20 shtator 2025, Shkup – Agjencia e vlerësimit kreditor “Fitch” konfirmoi vlerësimin kreditor të Republikës së Maqedonisë së Veriut në nivelin BB+ me perspektivë stabile.
Ky vlerësim është konfirmim i stabilitetit të politikave ekonomike dhe sinjal për besimin e perspektivave makroekonomike të vendit.
“Fitch”-i në këtë raport thekson se politikat makroekonomike të besueshme dhe konsekuente, politikat afatgjate të kursit devizor fiks, si dhe treguesit më të mirë të menaxhimit krahasuar me vendet me vlerësim të ngjashëm mbeten faktorë kryesorë që përkrahin stabilitetin.
Në gjysmën e parë të vitit 2025, PBB-ja reale është rritur për 3.2%, e mbështetur nga konsumi i fuqishëm privat dhe rritja e eksportit.
Perspektiva ekonomike për periudhën e ardhshme është pozitive.
“Fitch”-i pret që ekonomia të ketë rritje prej 3.2% për të gjithë vitin 2025, ku mesatarja duhet të jetë 3.4% në periudhën 2026-2027, që është mbi rritjen potenciale afatgjate prej rreth 3%.
Rritja do të nxitet më tej edhe nga projektet e mëdha infrastrukturore që do të krijojnë mundësi të reja për investime dhe do ta lidhin ekonominë me tregjet evropiane.
Angazhimi ndaj procesit të eurointegrimeve identifikohet më tej si pikë referimi për zbatimin e reformave strukturore dhe përforcimin e institucioneve.
Njëkohësisht pritet rënie e lehtë e investimeve të huaja direkte pas një rekordi prej 7% të PBB-së në vitin 2024, si rezultat i mungesës së fuqisë punëtore dhe pasigurisë globale në industrinë e automobilave.
Sipas “Fitch”-it, faktorët kufizues për zhvillimin ekonomik janë trendet negative demografike, si dhe rritja e ulët e produktivitetit, të cilat paraqesin sfida strukturore në periudhën afatmesme.
“Fitch”-i thekson vonesë gjatë implementimit të Ligjit të Buxheteve për shkak të aktiviteteve investuese dhe pret ulje graduale të deficitit buxhetor dhe stabilizim të borxhit publik në nivel të theksuar nën pragun prej 60% të PBB-së në periudhën afatmesme.
Konfirmimi i vlerësimit kreditor “BB+” me perspektivë stabile është sinjal i rëndësishëm për tregjet financiare ndërkombëtare dhe investitorët, se Republika e Maqedonisë së Veriut po ruan me sukses stabilitetin ekonomik në kushtet e sfidave globale.
Ky vendim është konfirmim shtesë i besueshmërisë së politikave ekonomike dhe paraqet nxitje për vazhdimin e reformave, forcimin e disiplinës fiskale dhe përmirësimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë, me qëllim përfundimtar sigurimin e standardit më të lartë të jetesës së qytetarëve dhe mundësi të reja për zhvillimin.