24 nëntor 2025, Shkup - Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, informoi se norma preferenciale prej 5% e TVSH-së për qarkullimin e parë të banesave të ndërtuara rishtazi do të vazhdojë të zbatohet edhe pas 1 janarit, në përputhje me ndryshimet e propozuara që tashmë janë në procedurë qeveritare.
"Para një muaji, shprehëm qëndrimin tonë, por ishte e nevojshme të kryhen analiza shtesë dhe hulumtime tregu, jo vetëm në Maqedoni, por edhe duke u krahasuar me vendet e tjera. Bazuar në ato rezultate, propozuam që norma prej 5% të mbetet edhe më tej. Gjithashtu jemi në proces të ndryshimit dhe plotësimit të gjithë Ligjit të TVSH-së, me ç’rast do të propozojmë modalitete të caktuara që do të zbatohen në të ardhmen", tha ministrja në intervistën për emisionin "Argument Plus" në Televizionin 24.
Ajo theksoi se për momentin nuk ka kushte për aplikimin e normës më të lartë, veçanërisht duke pasur parasysh se disa qytetarë tashmë kanë paguar mjete avans te objektet që janë në ndërtim.
“Që asnjë qytetar të mos dëmtohet, nevojitet procedurë e plotë dhe e përcaktuar qartë. Për momentin, nuk ka mundësi për një gjë të tillë, dhe për këtë arsye kemi propozuar që neni ku thotë se norma preferenciale prej 5% do të mbetet në fuqi duhet të vazhdojë të zbatohet”, shpjegoi Dimitrieska-Koçoska.
Ministrja shtoi se edhe në vendet me norma më të larta të përgjithshme të TVSH-së, trajtimi tatimor i banesave është më i ulët, me ç’rast, ajo deklaroi se për shembull në Slloveni, norma preferenciale e TVSH-së për banesa është 9.5%.
Paralelisht, siç njoftoi Dimitrieska-Koçoska, Ministria e Financave po punon për ndryshime gjithëpërfshirëse ligjore të rregullativës tatimore, por se nuk do të ketë ndryshim në normat e tatimeve.
“Po i hapim ligjet një nga një. Së pari, tatimi mbi fitimin dhe tatimi personal, dhe pastaj do të përfshihen segmentet e tjera. Direktivat do të jenë prioriteti ynë mbi bazën e të cilave do të harmonizojmë ndryshimet ligjore. Në këtë moment, nuk do të ketë ndryshim në normat e tatimeve” theksoi ministrja