13 mars 2025, Shkup – Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila ndodhet në Podgoricë për takimin e ministrave për eliminimin e ndikimit të dëmshëm të përdorimit të duhanit, u takua me kolegun e saj malazez, Novica Vukoviq, i cili është edhe nikoqir i këtij takimi.
Gjatë takimit, të dy bashkëbiseduesit diskutuan për shfrytëzimin e mundësive për avancimin e bashkëpunimit ekonomik, si dhe për mundësitë për shkëmbimin reciprok të përvojave në fushën e menaxhimit të financave publike, si dhe për bashkëpunimin në procesin e integrimit evropian dhe mundësinë e përfshirjes në projekte të përbashkëta.
Gjithashtu, në drejtim të mbajtjes së takimit të ministrave, u konstatua se dëmi nga tregtimi i paligjshëm i duhanit është i madh në buxhet dhe se nevojitet bashkëpunim dhe koordinim shumë më i madh për luftimin e kësaj dukurie.
Ministrja theksoi se në kuadër të Drejtorisë Doganore po ndërmerren masa për luftimin e tregtisë së paligjshme të duhanit dhe produkteve të duhanit dhe se gjatë vitit 2024 janë zbuluar dhe parandaluar 50 raste të kontrabandës me cigare. Siç tha ajo, më së shpeshti, kontrabandohen në dalje nga shteti përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit, drejt vendeve të Evropës Perëndimore, ndërsa me hyrjen në vend, cigaret pa pulla akcize të blera nga free-shop-et kontrabandohen nëpërmjet vendkalimeve kufitare Bogorodicë, Dojran dhe Mexhitli
Ministrja në Podgoricë mori pjesë në takimin e ministrave të organizuar nga Ministria e Financave e Malit të Zi në bashkëpunim me Sekretariatin e Konventës Kornizë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë mbi Kontrollin e Duhanit, si dhe me Zyrën Rajonale të OBSH-së për Evropën.