14 nëntor 2025, Shkup – Hartimi i Buxhetit të vitit 2026 paraqet sfidë serioze dhe komplekse, kryesisht për shkak të detyrimit të Qeverisë për konsolidim fiskal, por me të vazhdohet strategjia për shfrytëzim racional dhe të disiplinuar të mjeteve publike, theksoi Ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në ditarin e TV Sitel.
"Ky është proces që logjikisht duhej të ishte realizuar nga qeveria paraprake, veçanërisht në kushte të inflacionit të lartë. Por kjo nuk ndodhi, kështu që e gjithë barra ra mbi ne", tha Ministrja.
Dimitrieska-Koçoska kujtoi se vitin e ardhshëm shteti duhet të shlyej borxh në vlerë prej 2 miliardë eurove, të krijuara me shpenzime jashtëzakonisht të papërgjegjshme dhe siç theksoi ajo, shpenzime armiqësore dhe të pakontrolluara në të kaluarën, por siguroi se qytetarët duhet të jenë të qetë.
"Qytetarët mund të jenë të qetë - nuk bëhet fjalë për borxh të ri. Përkundrazi, qëllimi është stabilizimi dhe konsolidimi i borxhit publik, të cilin besojmë se do ta arrijmë më herët se afatet e parashikuara", tha ministrja në TV Sitel.
Siç theksoi ministrja, të ardhurat janë parashikuar me kujdes dhe në mënyrë reale, ndërsa me rritjen ekonomike ekziston mundësia e tejkalimit të shifrave të planifikuara. Shpenzimet janë planifikuar saktësisht, me argumente të qarta për çdo optimizim.
Ministrja foli edhe për kritikat lidhur me shkurtimet e supozuara të ndihmës sociale, duke vënë në dukje se numri i shfytëzuezve po zvogëlohet si rezultat i menaxhimit të përmirësuar dhe integrimit të disa prej tyre në tregun e punës. Njëkohësisht, personat me aftësi të kufizuara mbeten prioritet kryesor dhe janë të mbuluar plotësisht në Buxhet.
Lidhur me shpenzimet kapitale, Dimitrieska-Koçoska thekson se shifrat flasin për investime reale. Deri më datë 13 nëntor, realizimi arriti në 22.1 miliardë denarë, ndërsa sipas metodologjisë së vjetër arrin në 28 miliardë denarë, që është 47.4% më shumë se viti i kaluar.
"Buxheti i vitit 2026 parashikon 40 miliardë denarë për investime kapitale, gjë që është reale dhe e arritshme, duke marrë parasysh kapacitetet dhe kushtet e sektorit të ndërtimit", tha Dimitrieska-Koçoska.
Ministrja theksoi se Buxheti përfshin të gjitha detyrimet ligjore të shtetit - ndaj pensionistëve, punëtorëve dhe sektorit privat. Pensionet do të harmonizohen në përputhje me detyrimet ligjore, duke përfshirë rritjen e prillit me rreth 1.000 denarë dhe harmonizimi i rregullt në shtator. Paga minimale dhe të gjitha kompensimet gjithashtu përllogariten në përputhje me metodologjinë ligjore.
"Buxheti i vitit 2026 është zhvillimor, real dhe përgjegjës. Qytetarët mund të jenë të sigurt - shteti është financiarisht i qëndrueshëm, të gjitha detyrimet janë të mbuluara, pensionet dhe pagat janë të sigurta ndërsa projektet kapitale me të vërtet po realizohen ", tha ministrja