13 nëntor 2025, Shkup – Krijimi dhe ruajtja e mjedisit financiar të parashikueshëm, të qëndrueshëm dhe transparent është një nga prioritetet e Qeverisë me qëllim që sektori privat të zhvillohet, ndërsa qytetarët dhe kompanitë të kenë besim në institucione. Ky ishte mesazhi i ministres së Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska në fjalimin e saj në “Mëngjesin Erste Investor” i cili u mbajt në Shkup dhe u organizua nga Grupi Erste dhe Banka Shparkase.
"Ekonomia botërore është në periudhë përshtatjeje ndaj politikave të reja monetare, sfidave gjeopolitike dhe inovacioneve të shpejta dixhitale. Në kushte të tilla, si krijues politikash në nivel nacional, po monitorojmë dhe analizojmë me kujdes trendet globale dhe bazuar në këto njohuri, ndërmarrim masa përkatëse. Qëllimi ynë është që të krijojmë një mjedis të favorshëm biznesi dhe mundësi të reja për rritje ekonomike", tha Dimitrieska-Koçoska.
Ajo theksoi se pavarësisht sfidave të paraqitura nga mjedisi ekonomik global, ekonomia vendase që nga mesi i vitit të kaluar deri në tremujorin e dytë të vitit 2025 shënoi rritje prej mbi 3% dhe kjo flet për stabilizimin e aktivitetit ekonomik, qëndrueshmërinë e ekonomisë dhe efektivitetin e politikave.
Gjithashtu ajo potencoi se rritja ekonomike për këtë vit parashikohet të jetë 3.5% dhe se një trend i tillë pritet të vazhdojë edhe në vitin e ardhshëm me rritje prej 3.8%. Bartësit kryesorë janë investimet bruto, por kontribut të rëndësishëm ka edhe mbështetja kreditore për investimet, e cila në muajin shtator shënoi rritje prej 16.5% në sektorin korporatativ dhe linja kreditore e Qeverisë për financimin e investimeve në kompanitë private.
Ajo theksoi para të pranishmëve se Ministria e Financave po punon në vazhdimësi për reformat në financat publike, nxitjen e investimeve dhe zhvillimin e instrumenteve të reja financiare, të cilat do të përkrahin inovacioninin dhe konkurrueshmërinë.
“Në këtë drejtim, në periudhën e kaluar, Ministria e Financave ka punuar intensivisht në analizën e tregut financiar dhe trendeve në rajon dhe Evropë me qëllim diversifikimin e ofertës së instrumenteve financiare për investime, si dhe modernizimin dhe thjeshtëzimin e tyre. Qëllimi ynë është të arrijmë të gjitha grupet e interesit dhe të përmbushim nevojat e qytetarëve. Prandaj, duke marrë parasysh nevojat e qytetarëve për letrat me vlerë të qeverisë, ministria po përgatit një emetim të ri të fletobligacionit të qytetarëve, i cili do të jetë i destinuar për qytetarët që duan të investojnë në mënyrë të sigurt dhe të drejtpërdrejt. Në këtë mënyrë, pasurojmë portofolin e instrumenteve në dispozicion dhe mundësojmë sistem investimi modern, të thjeshtë, efikas dhe transparent.”- shtoi ministrja e Financave.