18 Shkurt 2026, Shkup - Sot, në konferencën vjetore me temë “Formalizimi i ekonomisë joformale: Përmes bashkëpunimit drejt suksesit”, Qeveria, komuniteti i biznesit, sindikatat dhe komuniteti akademik dërguan mesazh për luftën e përbashkët në reduktimin e ekonomisë gri. Konferenca u organizua nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut/Ministria e Financave, së bashku me Organizatën për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara - UNDP, Organizatën Ndërkombëtare të Punës - ONP dhe Fakultetin Ekonomik - Shkup. Në hapjen solemne të konferencës folën kryeministri, Hristijan Mickoski, ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, dekani i Fakultetit Ekonomik në Universitetin "Shën Kirili dhe Metodi" - Shkup, Mijallçe Santa, koordinatori nacional i Organizatës Ndërkombëtare të Punës për Republikën e Maqedonisë së Veriut, Emil Kërstanovski, dhe përfaqësuesi i përhershem i UNDP-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Armen Grigorian.
“Qëllimi ynë është i qartë - ta bëjmë ekonominë formale më tërheqëse sesa atë joformale. Ta bëjmë punën legale më të lehtë, më fitimprurëse dhe më të sigurt. Por, duhet të jemi të sinqertë, kjo luftë nuk mund të jetë vetëm inspektim, por duhet të jetë edhe sistemike. Prandaj kjo është arsyeja pse po punojmë në: dixhitalizimin e proceseve – e faturimin, aplikimet elektronike, lidhjen e bazave të të dhënave, uljen e barrierave administrative për regjistrimin e biznesit, stimulimet për punësim formal dhe mbështetjen për ndërmarrjet mikro dhe të vogla, si dhe rritjen e transparencës dhe shkëmbimin e të dhënave midis institucioneve”, theksoi kryeministri në fjalimin e tij hyrës, ku me ç’rast shtoi se strategjia e Qeverisë bazohet në tre parime, thjeshtimin, drejtësinë dhe mbështetjen.
Ministrja e Financave Dimitrieska-Koçoska tha se Qeveria me qasje sistemike dhe të vendosur ndaj konkurrencës jolojale, duke krijuar kushte pune të drejta dhe transparente, do të punojën në formalizimin e ekonomisë joformale.
“Qëllimi ynë është formalizimi, drejtësia dhe krijimi i rregullave të barabarta për të gjithë. Ne do t’i qasemi në mënyrë sistematike dhe me vendosmëri duke adresuar konkurrencën jolojale, duke krijuar kushte pune të drejta dhe transparente dhe duke siguruar që kompanitë e ndershme të mos vendosen në pozicion nënçmues. Formalizim që ne do ta inkurajojmë përmes procedurave të thjeshtuara administrative, aksesit më të lehtë në regjistrim si dhe rregullave të qarta. Do t'i inkurajojmë subjektet të kalojnë nga sektori joformal në ekonominë formale përmes mbështetjes, jo vetëm përmes sanksioneve”, theksoi ministrja.
Ministri i Ekonomisë, Besar Durmishi, theksoi se ulja e ekonomisë joformale kërkon zgjidhje sistematike, konsistente dhe të qëndrueshme.
“Puna në ekonominë joformale shpesh nënkupton kushte të pasigurta, orë të gjata pune, marrëdhënie pune të padefinuara dhe mungesë të mbrojtjes sociale dhe juridike.
Të punësuarit e palajmëruar privohen nga të drejtat themelore që rrjedhin nga marrëdhënia e punës, ndërsa kompanitë që veprojnë ligjërisht vendosen në pozitë më të pafavorshme.” Prandaj, ulja e ekonomisë joformale kërkon zgjidhje sistemike, konsistente dhe të qëndrueshme. Çdo kompromis me ekonominë gri nënkupton rritje më të ulët ekonomike, më pak shërbime publike dhe cilësi më të ulët jetese. Ministria e Ekonomisë dhe e Punës deri më tani ka zbatuar politika aktive përmes Planit operativ të punësimit. Megjithatë, analizat treguan se një pjesë e personave ende mbeten jashtë rrjedhave formale. Pikërisht për këtë arsye, këtë vit janë ndarë 40 milionë euro për Planin e ri operativ të punësimit, me masa që do të kontribuojnë drejtpërdrejt në formalizimin dhe në hapjen e vendeve të reja të punës. Gjithashtu, është miratuar Ligji i Angazhimit të Personave në Punë, qëllimi kryesor i të cilit është formalizimi i formave të caktuara të punës dhe përgjigjja ndaj nevojave reale të tregut të punës. Nga 1 janari i vitit 2026 fillon zbatimi i Ligjit të Mbështetjes Financiare të Investimeve i cili stimulon kompanitë që investojnë, të hapin vende të reja pune dhe të realizojnë rritje”, theksoi Durmishi.
