Кumtesa|

23 nëntor 2022, Shkup – Më shumë mjete për harmonizimin e pensioneve dhe pagave me kostot e jetesës, mjete për masat antikrizë për vitin e ardhshëm, por edhe për komponentin e fuqishëm zhvillimor përmes rritjes së investimeve kapitale me mbi 50%. Megjithatë, duke ndjekur rregullin e artë në financa, respektivisht huamarrje vetëm në funksion të investimeve, me Buxhetin e vitit 2023 vazhdohet rruga drejt konsolidimit gradual fiskal, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi në ekspozenë e tij para Komisionit të Financimit dhe Buxhetit në Kuvend.

-Propozim buxheti për vitin 2023 ka katër qëllime bazë: Ballafaqimi me pasojat e krizës energjetike dhe rritjen e inflacionit; vazhdimi i konsolidimit fiskal dhe forcimi i qëndrueshmërisë fiskale; sigurimi i kushteve për rimëkëmbje ekonomike dhe rritje të qëndrueshme ekonomike dhe financimi i pandërprerë i funksioneve themelore të shtetit dhe përkrahja e reformave në gjyqësor dhe integrime euroatlantike (BE dhe NATO). – theksoi ministri i Financave.

Me Propozim buxhetin e vitit 2023, të hyrat e përgjithshme të Buxhetit planifikohen në vlerë prej 282.1 miliardë denarëve dhe janë për 14.8% më të larta karahsuar me vitin 2022, ndërsa shpenzimet planifikohen në vlerë prej 324.8 miliardë denarë ose për 12.6% më të larta në raport me vitin 2022. Deficiti buxhetor planifikohet në nivel prej 4.6% të PBB-së së planifikuar ose 42.7 miliardë denarë.

– Projeksionet e të hyrave të Buxhetit për vitin 2023 bazohen në realizimin e të hyrave gjatë vitit rrjedhës 2022, pritshmëritë për rritje ekonomike dhe përmirësimin e efikasitetit dhe efektivitetit të sistemit për arkëtimin e të hyrave publike. Për realizimin e projeksioneve të të hyrave planifikohen masa dhe aktivitete sa i përket: përmirësimit të rregullativës aktuale tatimore; uljes së evazionit tatimor; vendosjes së teknologjive të avancuara; modernizimit dhe automatizimit të proceseve të punës; përforcimit të kapaciteteve të institucioneve për arkëtimin e të hyrave; rritjes së arkëtimit në mënyrë më efikase të të hyrave tatimore; si dhe përforcimit të koordinimit institucional, theksoi ministri.

Shpenzimet e projektuara të buxhetit për vitin e ardhshëm janë të orientuara drejt sigurimit të konsolidimit fiskal, rimëkëmbjes ekonomike, rritjes së përshpejtuar, vazhdimësisë në zbatimin e politikës së disiplinuar buxhetore, kontrollit të përforcuar të kostove publike; përkrahjes së ekonomisë vendase, sektorit privat dhe qytetarëve, nivelit të rritur dhe të përshpejtuar të realizimit të projekteve infrastruturore, tërheqjes së investimeve të jashtme dhe inovacionit të kompanive vendase, si dhe përkrahjes së proceseve integruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE dhe detyrimeve që janë si rezultat i anëtarësimit në NATO etj.

Deficiti i projektuar për vitin 2023 me vlerë prej 42.7 miliardë denarëve si dhe shlyerja e borxhit në vlerë prej 52.1 miliardë denarëve (nga të cilat për borxhin e jashtëm me vlerë prej 36.5 miliardë denarëve dhe për borxhin e brendshëm me vlerë prej 15.6 miliardë denarëve), do të financohen nëpërmjet huamarrjes së brendshme dhe të jashtme.

-Në periudhë afatmesme, pavarësisht rreziqeve dhe pasigurisë aktuale, politika fiskale do të vazhdojë drejt konsolidimit, ristrukturimit dhe optimizimit të mëtejshëm të të hyrave dhe shpenzimeve publike, duke ulur gradualisht deficitin buxhetor dhe borxhin publik, duke nxitur aktivitetin ekonomik nëpërmjet shpenzimeve kapitale dhe investimeve në infrastrukturë, si dhe përmirësimin e kushteve për udhëheqjen e biznesit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Korniza buxhetore e ripërcaktuar siguron reagim fiskal adekuat dhe në kohë ndaj kontekstit makroekonomik global të përkeqësuar dhe pozicion të qëndrueshëm të financave publike në kushtet e rritjes së pasigurisë. Përkrahja buxhetore për zbutjen e goditjeve të çmimeve dhe subvencionimi i sistemit elektroenergjetik janë në drejtim të ruajtjes së standardit të jetesës së qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive, tha ministri Besimi.

Ministri theksoi se realizimi i shpenzimeve kapitale dhe projekteve infrastrukturore në fushat prioritare, në përputhje me politikat qeveritare, do të gjenerojnë efekte pozitive multplikative në rritjen ekonomike në periudhë afatmesme dhe do të përshpejtojnë konvergjencën reale ekonomike drejt ekonomive evropiane. Ruajtja e stabilitetit makroekonomik dhe qëndrueshmërisë fiskale do të krijojë kushte më të favorshme për t’i dhënë dinamizëm aktivitetit ekonomik

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window