4 korrik 2026, Shkup - Nëse mjetet nga buxheti janë destinuar në mënyrë të duhur ose jo, më së miri e tregojnë të dhënat mbi rritjen e PBB-së dhe deficitin buxhetor, tha ministrja e Financave Gordana Dimitrieska-Koçoska në debatin e sotëm mbi Propozimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të buxhetit për vitin 2026, në kuadër të Komisionit parlamentar për Financim dhe Buxhet.
“Gjendja e borxhit publik në vitin 2019 ishte 49%, në vitin 2020, deficiti buxhetor ishte 8% dhe në të njëjtën kohë borxhi publik nga 49% e PBB-së po rritet në 59.7%, respektivisht PBB-ja ishte nga 49% në 59.7% Në atë vit vazhdimisht është përsëritur se vendi u përball me krizën e shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, por njëkohësisht Enti Shtetëror i Revizionit publikoi të dhëna për vlerën e mjeteve të ndara për mbështetjen e ekonomisë, si dhe për mjetet e tjera të alokuara, duke konstatuar se ato nuk dhanë efektet e pritura në ekonomi. Më tej, në vitin 2020 shënuam rënie të PBB-së prej 4.7%. Në vitin vijues 2021, PBB-ja u rrit prej 4.5%, pas rënies prej 4.7% në vitin 2020. Ndërkohë që ekonomitë e tjera shënuan rritje më të madhe se humbja e pësuar në vitin 2020, ne në vitin 2021 nuk arritëm ta kompensonim atë humbje në vitin 2020. Në të njëjtën kohë, deficiti buxhetor ishte 5.3%, ndërsa po në atë vit borxhi publik arriti në 60.3%. Mund të vazhdoj edhe më tej, për shembull, në vitin 2022 deficiti ishte në minus prej 4.4%, ndërsa rritja ekonomike në plus prej 2.8%, dhe kështu nëse vazhdojmë me analizën, të dhënat statistikore tregojnë qartë se në periudhën 2017–2024, duke pasur parasysh se vitet 2018 dhe 2019 ishin vite pa asnjë krizë, ndërsa nga viti 2020 u përballëm me krizë, ku rritja mesatare e PBB-së ishte 1.8%, krahasuar me rritjen aktuale prej mbi 3%. Kjo tregon qartë nëse mjetet janë destinuar siç duhet ose jo”, theksoi ministrja.
Debati i përgjithshëm mbi ribalancin e buxhetit të propozuar për vitin 2026 filloi dje në kuadër të Komisionit të Financave dhe Buxhetit dhe mund të zgjasë deri në 10 ditë.
Ribalanci i buxhetit, siç theksoi ministrja në ekspozenë e saj dje, paraqet përgjigje ndaj rrethanave të ndryshuara ekonomike, instrument përmes të cilit Qeveria i harmonizon financat publike me nevojat reale të ekonomisë, institucioneve, bizneseve dhe qytetarëve. Dhe sidomos në kushtet kur ekonomia globale po përballet me pasiguri në rritje, është detyra jonë të reagojmë në kohën e duhur, t’i identifikojmë risqet, por në të njëjtën kohë të shfrytëzojmë mundësitë që po hapen.