Dekani i Fakultetit Ekonomik – Shkup pranë USHKM-it, Mijallçe Santa, tha se lufta kundër ekonomisë joformale është proces afatgjatë. “Ekonomia joformale kërkon institucione të qëndrueshme, kornizë rregullatore të parashikueshme, stimuj për formalizimin dhe dialog të vazhdueshëm ndërmjet shtetit, bizneseve, të punësuarve dhe ekspertëve. Fakulteti Ekonomik – Shkup do të vazhdojë të jetë partner i sigurt në këtë proces përmes hulumtimit, analizës, edukimit dhe debatit publik.” Misioni ynë është të kontribuojmë në krijimin e politikave të bazuara në njohuri dhe fakte, në interes të zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe nacional.
Nëse duam ekonomi joformale më të ulët, duhet të ndërtojmë ekonomi formale më të fortë, më të drejtë dhe më konkurruese – ekonomi në të cilën rregullat janë të qarta, institucionet janë efikase, ndërsa besimi është vlerë e përbashkët”, tha dekani i Fakultetit Ekonomik.
Koordinatori nacional i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Emil Kërstonovski theksoi se formalizmi i ekonomisë joformale, në perspektiven e ONP-së, është thelbësor në avancimin e punës dinjitoze, të drejtësisë sociale dhe rritjes ekonomike gjithëpërfshirëse.
“Joformaliteti shpesh do të thotë mungesë e të drejtave të të punësuarve, mbrojtjes sociale dhe kushteve më të sigurta dhe të shëndetshme të punës, ndërsa njëkohësisht minon prodhimtarinë, të ardhurat publike dhe konkurrencën e drejtë. Përmes promovimit të qasjes së balncuar, e cila kombinon masat mbështetëse për ndërmarrjet, mbrojtjen më të fuqishme të punës, dialogut social si dhe zbatimin efektiv, por të drejtë të ligjit, formalizimi ndihmon të punësuarit të gëzojnë siguri dhe të drejta, bizneset të garojnë në kushte të barabarta, ndërsa Qeveria të zgjerojë përfshirjen e mbrojtjes sociale dhe zhvillimin e qëndrueshëm”, tha Kërstanovski.
Përfaqësuesi i përhershëm i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara – UNDP, Armen Grigorian tha përmes projektit “Përkrahje e reformave në financat publike”, i financuar nga Ministria e Financave e Republikës së Sllovakisë, është ndërtuar sistem i sofistikuar që përcakton në mënyrë të qartë ndryshimet e vërteta të ekonomisë joformale.
“Me furnizimin e revizorëve me pajisje të reja analitike, mundësojmë që çdo rekomandim fiskal të mbështet me të dhëna precize. Përveç kësaj, kontribuuam edhe në sinkronizmin e strategjive nacionale dhe vendosjen e pajisjeve dixhitale të monitorimit në kohë reale, duke ndihmuar kështu në sigurimin që vendimet dhe zgjidhjet që duhen marrë të bazohen në fakte”, tha përfaqësuesi i përhershëm i Programit të Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara – UNDP.
Në kuadër të konferencës u nënshkrua “Deklarata e partneritetit dhe veprimit: Përkushtimi i përbashkët për formalizmin e ekonomisë joformale në Maqedoninë e Veriut”. Nënshkruesit ishin përfaqësues të ministrive kryesore në formalizmin e ekonomisë joformale, përfaqësuesit e odave ekonomike, organizatave të punëtorëve, sindikatave, si dhe përfaqësuesit të komunitetit akademik.
Gjatë panelit të diskutimit të konferencës, të pranishmit debatuan për krijimin e politikave për një proces efikas në formalizmin e ekonomisë joformale me temë “Si arrihet tregu i punës, mjedisi afarist dhe institucional që inkurajon qytetarët, të punësuarit dhe bizneset të funksionojnë në sektorin formal”. Nga ana e profesorëve Borçe Trenovski dhe Biljana Tashevska nga Fakulteti Ekonomik i USHKM-it, u mbajt prezantimi me temë “Determinuesit dhe efektet e ekonomisë joformale – me referencë të veçantë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”.