I nderuar Kryetar i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Zoran Zaev,

I nderuar opinion,

Këtë vit u ballafaquam me një nga krizat më të mëdha shoqërore dhe ekonomike në shekullin e fundit. Bota sot numëron statistika të zeza të të infektuarve me Covid-19 dhe njerëz të cilët e humbën betejën me sëmundjen. Statistikat ekonomike nuk janë aspak më të mira.

Pritjet  e FMN-së për ekonominë globale për vitin 2020 janë rënie prej -4.4%

Ajo që është më specifike dhe e bën këtë krizë me përmasa kaq të mëdha është pasiguria. Gjegjësisht, në fund të vitit 2019 u paraqit problem shëndetësor rajonal – i cili në atë kohë askush nuk priti që do të shndërrohet në krizë shëndetësore globale. Kriza shëndetësore filloi shpejt të shpërndahet dhe të metastazohet edhe në ekonomi. Masat restriktive – si karantinet dhe mbyllja e kapaciteteve, e ngulfatën aktivitetin global. Zinxhiret globale të furnizimit janë të prishura. Proeksionet për ekonominë globale për vitin 2020 vitin e kaluar në këtë kohë shënonin 3.4% rritje, ndërsa tani shënojnë -4.4% rënie ose për 7.8% pikë përqind janë më të ulëta. Kjo e dhënë flet mjaftueshëm për impaktin dhe paparashikueshmërinë para së gjithash të kësaj krize.

Një nga Presidentët më të mëdhenj amerikan, Xhon F. Kenedi ka thënë – “Asgjë nuk është më e sigurt dhe më e pandryshueshme nga pasiguria dhe ndryshimi”. Gjithashtu ka thënë – “fjala krizë në kinezisht shënohet me dy simbole – njëri shënon rrezik, ndërsa tjetri mundësi. Kjo krizë mund të jetë bazë e mirë që punët të vendosen në themel të vërtetë, të praktikojnë financa publike të zgjuara të cilat do të gjenerojnë norma më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes.

Për t’iu përgjigjur kësaj sfide, para së gjithash nevojitet plan afatgjatë dhe gjithëpërfshirës i cili do t’i përgjigjet spektrit të gjërë të skenarëve. Duke pasur parasysh këtë, filluam planifikimin e dokumentit më të rëndësishëm i cili i përfshin të gjitha politikat dhe masat të cilat zbatohen – gjegjësisht Buxhetin, në mënyrë të re, më afatgjate dhe më gjithëpërfshirëse.

Kur përgatitej Buxheti për vitin 2021 u bazuam në konceptin e financave SMART. Kemi planifikuar në mënyrë STRATEGJIKE, AFATGJATE dhe ME PËRGJEGJËSI, njëkohësisht planifikojmë që të jetë I QËNDRUESHËM, REFORMUES dhe TRANSPARENT. Planifikojmë në mënyrë të ZGJUAR. U konsultuam me komunitetin e biznesit, ekspertë, profesorë universitarë, Delegacionin e BE-së, Bankën Botërore, FMN-në, bashkësinë ndërkombëtare dhe aktorë të tjerë të interesuar.

Me këtë Buxhet fillojmë një koncept të ri, shkojmë më larg nga viti fiskal prej 12 muajsh dhe e ndryshojmë me kornizë 5 – vjeçare. Kjo kornizë afatmesme e përfshin rritjen, deficitin, borxhin publik, si dhe projektet kapitale – të cilat zakonisht realizohen në më shumë vite buxhetore dhe mosekzistimi i kornizës afatmesme është një nga realizimit më të dobët.

Me këtë Buxhet parashikojmë:

  1. Strategjia për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritje të përshpejtuar ose SmartER Growth
  2. Politika për konsolidim buxhetor prej vitit 2021 deri në vitin 2025 dhe
  3. Plan për investime publike 2021-2025

1. Strategjia për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritje të përshpejtuar ose SmartER Growth

Strategjia për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rritje të përshpejtuar para së gjithash është e orientuar në mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, ekonomisë dhe vendeve të punës, më tutje në përshpejtimin e procesit të rivitalizimit të ekonomisë dhe përforcimin e konkurrencës dhe përshpejtimin e rritjes pas përfundimit të fazës së rivitalizimit.

