6 gusht 2026, Shkup – Qeveria, me përkrahjen e Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim përmes konstruimit të ri financiar mundëson realizimin e projektit për lidhjen hekurudhore me Republikën e Bullgarisë. Sot, ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska, zëvendëskryeministri dhe njëherazi ministër i Transporteve dhe Lidhjeve Aleksandër Nikollovski, drejtori i NP HM Infrastruktura Sinisha Ivanovski, drejtori i BERZH-it Fatih Turkmenogllu dhe udhëheqësi i Zyrës së BEI-t në Shkup Bjorn Gabriel nënshkruan amendamentet e marrëveshjes për financimin dhe amendamentin e marrëveshjes së grantit, si dhe marrëveshjen e projektit.
“Me nënshkrimin e sotëm të këtyre amendamenteve të marrëveshjeve për financimin dhe marrëveshjen e grantit siguruam konstruimin financiar që do të mundësojë realizimin e plotë të projektit, pjesën e tretë të linjës hekurudhore të Korridorit 8, Kriva Pallankë – Republika e Bullgarisë, e cila jo vetëm që do të sigurojë lidhje më të mirë mes Detit Adriatik dhe Detit të Zi, por dhe do të sjellë integrim më të madh ekonomik, lëvizje më të lehtë të njerëzve dhe mallrave, si dhe mundësi të reja për zhvillimin e ekonomisë maqedonase dhe të gjithë rajonit”, tha ministrja gjatë nënshkrimit të marrëveshjeve, në të cilën merrte pjesë edhe Kryeministri Hristjan Mickoski.
Ministrja potencoi se në këtë mënyrë krijojmë kushte për vazhdimin pa ndërprerje të realizimit të një nga projekteve infrastrukturore më të rëndësishme në vend.
“Mjetet për implementimin e pjesës së tretë janë siguruar me mbështetjen e partnerëve tanë afatgjatë, Bankës Evropiane të Investimeve dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Këto institucione prej vitesh janë ndër mbështetësit më të rëndësishëm të projekteve zhvillimore në vendin tonë, duke investuar në infrastrukturën e transportit, sektorin e energjetikës, furnizimin me ujë, si dhe në mbështetjen e sektorit privat”, tha ministrja.
Ajo shtoi se Qeveria ka synim të qartë për realizimin e projekteve strategjike infrastrukturore dhe rikujtoi se gjatë dy viteve të fundit është punuar intensivisht për përshpejtimin e dinamikës së zbatimit të projekteve të trashëguara që kishin ngecur, si dhe për nisjen e investimeve të reja që kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetesës, zhvillimin e ekonomisë dhe avancimin e procesit të eurointegrimit.
Duke theksuar se me ribalancin e miratuar të Buxhetit janë siguruar 14.3% më shumë mjete për shpenzimet kapitale, ajo deklaroi se këto janë investime që rrisin konkurrueshmërinë e ekonomisë së Maqedonisë, përmirësojnë ndërlidhjen rajonale, në krijimin e mundësive të reja për bizneset dhe në përmirësimin e standardit të jetesës së qytetarëve.
“Mbetemi të përkushtuar për realizimin e këtyre objektivave, duke u kujdesur njëkohësisht për ruajtjen e stabilitetit të financave publike. Pikërisht kjo qasje, e bazuar në menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike, sigurimin e mjeteve për investime kapitale dhe partneritetin e fuqishëm me institucionet financiare ndërkombëtare, krijon bazën për rritje të qëndrueshme ekonomike, konkurrueshmëri më të lartë dhe integrim më të shpejtë të vendit tonë në rrjedhat evropiane të transportit dhe ekonomisë”, porositi ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska.