EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Dimitrieska-Koçoska: Buxheti është stbil dhe realizimi po zhvillohet sipas planit, nuk mund të shpenzohet dhe të merren hua jashtë kornizave të përcaktuara buxhetore

Dimitrieska-Koçoska: Buxheti është stbil dhe realizimi po zhvillohet sipas planit, nuk mund të shpenzohet dhe të merren hua jashtë kornizave të përcaktuara buxhetore

Nju Jork, 25 shtator 2026 (MIA) Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska qëndron për vizitë në Nju-Jork, ku mori pjesë në një sesion pune me temë "Nxitja e rritjes në ekonominë e re" në organizim të Forumit Ekonomik Botëror, ku u takua me kolegë të saj, ekspertë, përfaqësues të sektorit privat, realizoi takime me kolegë nga e gjithë bota. Në bisedë me MIA-n, ministrja foli për ruajtjen e rritjes ekonomike në kushtet e krizave globale dhe për vizionin për ekonominë e re, të avancuar në aspektin teknologjik, që duhet ta ndërtojmë.

Zonja ministre, këto ditë qëndroni në Nju-Jork për një numër ngjarjesh, duke përfshirë konferencën e Forumit Ekonomik Botëror. Cilat janë temat kryesore të bisedës në qarqet financiare botërore?

- Po, këto ditë jam në Nju-Jork me ftesë të Forumit Ekonomik Botëror, por paralelisht kam edhe evente të tjera në Nju-Jork. Ajo që mund të them nga takimet, sesionet dhe mbledhjet që kemi pasur deri më tani, mua përshtypjen më të madhe më ka lënë diskutimi në të cilin mora pjesë me titull "Nxitja e rritjes në ekonominë e re". Dhe tani, a nuk është intriguese vetë fjala "ekonomi e re" - nuk ka ekonomi të reja në botë, janë ato ekonomitë që njohim. Është pyetje legjitime pse një titull i tillë. Shprehjen "ekonomi të reja" e lidhim me faktin se në katër vitet e fundit kemi pasur tre kriza energjetike të njëpasnjëshme dhe në njëfarë mënyre vetë pjesëmarrësit kanë thënë se kjo do të bëhet, të mos themi e përditshme, por me sa duket do të përsëritet herë pas here. Të paktën këto janë parashikimet e atyre analistëve dhe ekspertëve që ishin pjesë e këtyre diskutimeve. Ajo që ishte shumë interesante për t'u dëgjuar në vetë sesionin ishte se si prioritet, i cili përmendet për të gjitha ekonomitë në botë, është nevoja për t'u përqendruar në rritjen afatgjatë të ekonomisë, por një rritje që do të bazohet në produktivitet. Nuk është diçka e re që nuk e kemi dëgjuar deri më tani, por me shumë gjasa tani fokusi është më shumë te produktiviteti sepse, në nivel global, është e qartë se produktiviteti nuk është në atë nivel të kënaqshëm që duhet të jetë. Dhe duke marrë parasysh se tani kemi probleme me demografinë, të paktën në pjesën më të madhe të Evropës, kjo do të thotë se në periudhën e ardhshme, produktiviteti do të jetë më shumë në fokus. Kemi më pak njerëz, prandaj duhet të kemi më shumë automatizim, makina e kështu me radhë. Dhe tani ky automatizim, këto makina, nga ana tjetër, kërkojnë gjendje më të qëndrueshme energjetike. Sot u diskutua shumë se sa e rëndësishme është energjia elektrike për prodhimin ose për sektorin e prodhimit. Një fakt interesant që u nda ishte se 73 nga 108 vendet, kur u bë analiza për vitin 2025, treguan se kostot e tyre të energjemsave ishin rritur ndjeshëm dhe si rrjedhojë, natyrisht, çmimet po rriten, që do të thotë se një nga prioritetet që duhet të punojmë si shtet është se si ta stabilizojmë atë pjesë.

Çfarë po bëjmë ne si shtet në këtë plan?

