EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Dimitrieska-Koçoska: Me qasje sistematike dhe të vendosur në luftën kundër ekonomisë gri, shteti duhet të krijojë drejtësi dhe rregulla të barabarta për të gjithë

Dimitrieska-Koçoska: Me qasje sistematike dhe të vendosur në luftën kundër ekonomisë gri, shteti duhet të krijojë drejtësi dhe rregulla të barabarta për të gjithë

18 shkurt 2026, Shkup- Të nderuar përfaqësues të institucioneve, komunitetit të biznesit, partnerëve ndërkombëtarë, organizatave civile, kam nder të veçantë t'ju drejtohem të gjithëve si palë kruciale në arritjen e qëllimit të përbashkët që sot na bashkon: formalizimi i ekonomisë joformale, ndërsa suksesi i këtij qëllimi varet kryesisht nga angazhimi dhe vendosmëria e secilit institucion, si dhe nga koordinimi, niveli i bashkëpunimit dhe partneriteti i ndërsjellë.

Ekonomia joformale është fenomen kompleks dhe shumëdiemsional me ndikim serioz ndaj rritjes ekonomike afatgjate dhe stabilitetit institucional. Është fakt që ekonomia joformale ekziston kudo, por gjithashtu është fakt se niveli i ekonomisë joformale është i ndryshëm kudo. Pikërisht, ky është nivel i përfaqësimit të ekonomisë joformale që dallon ekonomitë në botë. Ky nivel ndikon drejtpërdrejt në vendimet e investitorëve potencialë, por edhe në mënyrën se si vendet e perceptojnë njëra-tjetrën në aspektin e stabilitetit, transparencës dhe konkurrueshmërisë së ekonomive të tyre. Kur përmendet ekonomia joformale, asocimi i parë që zakonisht na vjen ndërmend janë të punësuarit joformalë dhe evazioni tatimor. Megjithatë, ekonomia joformale është fenomen shumë më i gjerë dhe mund të shfaqet në segmente të ndryshme të aktivitetit ekonomik. Gjithmonë duhet të kemi parasysh se bota po lëviz shumë shpejt, jetojmë në një kohë ndryshimesh të shpejta, inovacionesh, vazhdimisht krijohen produkte, shërbime dhe modele afariste të reja të cilat, nëse nuk identifikohen dhe rregullohen në kohën e duhur, krijojnë boshllëk juridik, të cilin ne ekonomistët shpesh e njohim si zonë gri.

Njëkohësisht, duhet të dakordohemi se ekziston një mosangazhim i sistemit institucional jo vetëm në vendin tonë, por edhe globalisht, që ndonjëherë nuk lejon që një aktivitet i caktuar të integrohet menjëherë në zonën formale. Sa më pak fleksibilitet dhe mundësi ofrojnë zgjidhjet ligjore, aq më shumë hapësirë krijohet për shfaqjen e ekonomisë gri. Prandaj, rregullativa moderne dhe e adaptueshme është parakusht kryesor për uljen e joformalitetit dhe inkurajimin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

Punësimi joformal dhe prodhimi i paregjistruar ulin drejtpërdrejt produktivitetin dhe konkurrueshmërinë, kufizojnë të ardhurat buxhetore dhe dëmtojnë qëndrueshmërinë e financave publike. Nga njëra anë, kjo do të thotë më pak mjete për shëndetësinë, arsimin dhe mbrojtjen sociale, ndërsa nga ana tjetër, krijon konkurrencë jolojale, padrejtësi ndaj kompanive të ndershme dhe minon besimin në sistem.

Le të jemi të qartë se qëllimi ynë nuk është represioni, përkundrazi, qëllimi ynë është formalizimi, drejtësia dhe krijimi i rregullave të barabarta për të gjithë. Në mënyrë sistematike dhe vendimtare do t’i qasemi adresimit të konkurrencës jolojale, duke krijuar kushte pune të drejta dhe transparente dhe duke siguruar që kompanitë e ndershme të mos vendosen në pozitë të pafavorshme. Formalizimi që do ta inkurajojmë do të zhvillohet përmes procedurave të thjeshtuara administrative, si dhe aksesit më të lehtë gjatë regjistrimit dhe rregullave të qarta. Do t'i inkurajojmë subjektet nga sektori joformal të kalojnë në ekonominë formale përmes mbështetjes, jo vetëm përmes sanksioneve.

Edhe pse për luftën kundër ekonomisë gri mund të gjejmë plane dhe strategji të përgatitura, prapëseprapë mund të konkludojmë se në periudhat e kaluara nuk ka pasur vendosmëri të fuqishme në zbatimin e tyre dhe arritjen e efekteve.

