EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Dimitrieska-Koçoska: Mbështetja për kompanitë vendore përmes huasë hungareze është investim në rritjen ekonomike

Dimitrieska-Koçoska: Mbështetja për kompanitë vendore përmes huasë hungareze është investim në rritjen ekonomike

15 gusht 2026, Shkup - Mjetet me kushte të favorshme që u siguruan nga Banka Hungareze Eksport-Import, nuk i shohim si shpenzime të buxhetit, por si investime, sepse mbështetja për kompanitë vendore është investim në rritjen ekonomike, deklaroi Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në një postim të saj në Facebook.

“Para dy vjetësh, identifikuam nevojën për zhvillimin e kompanive që kanë ide dhe potencial investimi, por për realizimin e tyre ato kishin nevojë për financim më të qasshëm dhe të favorshëm. Prandaj, së bashku me sektorin e biznesit dhe bankat, krijuam dhe definuam model me të cilin u vunë në dispozicion 250 milionë euro për investime zhvillimore në sektorin privat vendor, me kushtet më të favorshme dhe me qasje të lehtë për të arritur deri te shfrytëzuesit fundorë”, thuhet në postim.

Ajo shtoi se transheja e parë për kompanitë vendore u pagua në muajin mars të vitit të kaluar dhe se deri më sot, në ekonominë e Maqedonisë janë injektuar gjithsej 239 milionë euro, vlerë që ka stimuluar cikël të konsiderueshëm investimesh në sektorin privat dhe ka kontribuar në prodhim më të madh, punësime të reja dhe konkurrueshmëri më të madhe të kompanive vendore.

“Qëllimi i Qeverisë ishte të identifikojë nevojat e kompanive vendore dhe të krijojë kushte që këto nevoja të shndërrohen në investime reale. Interesimi dëshmoi se masa i përgjigjet nevojave reale të biznesit. E filluam këtë projekt me një qëllim të qartë – përmes përkrahjes së investimeve private të nxisim cikëlin e ri dhe të fuqishëm të investimeve në ekonominë vendore. Efekti është edhe më i madh, pasi mjetet e siguruara nga Qeveria plotësohen me mjetet vetanake të kompanive”, theksoi ministrja e Financave.

Sipas ministres, çështja më e rëndësishme tani nuk është vetëm se sa mjete janë plasuar, por se çfarë ndikimi ka aktiviteti ekonomik si rezultat i qasjes së tillë ndaj kapitalit dhe investimeve të rritura.

Ajo, shtoi se indikatorët janë inkurajues.

Kreditimi korporativ gjatë periudhës së realizimit të kësaj mase shënoi  rritje mesatare vjetore prej 15%, përkatësisht nga marsi i vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti, rritja ka lëvizur ndërmjet 13.5% dhe 16.5%, që tregon për aktivite të shtuar kreditues dhe qasje më të mirë të kompanive në mjetet financiare.Rritja e PBB-së në tremujorin e parë të vitit 2026 ishte 3.1%, pas rritjes prej 3.5% në tremujorin e katërt të vitit 2025, 3.8% në tremujorin e tretë dhe 3.8% në tremujorin e dytë. Një nga kontributet e rëndësishme për rritjen janë investimet private dhe publike.

Sinjale pozitive dhe inkurajuese, identifikohen gjithashtu në eksport, prodhim industrial dhe punësime.

 “Të gjitha të dhënat tregojnë se aktivitetet ekonomike lëvizin në drejtim të duhur dhe janë konfirmim i efekteve pozitive të politikave që po zbatojmë. Kjo është arsyeja pse ne e shohim mbështetjen për biznesin vendor si investim në rritjen ekonomike. Këto të dhëna janë të rëndësishme sepse tregojnë se politikat ekonomike duhet të maten përmes rezultateve konkrete dhe ndryshimeve në ekonominë reale. Qëllimi i Qeverisë është i qartë: më shumë investime, rritje e prodhimit, kompani vendore më të fuqishme, vende të reja pune, ekonomi vendore konkurruese dhe rritje ekonomike e qëndrueshme”, thuhet në postimin e ministres Dimitrieska-Koçoska.

 Ajo theksoi se Qeveria do të vazhdojë të krijojë dhe zbatojë masa me përkushtim që do t'u mundësojnë kompanive të rriten, të investojnë dhe të krijojnë vlera të reja për të gjithë ekonominë.

 

Финансиска едукација

Edukim financiar

Постави прашање

Bëj një pyetje

Одлуки на финансиска инспекција

Vendimet e Inspektimit Financiar

Анкетен лист

Fletëpyetje

Shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore

Raporti financiar para zgjedhor

Accessibility Menu