19 nëntor 2020, Shkup – Në kuadër të misionit të rregullt të Fondit Monetar Ndërkombëtar të udhëhequr nga Bergiot Bjornson Barkbu u realizua një takim përfundimtar me ministrin e Financave Fatmir Besimi, në të cilin u prezantuan pikëpamjet përfundimtare në lidhje me projeksionet makroekonomike dhe fiskale për periudhën e ardhshme.

Ministri i Financave u shpreh i vendosur se politikat dhe masat e ndërmarra dhe të planifikuara do të përshpejtojnë rritjen ekonomike në periudhën e ardhëshme pesë vjeçare dhe do të rrisin potencialin e rritjes së ekonomisë së brendshme përmes investimeve në infrastrukturë, energjetikë, mjedis jetësor si dhe në drejtim të kapitalit njerëzor dhe dixhitalizimit.

“Politikat që do të mbështesin kërkesën e brendshme, investimet, konkurrencën dhe aktivitetin e eksportit do të vazhdojnë në vitin 2021 me qëllim të rimëkëmbjes më të shpejt të ekonomisë së brendshme dhe krijimit të bazës për rritje të përshpejtuar ekonomike në periudhë afatgjate. Konsolidimi i planifikuar fiskal, ridizajnimi i politikës së buxhetit dhe Strategjia për rimëkëmbjen ekonomike dhe rritjen e përshpejtuar (SmartER Growth)  janë një bazë e fortë për përshpejtimin e rritjes ekonomike në periudhën e ardhshme, arritjen e nivelit të ekonomisë para krizës në gjysmën e dytë të vitit 2022 e më pas të sigurohet dinamikë më e shpejt e rritjes ekonomike. Në përputhje me projeksionet indikative, rritja ekonomike në vitin 2025 pritet të arrijë në 5.9% dhe në periudhën nga viti 2026 deri në vitin 2030, pritet stabilizim i normës mesatare të rritjes ekonomike në 5.75% në vit”, potencoi ministri Besimi.

Pandemia, siç theksoi ministri, solli krizën më të madhe ekonomike që ka ndodhur që nga Depresioni i Madh e këndej, parashikueshmëria është e vështirë, por projeksioni afatmesëm është i nevojshëm dhe vendimtar për përcaktimin e modelit të rritjes më të shpejtë ekonomike bazuar në inovacion, kapitalin njerëzor dhe dixhitalizimin.

Comments are closed.