31 mars 2026, Shkup – Pasiguritë e mjedisit global dhe ndikimi i tyre negativ në ekonominë e Maqedonisë, treguesit aktualë ekonomikë dhe masat e mundshme që do të duhet të ndërmerren nga Qeveria në të ardhmen, të cilat janë në interes të sektorit privat dhe ruajtjes së aktiviteteve ekonomike, ishin temat e takimit të ministres së Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska me kryetarin e Odës Ekonomike Branko Azeski dhe anëtarët e Bordit Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.
“Kjo është kohë e pasigurisë dhe në kushte të tilla të gjithë palët e tanguara duhet të bashkohen dhe të kontribuojnë në tejkalimin e situatës. Në periudhën e kaluar, Qeveria ka ofruar mbështetje serioze duke siguruar mjete për investime me kushte të favorshme, si dhe përmes procedurës transparente dhe të suksesshme për kthimin e tatimit të solidaritetit për kompanitë. Kjo Qeveri vijon të jetë e përkushtuar në mbështetjen e sektorit të biznesit”, nënvizoi ministrja dhe shtoi se duhet të flasim hapur për të gjitha sfidat në mënyrë që të mund të ndihmojmë në këtë drejtim.
Gjatë takimit u vlerësua qasja konstruktive e Qeverisë ndaj sektorit të biznesit, ku gjithashtu u theksua se masat e ndërmarra deri më tani në lidhje me krizën aktuale janë ndërmarrë në kohën e duhur dhe se në periudhën e ardhshme, në varësi të zhvillimit të situatës, duhet të ndërmerren masa të targetuara.
“Bashkëpunimi me Qeverinë është në nivel të lartë. Qëndrimet e shprehura paraqesin probleme të përbashkëta dhe zgjidhjet mund të arrihen vetëm përmes angazhimit të përbashkët. Oda Ekonomike do të japë kontribut maksimal për tejkalimin e gjendjes dhe do të punojë për ta bindur opinionin publik se veprojmë së bashku në interes të përgjithshëm, me qëllim të ruajtjes së ekonomisë dhe tejkalimit të këtyre situatave të paparashikuara”, theksoi Azeski.
Një nga konkluzionet më të rëndësishme të takimit ishte që Oda Ekonomike do t’i dorëzojë Ministrisë së Financave një sërë propozimesh që rezultojnë nga nevojat e sektorit real dhe që do të jenë ekskluzivisht në drejtim të tejkalimit të sfidave nga ngjarjet globale.