EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Dimitrieska-Koçoska në takimet e FMN-së - Vazhdimësi në politikat për stabilitet makroekonomik, konsolidim fiskal dhe përmirësim të performancës së ekonomisë maqedonase

Dimitrieska-Koçoska në takimet e FMN-së - Vazhdimësi në politikat për stabilitet makroekonomik, konsolidim fiskal dhe përmirësim të performancës së ekonomisë maqedonase

17 tetor 2025, Washington – Qeveria vijon të jetë e përkushtuar për ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe përmirësimin e performancës ekonomike me qëllim të arritjes së normave më të larta dhe të qëndrueshme të rritjes ekonomike. Në fokus janë edhe reformat në menaxhimin e financave publike dhe ruajtjen e disiplinës fiskale, me qëllim të konsolidimit të vazhdueshëm fiskal. Kjo u theksua gjatë takimeve të ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të FMN-së, Bo Li, me drejtorin ekzekutiv Jeroen Clicq, zëvendësat e drejtorit ekzekutiv, Marnix van Rij dhe Vladyslav Rashkovan, drejtorin e Departamentit Evropian të FMN-së, Alfred Kammer dhe shefin e Misionit të FMN-së në vendin tonë, Nick Gigineishvili. Në këtë takim mori pjesë edhe guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski.

 

“Trendet pozitive në ekonomi, të cilat filluan në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, vazhdojnë edhe në vitin 2025. Norma e rritjes së PBB-së në katër tremujorët e fundit, nga tremujori i dytë i vitit 2024 deri në tremujorin e dytë të vitit 2025, ishte rreth dhe mbi 3%. Enti Shtetëror i Statistikave publikoi së fundmi të dhëna për rritjen e PBB-së në vitin 2024 prej 3%. Prioriteti ynë vijon të jetë stimulimi i rritjes ekonomike përmes investimeve në infrastrukturë dhe ruajtja e nivelit të konsiderueshëm të shpenzimeve kapitale në strukturën e financave publike”, nënvizoi ministrja e Financave.

 

Ajo theksoi më tej se stabilizimi i ekonomisë mbështetet nga politika fiskale e disiplinuar.

 

“Vijojmë me përkushtimin tonë për ta ruajtur stabilitetin fiskal përmes konsolidimit fiskal dhe përforcimit të disiplinës në menaxhimin e financave publike. Masat për ta zvogëluar ekonominë joformale dhe për ta përmirësuar inkasimin e tatimeve dhe të ardhurave, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal, do të luajnë një rol veçanërisht të rëndësishëm. Procesi i konsolidimit fiskal ka filluar tashmë dhe në periudhë afatmesme parashihet ulja e deficitit nga 3.5% e PBB-së në vitin 2026 deri në 2.8% në vitin 2029”, theksoi ministrja, duke potencuar gjithashtu edhe rëndësinë e vendosjes së e-faturave.

 

Dimitrieska-Koçoska iu referua edhe procesit të përfshirjes së vendit në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro - SEPA, e cila sjell shumë përfitime për qytetarët dhe kompanitë maqedonase përmes realizimit të transaksioneve në euro me vendet e BE-së, në mënyrë më të thjeshtë, më të shpejtë dhe më të lirë.

 

Gjatë takimeve u theksua se buxheti i ri për vitin 2026 është duke u përgatitur, i cili ruan vazhdimësinë e politikave të konsolidimit fiskal dhe stimulimit të rritjes ekonomike.

 

Gjithashtu u theksua se po punohet për zbatimin e reformave të parashikuara nga Ligji i Buxheteve, si dhe për aktivitetet reformuese që lidhen me Planin e rritjes së Komisionit Evropian.

Ministrja Dimitrieska-Koçoska u takua edhe me përfaqësuesit e Departamentit të Çështjeve Fiskale të FMN-së, ku u theksua bashkëpunimi për zhvillimin e kapaciteteve në fusha të ndryshme të menaxhimit të financave publike dhe ofrimi i ekspertizës për zbatimin e reformave kruciale.

 

Takimet e ministres Dimitrieska-Koçoska u realizuan në suaza të Takimeve vjetore të FMN-së dhe Bankës Botërore, të cilat po zhvillohen këtë javë në Washington. Përveç bisedimeve me përfaqësuesit e FMN-së, ministrja u takua edhe me përfaqësuesit e lartë të Bankës Botërore, Departamentit të Thesarit të SHBA-së, si dhe me përfaqësuesit e korporatave financiare ndërkombëtare.

 

Финансиска едукација

Edukim financiar

Постави прашање

Bëj një pyetje

Одлуки на финансиска инспекција

Vendimet e Inspektimit Financiar

Анкетен лист

Fletëpyetje

Shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore

Raporti financiar para zgjedhor

Accessibility Menu