Prof. dr. Nikollçe Jankullovski
Zëvendësministër në Ministria e financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Zëvendësministër në Ministria e financave të Republikës së Maqedonisë së Veriut
Prof. dr. Nikollçe Jankullovski është doktor i shkencave ekonomike dhe profesor i rregullt në Fakultetin e Shkencave Bioteknike në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” - Manastir, në katedrën e Agroekonomisë.
Është diplomuar në Fakultetin Ekonomik në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” - Manastir në vitin 2006. Në vitin 2009, magjistroi në Institutin Ekonomik në Universitetin “Shën Kirilli dhe Metodi” në Shkup, kurse në vitin 2012, në të njëjtin institut ai fitoi titullin shkencor doktor i shkencave ekonomike, me mbrojtjen e disertacionit të doktoraturës “Financimi i njësive të vetëqeverisjes lokale në kontekstin e zhvillimit të barabartë rajonal në Republikën e Maqedonisë”.
Karrierën e tij profesionale dhe akademike e filloi në vitin 2006 në Fakultetin e Shkencave Bioteknike në Universitetin “Shën Klimenti i Ohrit” - Manastir, në katedrën e Agroekonomisë. Në periudhën nga viti 2006 deri në vitin 2009 ishte asistent i ri, nga viti 2009 deri në vitin 2012 asistent, nga viti 2012 deri në vitin 2017 docent dhe më pas profesor me korespodencë. Që nga dhjetori i vitit 2022 është profesor i rregullt në lëmitë mësimore dhe shkencore të ekonomisë dhe financave.
Është autor dhe bashkautor i rreth 80 punimeve shkencore dhe profesionale të recensuara, të botuara në botime shkencore vendase dhe ndërkombëtare, të prezantuara në konferenca shkencore në vend dhe jashtë vendit.
Punimet e tij shkencore përmbajnë rreth 240 citime. Është edhe autor i librit mësimor të recensuar “Kontabiliteti në agrobiznes”, si dhe i materialeve mësimore të autorizuara në fushën e menaxhimit financiar.
Gjatë karrierës së tij akademike, ka marrë pjesë në realizimin e shumë projekteve evropiane dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe ato në kuadër të programeve të bashkëpunimit ndërkombëtar IPA, TEMPUS dhe Erasmus. Ka realizuar disa mobilitete akademike dhe mësimore në disa vende evropiane përmes programeve CEEPUS, Erasmus dhe COST.
Nga viti 2015 deri në vitin 2019, ai ushtroi funksionin e prodekanit në Shkenca dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar në Fakultetin e Shkencave Bioteknike dhe ka qenë koordinator i erasmusit. Që nga viti 2020, ai ka qenë anëtar i Senatit të Universitetit “Shën Klimenti i Ohrit” - Manastir, kurse nga nëntori 2022 deri në gusht 2024, ai ka ushtruar funksionin e kryetarit të Senatit të Universitetit, për dy mandate radhazi.
Gjithashtu ka përvojë shumëvjeçare në vetëqeverisjen lokale. Në dy mandate, nga viti 2013 deri në vitin 2017 dhe nga viti 2017 deri në vitin 2021, ka qenë anëtar i Këshillit të Komunës së Manastirit, ku mori pjesë në punën e shumë komisioneve në fushat e financave, zhvillimit lokal, rinisë dhe sigurisë.
Më datë 23 korrik 2024, ai u zgjodh zëvendësministër i Financave i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të funksionit të tij, ai u kyç në krijimin dhe zbatimin e politikave në fushën e financave publike, politikës fiskale, buxhetit dhe strategjisë fiskale, menaxhimit të borxhit publik, decentralizimit fiskal, reformave në menaxhimin e financave publike, si dhe bashkëpunimit ndërkombëtar financiar dhe rajonal.
Jankullovski është gjithashtu koordinator nacional i aktiviteteve në kuadër të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), me angazhim në implementimin e Strategjisë së Evropës Juglindore – SEE 2030. Në kuadër të këtij procesi, ai merr pjesë në aktivitete që synojnë avancimin e bashkëpunimit ekonomik rajonal, zhvillimin e qëndrueshëm, tranzicionin e gjelbër dhe dixhital, integrimin evropian të rajonit.
Në punën e tij profesionale, ai ka marrë pjesë edhe në iniciativat dhe aktivitetet me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare në fushat e reformës së financave publike, financimin e qëndrueshëm dhe zhvillimin rajonal.
Ai flet rrjedhshëm gjuhën maqedonase dhe atë angleze.
Shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore
Raporti financiar para zgjedhor