- Mendoj se Maqedonia dhe Qeveria po punojnë shumë në këtë drejtim. Kryeministri është mjaft i përkushtuar ndaj energjetikës. Mendoj se është shumë e rëndësishme që interkonnektori i gazit po punon me një ritëm vërtet të përshpejtuar. Sot, në diskutimet folën për shembullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilat kanë çmim të ulët të energjisë elektrike, por kanë edhe furnizim të shkëlqyer me gaz. Dhe vetëm duke përmendur gazin, është mësa e qartë se sa i rëndësishëm është ai për shtetin dhe sa i rëndësishëm është si një nga parametrat hyrës për prodhimin. Ne si Qeveri jemi shumë të përqendruar në ndërtimin e interkonnektorit të gazit. Gjërat po përshpejtohen me të vërtetë, dhe mendoj se kjo do të ketë njëfarë ndikimi në këtë pjesë të uljes së kostove të prodhimit. Për më tepër, ajo që është jashtëzakonisht e rëndësishme është që shteti të pranojë, le të themi, strategjinë globale të zhvillimit, drejtimin që pret bota. Nëse, për shembull, bota pret që ne të luftojmë ndryshimet klimatike, pritet që edhe Maqedonia ta bëjë këtë, por në të njëjtën kohë, duhet të ketë gjithmonë një segment ku shteti duhet të ketë strategjinë e vet autonome ose të pavarur të zhvillimit. Njëfarë ekuilibri midis asaj që po ndodh në botë dhe asaj që është shumë e rëndësishme për shtetin.

Po flisni për zhvillimin e ekonomisë së re, çfarë do të thotë kjo?

- U kushtua vëmendje e jashtëzakonshme faktit se duhet të ketë diversifikim në ekonomi dhe mendoj se kjo është edhe një nga gjërat për të cilat ne si shtet duhet të punojmë. Nga e kaluara, ende kemi kompani në Maqedoni që punojnë kryesisht në prodhimin e pjesëve për industrinë e automobilave. Këtë duhet ta ndryshojmë ngadalë, jo në drejtimin që tani duhet t'i zvogëlojmë fabrikat ose të themi se nuk janë të rëndësishme për ne, ato janë të rëndësishme për ne. Por, duhet të hapen ngadalë edhe lloje të tjera të aktiviteteve që do të diversifikojnë disi rrezikun dhe njëkohësisht do t'i shtojnë vlerë të shtuar ekonomisë. Dhe më duhet të them, një nga gjërat që u diskutua gjithashtu ishte në pjesën se çfarë fuqie punëtore nevojitet. Ajo që më pëlqen veçanërisht, sepse në njëfarë mënyre ne si Qeveri e kemi thënë këtë për dy vjet dhe Kryeministri e ka thënë, është se ne kemi nevojë për fuqi punëtore shumë të kualifikuar dhe produktive. Nëse në të kaluarën shkonim më shumë drejt punës me intensitet të lartë të punës dhe ishim objektivi i kompanive që kërkonin një vend me paga më të ulëta, kjo tashmë duhet të ndryshojë ngadalë. Dhe kjo është ajo që pritet nga vendet që duan të realizojnë rritje. Megjithatë, kemi një rritje të PBB-së prej 4,3 për qind në tremujorin e dytë. Tashmë 10 tremujorë me radhë kemi pak mbi 3 për qind rritje. Mesatarja është mbi 3 për qind për të gjithë këto 10 tremujorë, gjë që na tregon mëse qartë se duhet të jemi të përqendruar në të pasurit rritje afatgjatë, dhe për këtë arsye këta parametra janë jashtëzakonisht të rëndësishëm për ne.

Ekonomia e re shumë produktive duhet të bazohet në teknologjinë informatike, me ndërtimin e qendrave të të dhënave dhe kapaciteteve energjetike. A e shihni këtu perspektivën tonë?

