Elezi – Ramadani: Javën e ardhëshme arrijnë edhe 16 milion euro kredi të volitshme nga BEI për ndërmarjet e vogla dhe të mesme

Shkup, 26 korrik – Kësti i dytë i kredisë së favorshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme nga Banka Europiane e Investimeve (BEI), në shumën prej 16 milionë euro, do të arrijë në fillim të javës së ardhshme. Me këto fonde do të mbështeten projektet e 53 ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Kjo u theksua sot në takimin mes zëvendës ministres së financave Shiret Elezzi dhe drejtorit operativ të Bankës për Zhvillim të Maqedonisë Veriore, Veland Ramadani.

Siç njoftoi Ramadani, me dy këstet e para do të arrihet të tërhiqen gjithsej 31 milionë euro për të mbështetur 92 ndërmarrje të vogla dhe të mesme. Banka për Zhvillim po punon gjithashtu për t'u përgatitur për tërheqjen e një kësti të tretë në vlerë prej rreth 9 milion euro për mbështetjen e 20 ndërmarrjeve të reja të vogla dhe të mesme.

Në takim u theksua se kreditë e favorshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme do të thotë qasje në kapital dhe likuiditet të përmirësuar, ndërsa për ekonominë ato nënkuptojnë investime të reja dhe hapje të vendeve të reja të punës.

- Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme janë baza e ekonomisë. Ata janë themelues të numrit më të madh të vendeve të punës në vendin tonë, marrin pjesë në krijimin e më shumë se gjysmës së produktit të brendshëm bruto dhe përfaqësojnë 99% të numrit të përgjithshëm të kompanive që punojnë në ekonominë tonë. Për fat të keq, qasja në kapital, në kredi, për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme është shumë më e vështirë në krahasim me kompanitë e mëdha. Për këtë qëllim, Qeveria, nëpërmjet kredive të favorshme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes Bankës së Zhvillimit, por edhe përmes një sërë masash tjera, ofron mbështetje për këtë sektor. Ne po përpiqemi të zhvillojmë aktivitetin e investimeve, sipërmarrjen, që të krijohen vende të reja pune - tha zëvendës ministrja e Financave, Elezi.

Drejtori Operativ i Bankës për Zhvillim, Ramadani theksoi se përmes linjës së kredisë së BEI-së, Banka për Zhvillim vazhdon të realizojë angazhimin e saj strategjik për të mbështetur ekonominë në vend dhe për të arritur një zhvillim të qëndrueshëm, nëpërmjet mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

- Ne, si Banka Zhvillimore e Maqedonisë së Veriut, besojmë fuqishëm në vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm me BEI, në mënyrë që ndërmarrjet tona të vogla dhe të mesme të sigurojnë burime më të mira financiare, duke kontribuar kështu në forcimin e ekonomisë së përgjithshme, rritjen e punësimit dhe inkurajimin e inovacionit dhe eksporteve. Përveç kësaj linje kreditore, oferta e bankës përfshinë një gamë të gjerë të produkteve financiare, që janë, linjat e kreditit, factoring, garancitë dhe sigurimin e eksportit të përshtatura për nevojat e përdoruesve, - tha Ramadani.

Kushtet në të cilat mund të përdoren fondet nga linja kreditore BEI janë jashtëzakonisht të favorshme, pra një normë interesi prej 3.2% dhe një periudhë shlyerjeje deri në 12 vite për investime dhe projekte prioritare, dhe deri në 3 vjet për kapitalin punues. Aktivitetet e mbështetura me linjën e pestë të kredisë së EIB për të dy këstet janë prodhimi, tregtia, ndërtimi, transporti, shëndetësia dhe arsimi, hotelet dhe restorantet dhe aktivitete të tjera.

Përndryshe, vlera e përgjithshme e linjës së pestë të kredisë nga BEI arrinë në 100 milionë euro dhe kontrata për përdorimin e saj është nënshkruar që në shtatorin e kaluar. Deri më tani janë siguruar katër linja kreditore nëpërmjet Bankës për Zhvillim, kredi të favorshme nga BEI, në vlerë totale prej 350 milionë euro.