Sot, Ministria e Financave është e fokusuar seriozisht në luftën kundër ekonomisë joformale.

Fillimisht u nisëm nga dokumenti bazë, që është Strategjia e formalizimit të ekonomisë joformale 2023–2027 dhe Plani aksional për  periudhën 2023–2025, i cili aktualisht ndodhet në fazë rishikimi, me qëllim që të vendosim objektiva të qarta dhe më të rrepta,  luftë sistematike për uljen e ekonomisë joformale.

Me Planin aksional të  rishikuar 2026–2027 do të vendosim qëllim të qartë dhe të maturuar, respektivisht uljen e ekonomisë joformale nga 28.9% në 26% të PBB-së deri në fund të vitit 2027. Kjo ulje mund të duket e moderuar në shikim të parë, por me rëndësi është arritja e këtij qëllimi të përcaktuar, veçanërisht e rëndësishme është përfshirja aktive e të gjitha institucioneve përkatëse në zbatimin e strategjisë dhe të masave të saj. Një mesazh të qartë për bashkëpunim dhe përfshirje aktive në implementimin e masave e përcjellim edhe përmes nënshkrimit të sotëm të Deklaratës së partneritetit dhe aksionit, me të cilën shprehim përkushtimin tonë të përbashkët për formalizimin e ekonomisë joformale. Ky është hap i rëndësishëm drejt qasjes sistematike dhe të koordinuar në përballjen me ekonominë joformale, duke dëshmuar angazhimin e përbashkët të institucioneve, komunitetit të biznesit, organizatave sindikale dhe komunitetit akademik.

Instrumenti i dytë kryesor në këtë luftë është dixhitalizimi. Pikërisht për këtë arsye kemi marrë vendim dhe kemi nisur implementimin e sistemit të faturës elektronike. Në këtë mënyrë do të sigurojmë evidencë më të madhe për qarkullimin e përgjithshëm në vend përmes sistemit të centralizuar, pa të cilin faturat nuk do të jenë të vlefshme. Ky sistem nuk është vetëm qëllimi përfundimtar – ai përbën bazën që do ta zhvillojmë më tej, me synimin që një ditë të arrijmë në fazën e deklaratës së paraplotësuar të TVSH-së. Në këtë mënyrë do të reduktohen detyrimet për të gjitha kompanitë, do të lehtësohet puna dhe do të arrihet  produktivitet më i madh.

Gjithashtu, në periudhën që vijon, DAP-i  do të dixhitalizohet plotësisht, ku më tej, për herë të parë që nga pavarësimi, përmes vendosjes së numrit tatimor ose numrit amë të obliguesit tatimor të mund të sigurohen të gjitha informacionet e nevojshme lidhur me të. Në këtë mënyrë, sistemi aktual, i cili nuk është i centralizuar, do të ndryshohet, me ç’rast, do të rezultojë në  rritjen e efikasitetit më të madh në punën e DAP-it.

Gjithashtu, po punojmë për përforcimin e moralit tatimor dhe zbatojmë tolerancë zero ndaj evazionit të organizuar tatimor. Gjatë vitit të fundit, jeni dëshmitarë të aktiviteteve të shumta që DAP-i ka ndërmarrë për informimin e të gjithë obliguesve tatimorë, për t’i stimuluar që t’i deklarojnë në kohë detyrimet e tyre, përmes njoftimeve të vazhdueshme në rrjetet sociale dhe paralajmërimeve për pagesat e tyre.

E treta dhe më e rëndësishmje, në Ministrinë e Financave po punojmë në mënyrë aktive për harmonizimin gjithëpërfshirës të kornizës ligjore, jo vetëm me legjislacionin e BE-së, por edhe për precizimin e dispozitave ligjore që nuk janë plotësisht të qarta dhe që për vite me radhë kanë qenë të neglizhuara dhe të paqarta. Këto paqartësi krijojnë pasiguri juridike për obliguesit tatimorë dhe mund të kontribuojnë që një pjesë e aktiviteteve ekonomike të zhvillohen jashtë rrjedhave formale. Njëkohësisht, adresojmë edhe rekomandimet që për një periudhë të gjatë janë dhënë nga institucionet ndërkombëtare financiare, të cilat lidhen me nevojën e vendosjes sistematike dhe analizës së lirimit nga detyrimet tatimore. Disa prej tyre janë jo dhe aq të specifikuara dhe krijojnë kosto të konsiderueshme tatimore. Është e rëndësishme të bëhet një dallim i qartë: lirimet tatimore, në vetvete, nuk paraqesin ekonominë joformale. Megjithatë, kur ato nuk janë të përcaktuara dhe transparente në mënyrë të mjaftueshme, mund të krijojnë hapësirë për abuzime dhe evazion tatimor. Prandaj, vendosmëria jonë është e qartë – rregullativë e qartë dhe precize, siguri juridike dhe rregullativa të barabarta për të gjithë.

Një nga premtimet kryesore parazgjedhore ishte dhe mbetet ruajtja e normave tatimore të deritanishme, me qëllim që të sigurojmë stabilitet dhe parashikueshmëri për komunitetin e biznesit. Jemi të vetëdijshëm se tatimet dhe detyrimet e larta krijojnë barrë shtesë, dhe kur shteti ka norma tatimore të larta, një pjesë e qytetarëve dhe firmave përpiqen t’i shmangin detyrimet, që në mënyrë direkte nxisin ekonominë joformale. Prandaj, konsolidimin fiskal po e zbatojmë në mënyrë të përgjegjshme, pa rritur presionin tatimor. Në këtë mënyrë kthejmë besimin te institucionet, gjë që është aspekt krucial për uljen e ekonomisë joformale.

Po punojmë edhe në thjeshtësimin e procedurave administrative, sepse e dimë se burokracia komplekse dhe procedurat e tejzgjatura i pengojnë qytetarët dhe kompanitë të bëjnë punë formale.

Njëkohësisht, përforcojmë kontrollet inspektuese dhe sistemin e sanksioneve, sepse kur nuk ka mbikëqyrje efektive dhe rreziku i mbulimit është i vogël,  ka gjithmonë e më shumë hapësirë që ekonomia joformale të rritet. Por, qëllimi ynë nuk është vetëm të vendosim gjoba, por të sigurojmë kushte të drejta dhe të sigurta për sektorin privat, prandaj në Ministrinë e Financave kanë filluar tashmë aktivitetet për të rivendosur procedurat ankimore kundër akteve administrative tatimore dhe doganore, si mekanizëm vrojtues i pavarur dhe objektiv i zbatimit të rregullativave tatimore dhe doganore në procedura specifike. Përmes këtij mekanizimi do të ofrojmë siguri dhe parashikueshmëri më të madhe për kompanitë, duke parandaluar subjektivitetin në vendimmarrjen e inspektorëve tatimorë dhe doganorë duke ulur mosmarrëveshjet që përfundojnë në procese gjyqësore, prodhimtari dhe standard më të lartë jetese.

Një nga dokumentet e rëndësishëm me të cilin po punojmë, me mbështetjen e UNDP-së, është edhe Strategjia e uljes së parave të gatshme në qarkullim. Qëllimi është ulja e pagesave në para të gatshme në mënyrë graduale, gjë që do të sjellë formalizm më të madh  të ekonomisë, rritje të transparencës dhe luftë më efikase kundër ekonomisë gri.  Në këtë drejtim është i rëndësishëm vlerësimi dhe mbrojtja e të punësuarve. Formalizm do të thotë qasje në sigurimin pensional, shëndetësor dhe social.  Kjo mbi të gjitha do të thotë siguri dhe punë dinjitoze.

Me qasje të tillë të balancuar, me tatime dhe detyrime publike të qëndrueshme, procedura të thjeshtësuara, kontrolle të drejta dhe efikase, si dhe me siguri më të madhe juridike përforcojmë besimin në institucionet dhe krijojmë bazë për rritje ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.

Lufta kundër ekonomisë gri është lufta për një shoqëri të drejtë, për financa publike të qëndrueshme dhe për një ekonomi në të cilën puna dhe ndershmëria vlerësohen. Kjo nuk është luftë vetëm e Qeverisë, por luftë e përbashkët e institucioneve, biznesit dhe e qytetarëve, sepse nga kjo përfitojnë të gjithë. Prandaj, në fund dua të potencoj se ky nuk është vetëm angazhim deklarativ, nuk është fushatë afatshkurtër, por reformë afatgjate ku do ta mbështesim barazinë para ligjit dhe krijimin e mundësive të barabarta për të gjithë. Njëkohësisht, dua t’i falënderoj partnerët tanë ndërkombëtarë të UNDP-së, sektorin civil dhe komunitetin akademik për përkrahjen dhe implementimin e kësaj reforme.

Финансиска едукација

Edukim financiar

Постави прашање

Bëj një pyetje

Одлуки на финансиска инспекција

Vendimet e Inspektimit Financiar

Анкетен лист

Fletëpyetje

Shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore

Raporti financiar para zgjedhor

Accessibility Menu