31 mars 2026, Shkup – Sot, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, së bashku me ekipin nga Ministria e Financave, zhvilluan takim përfundimtar me Misionin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të udhëhequr nga shefi i Misionit, Nick Gigineishvili, në kuadër të konsultimeve të rregullta në përputhje me Nenin IV të vitit 2025.
Në këtë takim u përmblodhën konstatimet kryesore të misionit dhe u shqyrtuan zhvillimet makroekonomike, politikat fiskale dhe projeksionet për periudhën e ardhshme, si dhe risqet që lidhen me mjedisin e jashtëm ekonomik.
Njëkohësisht u konstatua se ekonomia e Maqedonisë po realizon rritje të qëndrueshme, me zhvillime pozitive në aktivitetin ekonomik, ulje graduale e inflacionit dhe trende të favorshme në tregun e punës.
Rritja vazhdon të mbështetet në kërkesën e brendshme, eksportin dhe investimet, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së aktivitetit të investimeve, veçanërisht në fushën e infrastrukturës dhe projekteve publike.
Gjithashtu, u theksua përcaktimi i Qeverisë për konsolidimin gradual fiskal, përforcimin e menaxhimit të financave publike, përmirësimin e arkëtimit të të ardhurave dhe rritjen e efikasitetit të shpenzimeve publike.
Në këtë kontekst, u theksua se deficiti buxhetor do të vazhdojë të ulet në harmonizim me strategjinë fiskale afatmesme, me qëllim të sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjate të borxhit publik edhe në kushte të pasigurisë globale.
Përfaqësuesit e FMN-së e përgëzuan disiplinën fiskale dhe konsistencën në zbatimin e politikave ekonomike, duke vlerësuar se ato po lëvizin në kahjen e duhur, ndërsa deficiti buxhetor për vitin 2025 është realizuar sipas nivelit të planifikuar prej 4%, duke inkurajuar vazhdimin e konsolidimit fiskal.
Përveç kësaj u theksua se deficiti buxhetor dhe borxhi publik duhet të ruhen në përputhje me rregullat e përcaktuara fiskale dhe kornizës fiskale edhe përkundër rritjes së pasigurisë në ekonominë globale.
Në rrethana të rritjes së risqeve globale, përfshirë tensionet gjeopolitike dhe presionet mbi çmimet e energjensave, FMN-ja rekomandoi zbatimin e masave të targetuara, me kohëzgjatje të kufizuar dhe të qëndrueshme financiare, për përkrahjen e qytetarëve dhe ekonomisë.
Në të njëjtën kohë, u theksua rëndësia e përcaktimit të saktë të masave, me qëllim të ruajtjes së stabilitetit makroekonomik, përforcimit të arkëtimit të të ardhurave dhe uljes së ekonomisë joformale.
Gjatë takimit u vlerësua se vazhdimësia në zbatimin e politikave ekonomike të kujdesshme dhe të përgjegjshme, si dhe reformat e mëtejshme strukturore, janë thelbësore për përforcimin e rezistencës së ekonomisë, ruajtjen e besimit dhe sigurimin e zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.