Edhe se po përballemi me pasiguri të lartë, siç përmenda edhe në një numër të madh të vendeve evropiane fillon një lockdown i ri, i cili do të ndikojë në zinxhirët e furnizimit dhe shkëmbimit tregtar. Pritjet janë se në vitin 2021 dhe 2022 efektet e masave restriktive do të dobësohen. Me këtë pritet periudhë e rritjes globale prej 4.4% dhe prej 4.2% respektivisht në vitin 2021 dhe 2022.

Pritjet për vitin 2021 për ekonominë tonë janë se do të shënojë rritje prej 4.1% në vitin 2021 me ç’rast në vitin 2022 pritet rritje prej 4.6%, në vitin 2023 prej 5.2%, 2024 prej 5.6% dhe 2025 prej 5.9%. Projeksioni për vitet 2025-2030 është rritje mesatare e ekonomisë prej 5.57%.

Me qëllim që të nxitet rivitalizimi i ekonomisë dhe të mbështetet stabiliteti i saj, përmes Strategjisë për rimëkëmbje ekonomike dhe rritje të përshpejtuar, janë parashikuar këto komponente:

  • Rimëkëmbja ekonomike nga Covid-19,
  • Rritje e përshpejtuar, gjithëpërfshirëse dhe e qëndrueshme,
  • Përforcimi i konkurrencës dhe sektorit privat dhe
  • Zhvillim i resurseve njerëzore dhe mundësi të barabarta.

Rimëkëmbja e ekonomisë nga Covid-19  do të realizohet përmes masave për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve dhe mbrojtjes sociale të kategorive më të ndjeshme, si dhe mbështetja e ekonomisë, sektorit privat dhe ruajtjen e vendeve të punës.

Pas rimëkëmbjes ekonomike, janë paraparë masa dhe politka për rritje ekonomike të përshpejtuar, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Ato do të jenë në drejtim të menaxhimit të mirë – gjegjësisht sundimi i së drejtës, zhdukjen e korrupsionit dhe ngritjen e kapacitetit të institucioneve. Gjithashtu, sigurimi i qëndrueshmërisë fiskale, stabilitetit makroekonomik dhe financiar. Sigurimi i zhvillimit rajonal lokal dhe të barabartë, ambientit jetësor të qëndrueshëm dhe të shëndetshëm dhe dixhitalizimin e ekonomisë dhe shërbimeve publike.

Njëkohësisht do të punohet edhe në përforcimin e konkurrencës edhe në sektorin privat, në përforcimin e lidhjeve tregtare dhe integrimi në zinxhiret globale. Më tej do të veprohet edhe në drejtim të përmirësimit të rrethit afarist dhe shkatërrimin e ekonomisë gri, në përmirësimin e qasjes deri te financat dhe adaptimin e teknologjive dhe modernizimin e bujqësisë.

Investimet në kapitalin njerëzor mbeten prioritete kryesore edhe në Strategjinë për rivitalizim dhe rritje të përshpejtuar. Do të punohet në zhvillim të mundësive të barabarta, zhvillim të resurseve njerëzore përmes investimeve në arsim, shkencë dhe shëndetësi, nxitje e aktivitetit më të madh në popullatën e aftë për punë dhe mbrojtjen dhe sigurinë sociale.

Me politikat dhe masat që do të zbatohet në kuadër të Strategjisë për rimëkëmbje dhe rritje të përshpejtuar ose Rritje më të zgjuar- SmartER Growth, do të kontribuohet në realizimin e qëllimit për rritje ekonomike më të shpejtë dhe të qëndrueshme – dy herë më shumë në raport me mesataren në dhjetë vitet e fundit.