-Po, patjetër, kështu filloi seanca e punës, në drejtim të asaj se e ardhmja janë qendrat e të dhënave. Komisioneri evropian Xhozef Sikela, i cili ishte i pranishëm në seancë, pati një qasje shumë të mirë dhe foli për faktin se për SHBA-në, për shembull, e ardhmja janë qendrat e të dhënave. Dhe kur flasim për nevojën për energji elektrike, ajo që u duhet SHBA-ve, dhe ajo që i duhet, për shembull, Afrikës, nuk mund të krahasohet. Dhe për këtë arsye, qasja për çdo kontinent, madje edhe për çdo vend, është e ndryshme. Megjithatë, padyshim që e ardhmja është te qendrat e të dhënave dhe mendoj se edhe ne duhet ta drejtojmë të gjithë ekonominë drejt hapjes së këtyre qendrave. Sigurisht, nevojiten edhe kapacitete për prodhimin e energjisë elektrike, por besoj se kryeministri, duke marrë parasysh se kjo është në thelb ajo që ai e di dhe e zotëron më së miri, do ta dijë saktësisht se çfarë i duhet Maqedonisë nga aspekti i prodhimit të energjisë elektrike. Investimet në energjetikë do të plotësojnë mungesën që kemi për qendrat e të dhënave, dhe për mua si ministër i Financave, është jashtëzakonisht e rëndësishme sepse e gjithë kjo do të ketë ndikim pozitiv në Produktin e Brendshëm Bruto, i cili duhet të rritet në të ardhmen.

Përmendët normën e lartë të rritjes që Maqedonia po arrin në krahasim me Bashkimin Evropian, ku rritja është ngadalësuar. Cilat janë sfidat që shihni për ta ruajtur këtë ritëm të rritjes?

-Shumë shpesh kam folur për faktin se ndonjëherë disa kriza në botë mund të përdoren edhe në një drejtim pozitiv. Disa informacione që edhe ne i kemi për t'i përdorur në drejtim pozitiv, ose në pjesën e kompanive që u përkasin korporatave globale ose ndërkombëtare. Tashmë ka interes për rritjen e kapaciteteve prodhuese në Maqedoni, kështu që unë, për shembull, nuk do ta shihja këtë krizë vetëm nga një aspekt negativ. Në të vërtetë, rritja e PBB-së prej 4,3 për qind është shifër serioze, veçanërisht në kushtet e asaj që po ndodh me partnerët tanë më të rëndësishëm tregtarë. Dhe këtë duhet ta përdorim edhe në të ardhmen. Ekonomia gjermane po rritet ngadalë, por është e madhe. Potencialet për ne, si një ekonomi e vogël në krahasim me ekonominë gjermane, janë të mëdha. Dhe nëse mund ta shfrytëzojmë momentin, nëse një fabrikë në një vend tjetër mbyllet, të hapet te ne, ose të zgjerohet kapaciteti, mendoj se kjo duhet të shfrytëzohet. Pavarësisht se rritja e ekonomisë gjermane është diku rreth 1 për qind, dhe e jona është shumë më e lartë, do të them përsëri, edhe nëse është një përqindje e vogël ajo që Gjermania mund të marrë nga prodhimi ynë, ne do të kemi hapësirë për t'u zgjeruar.

Kohët e fundit u konfirmua edhe renditja e qëndrueshëm kreditore - na thoni vlerësimin tuaj për qëndrueshmërinë e financave publike? Opozita ka kritika për qëndrueshmërinë e buxhetit.

