Auditimi i brendshëm në subjektet e sektorit publik kryhet nga auditorë të brendshëm, në përputhje me standardet profesionale të pranuara, të cilat bazohen në standardet ndërkombëtare për kryerjen profesionale të auditimit të brendshëm.
Standardet Ndërkombëtare për Kryerjen Profesionale të Auditimit të Brendshëm
Aktivitetet e auditimit të brendshëm zhvillohen në mjedise të ndryshme ligjore dhe kulturore; brenda organizatave me qëllime, madhësi dhe struktura të ndryshme; dhe nga persona brenda ose jashtë organizatës. Këto ndryshime mund të ndikojnë në zbatimin e auditimit të brendshëm në secilin mjedis. Megjithatë, përputhshmëria me Standardet Ndërkombëtare për Kryerjen Profesionale të Auditimit të Brendshëm (standardet) është thelbësore, nëse dëshirojmë të përmbushim përgjegjësitë e auditorëve të brendshëm.
Qëllimi i standardeve është që:
-
Të përcaktojnë parimet themelore që përfaqësojnë mënyrën e duhur të kryerjes së auditimit të brendshëm.
-
Të sigurojnë një kornizë për kryerjen dhe përmirësimin e një gamë të gjerë aktivitetesh për avancimin e auditimit të brendshëm.
-
Të vendosin bazën për matjen e performancës së auditimit të brendshëm.
-
Të nxisin përmirësime në proceset dhe aktivitetet organizative.
Standardet përbëhen nga Standardet Atributive (seria 1000), Standardet e Performancës (seria 2000) dhe Standardet e Zbatimit (nnnn.Hn). Standardet atributive lidhen me karakteristikat e organizatave dhe individëve që kryejnë aktivitetet e auditimit të brendshëm. Standardet e performancës përshkruajnë natyrën e aktiviteteve të auditimit të brendshëm dhe ofrojnë kritere për cilësinë me të cilat mund të matet performanca e këtyre shërbimeve. Standardet atributive dhe standardet e performancës zbatohen në mënyrë të përgjithshme për shërbimet e auditimit të brendshëm. Standardet e zbatimit aplikojnë standardet atributive dhe të performancës në lloje specifike të angazhimeve (p.sh. Auditim për verifikimin e përputhshmërisë, hetim për mashtrim ose projekt për verifikimin e vetëvlerësimit).
Ekziston një grup i Standardeve Atributive dhe Standardeve të Performancës, por mund të ketë disa grupe të Standardeve të Zbatimit: një grup standardesh për secilën nga llojet kryesore të auditimit të brendshëm. Fillimisht, Standardet e Zbatimit u përcaktuan për aktivitetet e sigurimit (të shënuara me “A” pas numrit të Standardit, p.sh. 1130.A1) dhe për aktivitetet konsulente (të shënuara me “K” pas numrit të Standardit, p.sh. nnnn.K1).
Standardet janë pjesë e kornizës për kryerjen profesionale. Kjo kornizë u propozua nga Grupi i Punës për Udhëzime dhe u miratua nga Bordit i Drejtorëve i Institutit të Auditorëve të Brendshëm (IIA – Institute of Internal Auditors) në qershor të vitit 1999. Korniza përfshin Përkufizimin e auditimit të brendshëm, Kodin Etik, Standardet dhe udhëzimet e tjera. Standardet përfshijnë udhëzimet që më parë ishin përfshirë në “Libri i Kuq”, të riformuluara në një format të ri të propozuar nga Grupi i Punës për Udhëzime dhe përditësimet sipas rekomandimeve në raportin e Grupit të Punës, “Vizioni për të Ardhmen”.
Standardet përdorin terma që kanë kuptime specifike dhe janë përfshirë në Fjalorin.
Bordi i Standardeve për Auditimin e Brendshëm është i përkushtuar për konsultime të detajuara gjatë përgatitjes së Standardeve. Para se të lëshohet ndonjë dokument, bordi i standardeve publikon propozime në nivel ndërkombëtar për komente nga publiku. Bordi i Standardeve gjithashtu kërkon ekspertë ose persona të interesuar për konsultime kur është e nevojshme. Zhvillimi i standardeve është një proces që vazhdon në mënyrë të pandërprerë. Bordi i Standardeve me kënaqësi pranon kontribute nga anëtarët e Institutit dhe palët e tjera të interesuara për të identifikuar çështjet që dalin dhe për të cilat janë të nevojshme standarde të reja ose për të rishikuar standardet ekzistuese.
Dërgoni propozimet tuaja në:
The Institute of Internal Auditors
Global Practices Center, Professional Practices
247 Maitland Ave.
Altamonte Springs, Florida 32701 – 4201
SHBA
E-mail: Standards@theiia.org
www.theiia.org