Кumtesa|

16 dhjetor 2022, Shkup – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi ndryshimet në Ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale, me ç’rast nga data 1 janar i vitit 2023 vazhdohet me zbatimin e tatimit të sheshtë prej 10%, resprektivisht hiqet tatimimi progresiv dhe tatimi i interesit mbi kursimet deri në hyrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE.
 
Kjo është pjesë e Konceptit të reformës tatimore, i cili është përgatitur nga Ministria e Financave dhe që duhet të kontribuojë në drejtësi më të madhe dhe shpërndarje më të drejtë të barrës tatimore, me qëllim të rritjes ekonomike të përshpejtuar dhe të qëndrueshme.
 
“Qëllimi i ndryshimeve dhe plotësimeve të propozuara në Ligjin e Tatimit mbi të Ardhurat Personale, të cilat u miratuan sot nga Kuvendi, janë pjesë e përcaktimit tonë për krijimin e sistemit tatimor të drejtë, efikas, transparent dhe modern, në drejtim të arritjes së rritjes ekonomike të përshpejtuar, inkluzive dhe të qëndrueshme”, theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
 
Ministri shtoi se ndryshimet në këtë zgjidhje ligjore u arritën përmes dialogut dhe procesit inkluziv me të gjithë pjesëmarrësit e tanguar, që u zbatua nga Ministria e Financave dhe se e gjithë reforma bazohet në Strategjinë e reformës së sistemit tatimor dhe ka përkrahjen e Institucioneve Financiare Ndërkombëtare.
“Me ligjin ekzistues ishte planifikuar të zbatohej tatimimi progresiv që nga data 1 janar i vitit 2023, i cili paraprakisht ishte shtyrë për një periudhë trevjeçare. Prandaj e hapëm këtë temë dhe në bazë të analizave, së bashku me të gjithë pjesëmarrësit shoqërorë përmes diskutimeve të organizuara arritëm në këtë zgjidhje, respektivisht heqjen e modelit ekzistues. “Në periudhën e ardhshme do të përpilohet një model i ri që do ta arrijë qëllimin e synuar”, theksoi ministri.
 
Me ndryshimet e pranuara zgjerohet baza tatimore, përmes targetimit të lirimeve dhe lehtësimeve tatimore në sistemin ekzistues të tatimit mbi të ardhurat personale, duke siguruar drejtësi më të madhe në sistemin tatimor dhe shpërndarje më të drejtë të barrës tatimore në bazë të tatimit mbi të ardhurat personale midis të ardhurave nga puna dhe të ardhurave nga kapitali, si dhe kryhet edhe riprecizimi i dispozitave ekzistuese.
Ndër të tjera, ndryshimet parashikojnë tatimim mbi fitimet kapitale të realizuara nga shitja e letrave me vlerë dhe pjesëmarrjeve të emetuara nga fond investues, të fituara nga data 1 janar i vitit 2023, ndryshim në konceptin e tatimimit mbi fitimet kapitale të realizuara nga shitja e letrave me vlerë dhe pjesëmarrjet e emetuara nga fondi investues, në lidhje me periudhën e posedimit, normën e tatimimit dhe mënyrën e përllogaritjes dhe pagesës së tatimit; riprecizim dhe rirregullim të bazës për tatimimin e përfitimeve jomonetare të obliguesve tatimorë që realizojnë të ardhura mbi këtë bazë, heqje të lirimit nga tatimimi i premisë së paguar të sigurimit të jetesës; premisë së paguar për sigurimin shëndetësor vullnetar dhe kontributit të paguar në fondin pensional vullnetar për të punësuarit; përcaktim të trajtimit të shpenzimit të panjohur të vlerës së përgjithshme të premisë së paguar të sigurimit të jetesës për ushtruesit e pavarur të veprimtarisë; rirregullim të procedurës së heqjes ose uljes së tatimeve në përputhje me marrëveshjet ndërkombëtare për shmangien e tatimimit të dyfishtë të të ardhurave të realizuara nga personi fizik i huaj etj.
 
Në Kuvend gjatë periudhës së ardhshme duhet të miratohen edhe ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin e TVSH-së dhe Ligjin e Tatimit mbi Fitimin, të cilat janë gjithashtu pjesë e Konceptit të reformës tatimore.

Ky lajm është në dispozicion edhe në: Macedonian English

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close Search Window