- Vazhdimisht gjatë dy viteve të fundit, retorika e njëjtë është përsëritur vazhdimisht – "buxheti është në prag të kolapsit, do të falimentojmë" e kështu me radhë, nuk do të paguhen pensionet - por e shihni vetë se në periudhën e kaluar të gjitha detyrimet janë shlyer me kohë. Ata vazhdimisht përpiqen t'i zhvendosin gjërat dhe t'i paraqesin ato në mënyrën që i përshtatet dikujt. Të gjithë e dinë se si analizohet ekzekutimi i buxhetit, të gjithë e dinë se duhet të presim një muaj që të mund të flasim për atë se sa është deficiti buxhetor. Është normale që të mos mund të shpenzoni më shumë se sa keni planifikuar në buxhet, por në të njëjtën kohë keni edhe një parashikim për deficitin buxhetor, kështu që nuk mund të bëni asgjë më shumë se kaq, duke marrë parasysh se edhe borxhet janë aq të mëdha sa janë, dhe nuk mund të dilni jashtë as atyre borxheve të parashikuara me buxhetin ose rishikimin e buxhetit. Buxheti është i qëndrueshëm. Ajo që konfirmoi agjencia Fiç, për renditjen e qëndrueshme kreditore, tregon qartë se situata është e qëndrueshme, ndërsa edhe norma e rritjes flet vetë. Duhet të theksoj se kur bëhet fjalë për rritjen, ajo nuk vjen vetëm nga investimet që bën Qeveria, me realizim ose zbatim më të madh të shpenzimeve kapitale, por përkundrazi, duhet të jetë e lidhur dhe e mbështetur nga sektori privat. Pa mbështetjen e sektorit privat, vetëm me investime nga Qeveria, nuk do të kishim qenë në gjendje të arrinim një normë rritjeje prej 4,3 për qind. Është e qartë se Qeveria do të vazhdojë të përqendrohet në investimet kapitale - kjo është diçka që kemi bërë që nga dita e parë. Gjithashtu, ai vendim për të mbështetur sektorin privat përmes kredive të favorshme, ose, le të themi, siç duan të komentojnë - me kredinë hungareze. Edhe pse kemi shumë kredi, asnjëra prej tyre nuk quhet "kredia e Bankës Botërore" ose "kredia e FMN-së". Por ky emër, "kredia hungareze", mbeti. E kredia dha rezultate, sepse ajo që po ndodh sot me normën e lartë të rritjes është gjithashtu rezultat i asaj kredie. Kështu që, mund të konkludoj se financat publike janë të qëndrueshme. Do ta përsëris, konfirmimi për këtë është renditja kreditore, dhe ajo që mendoj se e kemi menaxhuar më me sukses në këto dy vite, që është borxhi publik. Në të vërtetë, situata me borxhin që gjetëm ishte alarmante. Borxhi publik ishte mbi 60% e PBB-së. Të dhënat e fundit tregojnë se borxhi është 58.8 për qind. Kemi parashikime që janë pritshmëritë tona, por ajo që është me të vërtetë thelbësore, që mund të them, është se drejtimi i duhur i mjeteve në buxhet, ose paratë publike, drejt investimeve kapitale, jep rezultate - rritje të PBB-së, dhe vetë rritja e PBB-së në një farë mënyre arrin të na ndihmojë në menaxhimin e përqindjes së borxhit publik.

Jeni detyruar si Qeveri të ndërmerrni masa për t'iu përgjigjur krizës energjetike, duke ulur taksat e karburantit - si është reflektuar kjo në buxhet?

-Ashtu është, kjo u pasqyrua në buxhet. Për gjysmën e parë të vitit, sipas parashikimeve të para, shuma e detyrimeve të reduktuara është një miliardë e 600 milionë denarë. Pritshmëritë ishin se situata do të stabilizohej, duke marrë parasysh se si ishte situata në qershor. Megjithatë, për fat të keq, çmimet e naftës dhe derivateve të naftës po rriten përsëri. Kështu që u detyruam të rivendosim masat për akcizat, tani edhe për TVSH-në për naftën, që do të thotë se po reagojmë me qëllim mbrojtjen e standardit jetësor të qytetarëve. Por, nga ana tjetër, e gjithë kjo ka ndikim në buxhet. Realizimi i buxhetit deri më tani tregon se në pjesën e akcizave do të ketë më pak mbledhje në krahasim me atë që është parashikuar. Javën e kaluar patëm takime me drejtoreshën e Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe me drejtorin e Drejtorisë Doganore. Pritshmëritë e tyre ishin se ishte e vërtetë që në pjesën e akcizave sigurisht nuk do të mund të realizonim atë që ishte parashikuar.

A do të thotë kjo edhe një ribalanc të ri ë buxhetit?

