Firmat marrin 236.4 milion euro kthim të TVSH-së në shtatë muajt e parë

5 gusht 2019, Shkup – Mbi 14.5 miliard denarë ose 236.4 milion euro janë injektuar në ekonomi në gjysmën e parë të vitit, përmes kthimit të rregullt dhe jo selektiv të TVSH-së për kompanitë. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave, kthimi i TVSH-së ndaj firmave përfshirë dhe muajin korrik ishte më i lartë për rreth 14.5% krahasuar me vitin e kaluar.

Zëvendësministrja e financave Shiret Elezi thotë se me kthimin e rregullt dhe jo selektiv të TVSH-së përmirësohet likuiditeti i firmave. Kjo është e rëndësishme për funksionimin pa pengesa të firmave, por edhe për aktivitetin e tyre investues.

- Në krahasim me vitin e kaluar, rimbursimi i TVSH-së për kompanitë ishte 30 milion euro më shumë se vitin e kaluar. Është një argument tjetër që kemi rritur mbledhjen e të ardhurave nga taksat, se likuiditeti është në nivel të mirë dhe se të gjitha detyrimet realizohen me kohë, - tha zëvendës ministrja e financave, Shiret Elezi.

Tendencat pozitive në ekonomi reflektohen edhe nga mbledhja e mirë e të ardhurave tatimore, përfshirë TVSH-në, e cila është më e lartë për 5.6% në bazë bruto në krahasim me vitin e kaluar.