2. Politika për konsolidim buxhetor nga viti 2021 deri në vitin 2025

Aspekti i dytë, në raport me politikat buxhetore të cilat i marrim, kanë të bëjnë me konsolidimin e buxhetit. Kriza këtë vit edhe ne na vendosi si ekonomi, por edhe të gjitha vendet në botë, para sfidave të mëdha. Te të gjitha ekonomitë botërore ka zgjerim të deficiteve buxhetore me qëllim të financimit të masave antikrizë, por edhe si rezultat i rënies së të ardhurave buxhetore. Që të ruhet stabilitet është e nevojshme që që nga viti i ardhshëm buxhetor të ndërmerren masa për konsolidim fiskal, që është bërë me Propozim buxhetin për vitin 2021. Gjithashtu është krijuar edhe korniza afatmesme e cila parasheh uljen e deficitit buxhetor në 5 vitet e ardhshme.

Të ardhurat dhe shpenzimet e përgjithshme janë projektuar në nivel real në Propozim buxhetin për vitin 2021, me atë që të ardhurat e buxhetit janë projektuar 212.6 miliardë denarë ose për 8.3% më shumë në raport me ribalancin e dytë të buxhetit për vitin 2020. Shpenzimet për vitin 2021 janë projektuar në nivel prej 247.5 miliardë denarë ose për 2,1% në nivel më të ulët nga shpenzimet e parapara me ribalancin e dytë të buxhetit për viti 2020. Deficiti buxhetor është i projektuar në nivel prej 34.8 miliardë denarë ose 4.9% nga BPV-ja. Kjo është për 3.6% pikë përqind më pak në raport me deficitin buxhetor të projektuar për vitin 2020.

Konsolidimi fiskal, gjegjësisht ulja e diferencës mes shpenzimeve dhe të ardhurave në buxhet është i domosdoshëm që të krijohen themele të shëndosha për ekonomi dhe rritje stabile. Prandaj, parashikuam politika me të cilat në pesë vitet e ardhshme gradualisht do të zvogëlohet i njëjti – gjegjësisht në vitin 2022 ai është i projektuar në – 3.8%, në vitin 2023 në -3.2%, në vitin 2024 në -2.8% dhe në vitin 2025 në -2.1%. Me anë të kësaj, në afat të mesëm do të stabilizohet edhe borxhi publik, gjegjësisht projeksioni është që deri në vitin 2025 i njëjti të ulet në 58.8% nga BPV-ja..

Si do ta arrijmë konsolidimin fiskal? Përmes:

а. Përmirësimit të arkëtimit të të ardhurave buxhetore,

b. Uljen dhe ristrukturimin e shpenzimeve të buxhetit dhe

c. Ndryshime në burimet e financimit të deficitit buxhetor.

а. Përmirësimit i arkëtimit të të ardhurave buxhetore do të zbatohet përmes:

  • Masave për uljen e ekonomisë gri,
  • Masa për parandalimin dhe zhdukjen e korrupsionit,
  • Kontrolle të përforcuara inspektuese nga ana e Drejtorisë së të Ardhurave Publike,
  • Masa për arkëtimin e borxhit tatimor nga ana e individëve dhe shoqatave tregtare,
  • Strategji për politikë tatimore e cila do ta rrisë efikasitetin dhe efektivitetin e sistemit tatimor.

b.  Ulja dhe ristrukturimi  i shpenzimeve të buxhetit do të zbatohet përmes:

  • Shkurtimit të shpenzimeve joprioritare dhe jothelbësore
  • Mbështetje më të madhe për sektorin privat, inovacionet dhe përforcimin e konkurrencës, siç është themelimi i Fondit garantues dhe Fondit për mobilizim të kapitalit privat (p.sh. Ekviti fond)
  • Racionalizimi dhe revidimi i transfereve dhe subvencioneve (sociale, sektoriale dhe pushtetit lokal)
  • Rritja e efikasitetit të realizimit të shpenzimeve kapitale dhe
  • Analizë e strukturës buxhetore të shpenzimeve me qëllim të racionalizimit dhe orientimit të shpenzimeve aty ku janë më të nevojshme dhe janë më të dobishme me interes publik.

b1.

Te shkurtimi i shpenzimeve joprioritare nënkuptohen para së gjithash, shpenzime rrugore dhe ditore, shpenzime për reprezentacion dhe shërbime kontraktuese.

Në periudhën e ardhshme afatmesme do të përqëndrohemi edhe në uljen e shpenzimeve rrjedhëse, ashtu që do të bëhet racionalizim i tyre. Si masa për racionalizim të shpenzimeve në administratën publike do t’i përmend:

  • Kufizimin e shpenzimeve buxhetore të përgjithshme të dedikuara për paga
  • Vendosja e kufizimit për pagë më të lartë në sektorin publik
  • Optimizimi dhe rritja e efikasitetit të administratës publike
  • Optimizimi dhe riorganizimi i sektorit publik
  • Dixhitalizimi i një pjese të mirë të shërbimeve publike
  • Vendosja e kritereve dhe standardeve për shfrytëzimin e hapësirës për zyre nga shfrytëzuesit e buxhetit
  • Kufijtë e vlerës gjatë furnizimit të mobiljeve
  • Kufijtë e vlerës për furnizimin e automjeteve zyrtare, duke përfshirë çmimin maksimal për furnizimin e automjeteve zyrtare, duke përfshirë modelet më të arsyeshme ekonomike të furnizimit të automjeteve (p.sh. lizing operativ)
  • Udhëtime zyrtare me aeroplan në klasë ekonomike

Njëkohësisht, këto mjete do të orientohen në mbështetjen e ekonomisë, përmirësimin e inovacionit dhe konkurrencës, si dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Do të punojmë edhe në përmirësimin e realizimit të shpenzimeve kapitale me masa afatshkurtra dhe afatmesme, përmes:

  • Krijimi i mekanizmi për “ndëshkim dhe shpërblim” të shfrytëzuesve të buxhetit përmes rishpërndarjes së mjeteve buxhetore gjatë vitit buxhetor, në nivel tremujor – nga ata me realizim të dobët tek ata me realizim më të lartë të shpenzimeve kapitale (EFKAP, me targete prej 15%, 40% , 65% dhe 100% të realizimit të shpenzimeve kapitale përkatësisht në tremujorin e parë, të dytë, të tretë dhe të katërt, resprektivisht nëse gjatë vitit ata realizojnë më pak se targeti, do të merren mjetet nga zëri i investimeve dhe do të rialokohen në rezervat e investimeve, me ç’rast tremujori me realizim më të mirë mund të nënkuptojë edhe kthimin e mjeteve ose të njëjtat me Vendimin për rishpërndarjen e mjeteve – në Kuvend – do të ridestinohen në një projekt tjetër ose për shfrytëzues të buxhetit)
  • Miratimi i metodologjisë për vlerësimin e efekteve të projekteve të investimeve në rritjen ekonomike
  • Themelimi i njësisë për monitorimin e investimeve publike në Ministrinë e Financave
  • Komiteti nacioanl për investime me të cilin do të kryesojë Kryetari i Qeverisë dhe do të marrin pjesë ministritë resoriale
  • Metodologjia për vlerësimin e realizimit të investimeve kapitale përmes Smart Key Performance Indicators
  • Përfundimi dhe zbatimi i përshpejtuar i realizimit të projekteve kryesore të infrastrukturës
  • Shkurtim dhe kufizim i ndjeshëm i shpenzimeve kapitale për blerjen e mobiljeve dhe automjeteve

Sa i përket konsolidimit fiskal, ne do të veprojmë edhe përmes ndryshimit të mënyrës së financimit të deficitit buxhetor. Është planifikuar zvogëlimi i huamarrjeve dhe diversifikimi më i madh i burimeve të financimit të deficitit buxhetor, kështu që:

