12 dhjetor 2023, Shkup – Mbi 700 milionë euro janë siguruar për realizimin e projekteve zhvillimore dhe reformave. Nga Banka Botërore 93.8 milionë euro për politikat zhvillimore për qëndrueshmëri dhe rezistencë, 50 milionë euro nga Banka Franceze Zhvillimore për investime të gjelbra dhe sociale. Nga BEI, BERZH-i dhe BE-ja për hekurudhën e Korridorit 8 drejt Bullgarisë, 499 milionë euro dhe 60 milionë euro nga programi IPA, si dhe 7.5 milionë euro nga BERZH-i dhe BE-ja për vendkalimin e përbashkët kufitar hekurudhor në Tabanoc, me Republikën e Serbisë.
Kjo është një pjesë e mjeteve të siguruara për realizimin e projekteve të rëndësishme kapitale dhe reformave, me qëllim të sigurimit të rritjes së qëndrueshme ekonomike dhe për të cilat në Kuvend u miratuan zgjidhjet ligjore. Gjithashtu, me anë të kësaj janë kursyer shpenzime joproduktive, duke siguruar mjete financiare shtesë për projektet kapitale në kuadër të buxhetit.
“Kemi paralajmëruar realizimin e ciklit të rëndësishëm të investimeve në vend dhe zbatimin e reformave, gjë që dë të thotë prosperitet dhe rritje ekonomike. Këto janë hapa konkrete që Qeveria dhe Ministria e Financave i kanë ndërmarrë, sa i përket sigurimit të mjeteve financiare për realizimin e prioritetit të vendosur dhe të cilat u rrumbullaksuan me miratimin e ligjeve në Kuvend” theksoi ministri i Financave, Fatmir Besimi.
Dje, Kuvendi, miratoi: Ligjin e Huamarrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Hua në Bankën Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim – Banka Botërore, sipas Marrëveshjes së Huasë për Politikat Zhvillimore për Qëndrueshmëri dhe Rezistencë; Ligjin e Garancisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për Detyrimet e Marrëveshjes së Huasë, e cila do të lidhet ndërmjet Agjencisë Franceze të Zhvillimit dhe SHA Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut – Shkup, sa i përket Huasë së SHA Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut – Shkup, për Financimin e Investimeve të Gjelbra dhe me Përgjegjësi Shoqërore; Ligjin e Huamarrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Hua në Bankën Evropiane të Investimeve sipas Marrëveshjes Financiare për Korridorin Hekurudhor VIII – Aksi Lindor MQ, Aksi Kriva Pallankë – Kufiri ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë; Ligjin e Huamarrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Hua në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim sipas Marrëveshjes së Huasë për Korridorin Hekurudhor VIII – Faza 3, Aksi nga Kriva Pallanka deri në Kufirin me Republikën e Bullgarisë, si dhe Ligjin e Huamarrjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut me Hua në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim sipas Marrëveshjes së Huasë për Financimin e Projektit për Vendkalimin Kufitar të Përbashkët Hekurudhor – Tabanoc. Për realizimin e projektit për lidhjen hekurudhore drejt Bullgarisë dhe vendkalimin kufitar të përbashkët hekurudhor në Tabanoc është siguruar grant nga BE-ja.
Po ashtu, më shumë mjete për realizimin e projekteve kapitale janë siguruar me vendimin e miratuar dje në Kuvend për rishpërndarjen e mjeteve në Buxhetin e vitit 2023.
Me Vendimi janë siguruar 800 milionë denarë shtesë ndihmë shtetërore për kompanitë dhe zhvillimin infrastrukturor të zonave, nga të cilat 400 milionë denarë për kompanitë vendore, 100 milionë denarë për kompanitë në ZZHTI-të dhe 300 milionë denarë për zhvillimin infrastrukturor të zonave, 200 milionë denarë shtesë subvencione bujqësore, 170 milionë denarë për objekte kapitale në fushën e kulturës, 150 milionë denarë për Stacionin e filtrimit në Shkup, 150 milionë denarë për rikonstruimin e institucioneve qeveritare, 120 milionë denarë për ndërtimin banesave sociale, 80 milionë denarë për ndërtimin e rrugëve lokale.
Me këtë vendim, gjithashtu, janë siguruar edhe 130 milionë denarë shtesë për pagesën e shujtës dhe bursave studentore dhe participimin e konvikteve të nxënësve dhe studentëve, 50 milionë denarë për pagesën e kompensimit social dhe të drejtës për kompensim arsimor, 120 milionë denarë për plotësimin e nevojave prioritare të shfrytëzuesve të caktuar buxhetorë – Agjencia e Rinisë dhe Sportit, Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit, Drejtoria e Ekzekutimit të Sanksioneve, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale etj.
Krahas përkrahjes së zhvillimit, me këtë vendim janë shpërndarë mjete edhe për ballafaqimin me krizën, përkatësisht për masat nga pakoja e 9-të e masave antikrizë në vlerë prej 1.8 miliardë denarëve.
Sipas ministrit të Financave, kruciale është se kjo që bërë, është bërë duke qëndruar e përkushtuar për konsolidimin e mëtejshëm fiskal, përkatësisht duke kursyer nga shpenzimet joproduktive.
“Me Vendim sigurojmë mjete shtesë për nevojat e përcaktuara prioritare, ndërsa deficiti buxhetor mbetet i njëjtë, i pandryshuar në vlerë nominale, gjë që dëshmon përkushtimin për konsolidim gradual fiskal, veçanërisht për faktin se me këtë vendim, vlera e shpenzimeve rrjedhëse është reduktuar, kurse shpenzimet kapitale rriten, krahasuar me vendimin e kaluar të muajit shtator 2023”, tha Besimi.