6 tetor 2023, Shkup – Produktet ushqimore bazë, të cilat janë pjesë e konsumit të përditshëm të qytetarëve, do të vazhdojnë të tatimohen me normë më të ulët të TVSH-së, përkatësisht nuk ka ndryshim të saj dhe mbetet në 5%, siç parashikon Ligji i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe më detajisht e përcaktuar me Vendimin për përcaktimin e të mirave dhe shërbimeve që janë me normë preferenciale të TVSH-së, të cilin Qeveria e miratoi më 28 shtator dhe që hyn në fuqi sot. Vendimet e miratuara nuk do të ndikojnë në rritjen e çmimit përfundimtar të produkteve ushqimore bazë.
Lista mbetet e gjatë dhe paraqet listën më të gjerë në raport me vendet e rajonit dhe në vendet e BE-së, ndërsa qëllimi i miratimit të vendimit për aplikimin e normës preferenciale prej 5% për produktet e caktuara është me qëllim të mbrojtjes së standardit të qytetarëve, mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve, si dhe tatimimit me normë të drejtë tatimore për produktet që nuk përfaqësojnë ushqimet e konsumit bazë.
Vendimi përmban mbi 1600 produkte, ku me këtë vendim do të vazhdojnë edhe më tutje të tatimohen me normën tatimore më të ulët prej 5%. Këtu bëjnë pjesë: mishi i viçit dhe derrit, produktet e mishit në shëllirë, mishi i tymosur dhe i thatë, peshku – trofta, krapi, peshq të tjerë të ujërave të ëmbla, merluci, qumështi, ajka, kosi, jogurti, kefiri, djathi, pjesa më e madhe kaçkavalleve, gjalpi, vezët, mjalti natyror, plëndësi, perimet dhe frutat, hurmat, fiqtë, agrumet (portokaj, limona, mandarina dhe citronë), miell gruri, miell drithi, gruri, elbi, thekëri,orizi, misëri, sojë, kikirikë, vaj lule dielli, vaj ulliri, vaj misri, margarinë, salsiçe dhe produkte të tjera mishi të konservuara, peshk i konservuar – toni, sardina, sardele, cironka, sheqeri, kakao pluhur, pasta brumërash, buka, biskotat, ajvari, kastravecët dhe kungulleshkat e konservuara, lakra turshi, kërpudha të konservuara, speca të ëmbla, marmelata dhe reçele, keçapi dhe salca të tjetra domatesh, supa, uthulla, kripa, arrat, gështenjat….
Lista në fjalë, mes të tjerave, përfshin edhe farërat, plehrat, veglat dhe mekanikën bujqësore, ndërsa lista plotësohet edhe me produktet menstruale, ndërsa qarkullimi i peleteve për ngrohje mbetet me normën tatimore prej 5%.
Në këtë mënyrë, në listën e produkteve që do të tatimohen me normën preferenciale prej 10% pëfshihen produktet që nuk paraqesin produkte të ushqimit bazë, përkatësisht kanë karakteristikën e produkteve që nuk janë pjesë e konsumit të përditshme dhe që nuk rekomandohen për shëndetin e njeriut.
Në këtë listë, ndër tjerash, janë produktet e ndryshme të salmonit, mishit të dhisë, llojet e veçanta të tonit që janë të rralla dhe që zakonisht nuk konsumohen, bajamet, arrat indiane, arrat braziliane, frutat tropikale, disa lloje të erëzave, vaji i palmës, havjari, llojet e veçanta të kaçkavallit, që nuk janë produkte tradicionale dhe janë me origjinë bimore etj. Po ashtu, ndryshimet e kryera në këtë listë për disa produkte bëhen me qëllim të mbrojtjes së prodhimit vendas dhe mbrojtjes së ekonomisë.
Ndryshimet e bëra janë pjesë e reformës së gjerë tatimore, e cila paraqet harmonizim me legjislacionin evropian, në pajtim me rekomandimet e BE-së dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar që është për drejtësi më të madhe dhe mbrojtje të standardit të qytetarëve. Gjithashtu, lista e propozimeve në kuadër të procesit gjithëpërfshirës që u zhvillua për vendosjen e konceptit të ri tatimor iu dërguar të gjitha palëve të involvuara dhe për periudhë më të gjatë u bë transparente edhe për opinionin publik nëpërmjet faqes së internetit të Ministrisë së Financave.
Zbatimi i këtyre dy vendimeve nuk ndikon në vendimin e miratuar të Qeverisë për çmimet e ngrira të produkteve bazë, sepse këto produkte përfshihen në vendimin e Qeverisë dhe janë pjesë e listës me normë tatimore preferenciale prej 5%, ndërsa te ato nuk ka asnjë ndryshim.
Republika e Maqedonisë së Veriut mbetet me normat më të ulëta të TVSH-së (të rregullta dhe preferenciale) dhe të gjitha produktet ushqimore bazë mbeten të tatimohen me normë preferenciale të TVSH-së, ndërsa pjesa më e madhe e saj, përkatësisht produktet bazë të konsumit, vazhdojnë të tatimohen me normë preferenciale më të ulët, prej 5%.