-Për momentin, në Ministrinë e Financave po punojnë në mënyrë plotësuese për një kontroll tjetër të shifrave dhe kryerjen e analizave, në bazë të të cilave do të shohim nëse do të bëjmë një ribalancim tjetër, gjë që nuk është e pazakontë. Në vitin 2022 patëm dy ribalance. Askush nuk parashikon me ligjin dhe nuk thotë se sa ribalancime nevojiten gjatë vitit. Na duhen aq sa na kërkon situata. Askush nuk mund ta parashikonte luftën, se do të kishim çmime kaq të larta, të themi çmimet më të larta historike të naftës dhe derivateve të naftës. Dhe tani ka një ndryshim të madh midis së kaluarës dhe sot. Unë jam ministër që, para së gjithash, kërkon t'i menaxhojë gjërat sa më qetë të jetë e mundur. Nuk ka nevojë për zhurmë, për të qarë. A është kjo kriza më e madhe, këtë e thotë bota. Ekspertët botërorë thonë se sa ndikim ka kjo në të gjitha ekonomitë. Ne thjesht punojmë dhe menaxhojmë situatat. Nuk do të ndryshojë asgjë për qytetarët nëse dal të komentoj se është mirë apo keq. Qytetari duhet të dijë dhe të jetë i qetë se situata është nën kontroll. Ne i paguajmë rregullisht pagat, po ashtu edhe pensionet. Shërbimi i detyrimeve është i rregullt, investimet kapitale i shihni me çfarë dinamike realizohen. Shërbimi i detyrimeve kreditore, të cilat janë gjithashtu shumë të rëndësishme, sepse mos e dhëntë Zoti kjo mund të çojë në situata të tjera, është i rregullt. Duhet ta përmendim këtë - se nuk ka pasur absolutisht asnjë vonesë, por përkundrazi, gjithçka është servisuar me kohë. Dhe të mos harrojmë se historikisht, nuk ka pasur asnjë ministër që në katër vjet mandat të ketë katër vjet me radhë të kthejë euroobligacione - një herë 700 milionë euro, pastaj 500, pastaj 700, pastaj 500 milionë. Kjo nuk ka ndodhur kurrë në histori, por ja që ndodhi, fatmirësisht apo fatkeqësisht, pikërisht në mandatin tim katërvjeçar, që të duhet të kthejmë katër herë me radhë euroobligacionin.

Borxhi shtetëror i vendeve më të ngarkuara me borxhe konsiderohet si kriza e re e madhe botërore. Si qëndron Maqedonia në këtë drejtim?

- Ne nuk kemi problem. Për euroobligacionin e fundit të emetuar, të cilin e emetuam në janar 2026, kishim një kërkesë pothuajse 5 herë më të madhe se ajo që kërkonim në atë moment. Kështu që, si shtet, nuk kemi problem nga aspekti i emetimit të euroobligacioneve. Gjithmonë pyetja është se me çfarë norme interesi do të lëshohet. Duhet t'i shohim gjërat realisht. Le të themi, një gjë tjetër që u diskutua sot ishte të investohej më shumë në kapacitetet energjetike, kështu që kishte individë që flisnin për faktin se duan tranzicion energjetik dhe ndërtimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Megjithatë, kostoja e kapitalit është shumë e lartë. Nëse e krahasojmë, për shembull, me periudhën e vitit 2020, kur kishim krizën e koronës, dhe kishte tepricë të ofertës së parave në sistem, që do të thotë se normat e interesit ishin në nivelin më të ulët historik. Kur për 10 vjet kemi pasur pothuajse Euribor që ishte në minus, sot kemi situata shumë më të ndryshme nga atëherë. Kështu që kjo është ndoshta sfida më e madhe në këtë moment, të arrini të menaxhoni, të lëshoni një euroobligacion me normën më të ulët të mundshme të interesit ose marzhin. Unë do të thosha, sepse marzhi është ai që është shumë i rëndësishëm. Këtë e arritëm ne si Ministri e Financave, në janar të vitit 2026, kur u lëshua historikisht një euroobligacion me marzhin më të ulët./CÇ

Финансиска едукација

Edukim financiar

Постави прашање

Bëj një pyetje

Одлуки на финансиска инспекција

Vendimet e Inspektimit Financiar

Анкетен лист

Fletëpyetje

Shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore

Raporti financiar para zgjedhor

Accessibility Menu