  • Borxhi publik do të menaxhohet dhe riprogramohet në shpenzime më të ulta (me mundësinë e emetimit të fletëobligacionit afatgjatë zhvillimor – fletëobligacion kovid me normë interesi zero)
  • Do të privatizohet një pjesë e kapitalit shtetëror: një pjesë e shoqërive aksionare në pronësi shtetërore dominuese ose të pjesshme, privatizimi i ndërmarrjeve me humbësit më të mëdhenj dhe privatizimi i një pjese të tokës në pronësi shtetërore (tokë bujqësore dhe ndërtimore) dhe
  • Do të mobilizohet kapitali privat në politikat e zhvillimit – do të financohet zbatimi i projekteve të caktuara përmes partneritetit publik-privat, si dhe Fondet për investime strategjike dhe zhvillim të Fondit dhe Fondet për mbështetjen e konkurrencës, përkatësisht Fondi për inovacion dhe zhvillim teknologjik, Banka Zhvillimore e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Agjencia e investimeve.

3. Plani i investimeve publike 2021-2025

Në kuadër të planit afatmesëm të Propozim buxhetit për vitin 2021 është prezantuar Plani i investimeve publike 2021-2025 dhe do të monitorohet dhe koordinohet në nivel më të lartë në Qeveri, përkatësisht do të formohet Komiteti i veçantë nacional për investime, i udhëhequr nga Kryetari i Qeverisë. Ai do të jetë në drejtim të sigurimit të rritjes së qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, ​​në përputhje me përparësitë e Programit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025 dhe do të përqendrohet në koordinimin e zbatimit të projekteve kapitale të infrastrukturës në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, infrastrukturën energjike dhe komunale, si dhe investime kapitale për përmirësimin e kushtet në shëndetësi, arsim dhe sistemin social, bujqësi, mbrojtjen e mjedisit jetësor. Më saktësisht, në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025, janë planifikuar projekte kapitale në vlerë të përgjithshme prej 3.1 miliardë euro, nga të cilat 1.16 miliardë euro do të financoheshin nga mjetet e buxhetit, nga donacionet (përmes fondeve IPA) 112.8 milionë euro, dhe me mjete nga institucionet ndërkombëtare financiare / kreditorët bilateral, investimet kapitale do të financohen në vlerë prej 1.84 miliardë euro.

Të nderuar,

Propozim buxheti për vitin 2021 është buxhet për rivitalizimin e ekonomisë dhe kthim në rrugën e rritjes ekonomike – rritje që duhet të jetë dy herë më e lartë në raport me dekadën e kaluar, ose në mesatare prej 5% të BPV-së. Me anë të këtij buxheti, ne po hedhim bazat për ndërtimin e një sistemi të mirë që do të vërehet në planin afatgjatë, do të ketë kapacitet më të madh për parashikim dhe planifikim të politikave dhe do t’i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme situatave të ndryshme, krijon baza të shëndosha për parashikueshmëri më të madhe. Sistemi i ri i financave – SMART financa është i orientuar drejt planifikimit strategjik dhe vlerësimit të rezultateve. Sisteme të tilla janë proaktive dhe si të tilla japin rezultate.

Në fund, më lejoni që t’ju kujtoj edhe një herë, se ndodhemi në kulmin e krizën më të madhe ekonomike në shekullin e fundit, periudhë me paparashikueshmëri të madhe, me mundësi të madhe që vitin e ardhshëm do të kemi nevojë për ribalanc, por kjo është kohë për vendime të vështira, të rëndësishme për të ardhmen tonë. Vendosëm që ato të ishin vendime në lidhje me ballafaqimin e pandemisë, efektet e saj në ekonomi dhe në të njëjtën kohë të punojmë në reforma dhe të investojmë për rritje më të shpejtë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.

 

Faleminderit

Comments are closed.