29 gusht 2026, Shkup – Institucionet e fuqishme dhe menaxhimi i përgjegjshëm i mjeteve publike janë themeli i besimit të qytetarëve, ndërsa revizioni është një nga mekanizmat kryesorë për sigurimin e kontrollit, llogaridhënies dhe parandalimit të parregullsive. Në këtë drejtim janë edhe dy hapat e rëndësishëm të ndërmarrë gjatë periudhës së kaluar, respektivisht avancimi i bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Entit Shtetëror të Revizionit, si dhe vendosja e provimit nacional dhe certifikimit të revizorëve të brendshëm në sektorin publik, thekson në një postim në Facebook ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.
“Me nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit me Entin Shtetëror të Revizionit, kemi krijuar një bazë të fuqishme institucionale për veprim të përbashkët në mbrojtjen e mjeteve publike, si dhe në parandalimin dhe zbulimin e parregullsive, mashtrimeve dhe veprimeve korruptuese. Ky partneritet nënkupton koordinim më të madh, shkëmbim të njohurive, përvojave dhe të dhënave, avancim të kapaciteteve profesionale dhe zbatim të standardeve evropiane. Qëllimi ynë është i qartë – një sistem i financave publike më i sigurt, më efikas dhe më i përgjegjshëm”, thotë ministrja.
Ajo thekson se një sistem i fuqishëm nuk krijohet vetëm përmes rregullave dhe mekanizmave institucionalë, por edhe përmes investimit të vazhdueshëm në kapacitetet profesionale të personave që e zbatojnë sistemin. Pikërisht në këtë drejtim, për herë të parë në vend, përmes Ministrisë së Financave do të organizohet provimi nacional për marrjen e certifikatës për revizor të brendshëm të autorizuar në sektorin publik dhe do të vendoset certifikimi nacional i revizorëve të brendshëm.
“Me vendosjen e provimit nacional krijojmë kushte për kapacitete profesionale në institucione, për revizion të brendshëm më efikas dhe për fuqizimin e mëtejshëm të mekanizmave për menaxhim ligjor dhe të përgjegjshëm të mjeteve publike. Revizioni i jashtëm dhe ai i brendshëm kanë role të ndryshme, por një qëllim të përbashkët – që mjetet publike të menaxhohen në mënyrë të ligjshme, sipas destinimit, me efikasitet dhe përgjegjësi”, thekson ministrja e Financave në publikimin e saj.
Dimitrieska-Koçoska nënvizon se të dy proceset janë pjesë e aktiviteteve më të gjera për avancimin e sistemit të kontrollit financiar dhe përafrimin e tij me standardet dhe praktikat evropiane. Edhe avancimi i bashkëpunimit institucional me Entin Shtetëror të Revizionit, edhe profesionalizimi i revizionit të brendshëm kontribuojnë në përmbushjen e detyrimeve dhe rekomandimeve në kuadër të Kapitullit 32 – Kontrolli financiar, si dhe në realizimin e proceseve reformuese të parashikuara me Agjendën reformuese.
“Vazhdojmë paralelisht t’i përfrcojmë institucionet, mekanizmat e kontrollit dhe kapitalin njerëzor. Çdo denar nga buxheti dhe çdo euro nga fondet evropiane janë mjete të qytetarëve, ndërsa detyrimi ynë është të sigurojmë që ato të shfrytëzohen me përgjegjësi dhe në interes të tyre”, shkruan ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, në postimin e saj në Facebook