3 nëntor 2020, Shkup – Sistemi financiar iu përgjigj me sukses goditjes fillestare të krizës së kovidit dhe është i gatshëm të ballafaqohet me sfida të mëtejshme. Rregullatorët financiarë e ndjekin nga afër situatën dhe zhvillimin e krizës së koronës, me gatishmëri për të rregulluar politikat e tyre, duke garantuar për stabilitetin financiar.

Ky është një nga konkluzionet e mbledhjes së djeshme të Komitetit të stabilitetit financiar, në të cilin u prezantuan vlerësimet dhe pikëpamjet për secilin nga segmentet e sistemit financiar. Mbledhja u drejtua nga guvernatorja e Bankës Popullore Anita Angellovska Bezhoska, ndërsa morën pjesë edhe ministri i Financave Fatmir Besimi, kryetarja e Komisionit të letrave me vlerë (KLV), Nora Aliti, Kryetari i Këshillit të ekspertëve të Agjencisë për supervizion të sigurimit të financuar kapital pensional (MAPAS) Maksud Ali dhe kryetari i Këshillit të ekspertëve të Agjencisë për supervizion të sigurimeve (ASS) Krste Shajnoski.

Ministri i Financave, Fatmir Besimi, vuri në dukje se ministria e Financave e ndjek nga afër segmentin e kompanive financiare dhe kompanive për lizing për të cilat është përgjegjëse si rregullator edhe pse pjesëmarrja e tyre prej më pak se 2% në lidhje me aktivën e përgjithshme të sistemit financiar nuk përbën kërcënim për stabilitetin

 Ai theksoi se pavarësisht krizës së koronës, ky segment i sistemit financiar jep rezultate pozitive financiare.

Besimi theksoi se ruajtja e stabilitetit të sektorit financiar gjatë kohës së krizës së koronës është me rëndësi të veçantë, përfshirë edhe sektorin real, sepse financat janë rrjedhë gjaku për ekonominë, përkatësisht bartësi i aktiviteteve ekonomike.

Sipas pritshmërive të ministrisë së Financave dhe në bazë të zhvillimeve të tregut, në periudhën e ardhshme aktiviteti i shoqërive financiare do të përforcohet.

Duke iu referuar zhvillimeve në sistemin bankar, guvernatorja Angellovska Bezhoska theksoi se sipas treguesve më të fundit, në fund të tremujorit të tretë, performanca e sistemit është përmirësuar në raport me fillimin e krizës së kovidit.

“Kapaciteti i sistemit për ballafaqimin me goditjet është rritur, me shtresa të konsiderueshme të mbrojtjes së kapitalit dhe likuiditetit dhe njëkohësisht është e rëndësishme që treguesit e efikasitetit të jenë solid. Gjithashtu, në fund të muajit shtatori, niveli i kredive jofunksionale është në nivelin historikisht më të ulët prej 3.4%”- theksoi Angellovska Bezhoska.

Në këtë mbledhje u theksua se duke pasur parasysh karakteristikat e krizës së koronës që po kalon ekonomia është e rëndësishme që nuk ka ndryshime të konsiderueshme në normën e euroizimit të sistemit bankar – ajo është pothuajse në të njëjtin nivel ashtu si një vit më parë, me pjesëmarrje të depozitave në depozitat e përgjithshme prej rreth 42%, që është tregues i parashikimeve të agjentëve ekonomikë.

Kryetarja e KLV-së, Nora Aliti, duke iu referuar aktiviteteve të ndërmarra në mënyrë të rregullt të KLV-së, theksoi se bazat në të cilat mbështetet tregu i letrave me vlerë, vlerësohen si të shëndetshme, por ambienti i ndryshueshëm dhe i paparashikueshëm kërkon ndjekje të mëtejshme të kujdesshme të trendeve dhe rreziqeve potenciale në konteks të ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë së tregut të kapitalit në periudhën e ardhshme.

 “Në bazë të nëntë muajve, vlera e përgjithshme e qarkullimit në tregun e brendshëm është më e lartë për 24% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Indeksi BMI10, pas fluktuacioneve të theksuara të çmimeve dhe rënies së vlerës në tremujorin e parë, në pjesën tjetër të vitit shënoi lëkundje të lehtë prej 3.52%, përkatësisht rënie më të ulët, në krahasim me indekset kryesore rajonale të bursës” – theksoi Aliti.

Kryetari i Këshillit të ekspertëve të MAPAS Maksud Ali, theksoi se sigurimi i financuar kapital pensional vazhdon të funksionojë në mënyrë të qëndrueshme dhe transparente edhe më tej me rreziqe të identifikuara që analizohen dhe kontrollohen rregullisht edhe në kuadër të rregullores, me vëmendje të veçantë për investimin e mjeteve të fondeve pensionale.

 “Megjithatë, pasiguria në lidhje me tremujorin e katërt të këtij viti është ende në nivel mjaft të lartë. Vala e dytë e virusit mund të shkaktojë fluktuacione të reja në tregjet financiare dhe me këtë të ndikojë në vlerën e mjeteve të fondit pensional. Zhvillimi i teknologjisë, përsëri, kërkon përshtatje të shpejtë të rregullores për nevojat e anëtarëve të fondit pensional, si dhe për supervizion të shoqërive pensionale, për minimizimin e rrezikut nga përhapja e virusit dhe mbrojtja e shëndetit publik, me ç’rast duhet të sigurohet edhe funksionimi i pandërprerë dhe pa pengesë afarist në sigurimin pensional” – tha Ali.

Kryetari i Këshillit të ekspertëve të ASS-së Krste Shajnoski, theksoi se në gjysmëvjetorin e parë të vitit  gjendja financiare e shoqërive të sigurimeve është përmirësuar.

 “Politikat dhe rregullorja konservatore për vlerësimin e rezervave teknike dhe investimet e mjeteve që përfshijnë rezervat teknike, si dhe cilësia e lartë e instrumenteve që kanë të bëjnë me përllogaritjen e kapitalit të shoqërive të sigurimeve janë themel mirë dhe garanci për mbajtjen e aftësisë paguese gjatë funksionimit të shoqërive”- bëri të ditur Shajnoski.

Në këtë mbledhje, ndër të tjera u theksua se në periudhën e kaluar ka pasur raste keqinformimi dhe pretendime mbi institucionet e caktuara financiare, të cilat nuk janë bazuar në fakte. Duke pasur parasysh pasojat e mundshme të situatave të tilla mbi sistemin financiar u theksua nevoja për angazhime të përbashkëta të rregullatorëve financiarë për të parandaluar krijimin e rreziqeve nga dukuria e tillë, që do të ishte investim shtesë në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit financiar. Përveç kësaj u theksua se është e rëndësishme që agjentët ekonomikë të monitorojnë burimet e referencës dhe zyrtare të informacioneve në lidhje me institucionet financiare dhe të gjitha segmentet e sistemit financiar.

Në përfundim të mbledhjes së Komisionit u theksua vendosshmëria e rregullatorëve financiarë për monitorimin e mëtejshëm të koordinuar të situatës në të gjitha segmentet e sistemit financiar.

Comments are closed.