Tatim mbi të ardhurat personale paguhet për të ardhurat totale të realizuara nga personat fizikë nga burime të ndryshme, në vend dhe jashtë shtetit, gjatë një viti kalendarik.
Të ardhurat që i nënshtrohen tatimit përfshijnë këto lloje të të ardhurave:
-
të ardhura personale;
-
të ardhura nga veprimtari e pavarur;
-
të ardhura nga pasuria dhe të drejta pronësore;
-
të ardhura nga të drejta autoriale dhe të drejta të pronësisë industriale;
-
të ardhura nga kapitali;
-
fitime kapitale;
-
fitime nga lojërat e fatit dhe
-
të ardhura të tjera.
Të ardhurat e lartpërmendura i nënshtrohen tatimit, pavarësisht nëse janë realizuar në para, letra me vlerë, natyrë apo në ndonjë formë tjetër.
Tatimpaguesi
Tatimpagues i tatimit mbi të ardhurat personale është çdo person fizik rezident i Republikës së Maqedonisë për të ardhurat e tij globale, pra të ardhurat e realizuara në vend dhe jashtë tij. Tatimpagues është edhe një person jorezident për të ardhurat që i realizon nga burime në Republikën e Maqedonisë.
Si rezident konsiderohet personi fizik që ka banesë të përhershme dhe vendbanim në territorin e Republikës së Maqedonisë, përkatësisht nëse qëndron në Republikën e Maqedonisë pa ndërprerje ose me ndërprerje 183 ditë ose më shumë brenda një periudhe 12-mujore.
Norma Tatimore
Tatimi mbi të ardhurat personale paguhet me normë prej 10%.
Pagesa e Tatimit
Tatimi mbi të ardhurat personale për shumicën e të ardhurave paguhet paraprakisht, respektivisht paguesi i të ardhurës ka detyrim që gjatë pagesës së të ardhurës, në emër të tatimpaguesit ta llogaritë dhe ta paguajë tatimin. Për disa lloje të të ardhurave, tatimi përcaktohet dhe paguhet mbi bazën e vendimit të Drejtorisë së të Ardhurave Publike.
Pas përfundimit të vitit, dhe më së voni deri më 15 mars të vitit pasardhës, tatimpaguesit kanë detyrim të paraqesin në Drejtorinë e të Ardhurave Publike deklaratën tatimore vjetore, në të cilën do të shprehin të gjitha llojet e të ardhurave që kanë realizuar gjatë vitit.
Përjashtimet Tatimore
Tatimi mbi të ardhurat personale nuk paguhet për të ardhurat që burojnë nga:
-
fitimet kapitale të realizuara nga shitja e letrave me vlerë, deri në fund të vitit 2015;
-
interesat nga depozitat me afat dhe depozitat e tjera, deri në ditën e anëtarësimit të Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian;
-
çmimet që ndahen nga Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe organizatat ndërkombëtare dhe çmime për arritje të jetës në shkencë, kulturë dhe sport;
-
bursat dhe kreditë për nxënës dhe studentë;
-
shpërblimet për sportistët për rezultate të arritura në gara zyrtare ndërkombëtare; bursa për sportistët;
-
kompensimi i shpenzimeve për udhëtime zyrtare;
-
kompensimi për paaftësi, paga dhe pensione për persona me aftësi të kufizuara;
-
shpërblimi që jepet gjatë pensionimit dhe kompensimi në formë të largimit nga puna;
-
shtesa për fëmijë; kompensim financiar gjatë papunësisë, i përcaktuar me ligj;
-
kompensim për dëmtime trupore dhe kompensim për dëme sipas sigurimeve të jetës dhe të pasurisë;
-
alimentacionet dhe kompensimet për dëme me vendim gjyqësor dhe kompensimet për dëme si pasojë e aksidenteve në punë;
-
interesat nga obligacionet e emetuara nga Republika e Maqedonisë dhe njësitë e vetëqeverisjes lokale; interesat nga kursimet, llogaritë rrjedhëse dhe depozitat me kërkesë;
-
pagat e të punësuarve te shfrytëzuesit në zonat zhvillimore teknologjike-industriale për një periudhë prej 10 vjetësh sipas kushteve dhe procedurës së përcaktuar me Ligjin për zonat zhvillimore teknologjike-industriale.