimit fillor është fokusuar në përmirësimin e cilësisë së mësimit përmes përmirësimit të mjedisit mësimor dhe në fushën e sistemit shëndetësor me projektin e trajtimit emergjent të Kovid 19, sistemi shëndetësor u përforcua për të përballuar krizën shëndetësore.

Projektet e reja që po përgatiten, janë në sektorin e shëndetësisë të fokusuara në kujdesin primar, si dhe në arsim për përmirësimin e cilësisë së arsimit të mesëm, si dhe financime shtesë të projektit për përmirësimin e shërbimeve sociale.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window