8 qershor 2026, Shkup – Sekretarja shtetërore e Ministrisë së Financave Andriana Matlioska, nga 5 deri më 7 qershor 2026, mori pjesë në Asamblenë vjetore dhe Forumin e biznesit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, që u mbajt në Rigë, Letoni.
Asambleja vjetore iu kushtua temës “Nga ekonomitë jostabile në ato të larmishme që inovojnë në një botë që po ndryshon”, ku morën pjesë përfaqësuesit e Qeverisë, drejtorët financiarë dhe korporativë, aksionarët, partnerët dhe klientët e bankës, sektori i biznesit, si dhe sektori civil.
Matlioska, gjatë qëndrimit të saj në Rigë zhvilloi disa takime dypalëshe me përfaqësuesit e BERZH-it, BEI-së, Fondit të Gjelbër Klimatik, si dhe me përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës dhe Konstituencës së BERZH-it, të kryesuar nga Holanda.
Në takimin me drejtoreshën e infrastrukturës për Evropën në BERZH, Elena Gordeeva, u theksua përkushtimi i vendit për përmirësimin e infrastrukturës, ku Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është partnere e rëndësishme në realizim.
BERZH-i në vendin tonë ka investuar në 213 projekte me vlerë prej 3.13 miliardë euro, ndërsa aktualisht po realizohen projekte me vlerë prej 1.3 miliardë euro.
Matlioska shprehu mirënjohje për mbështetjen që deri më tani i është dhënë vendit tonë nga BERZH-i dhe theksoi përkushtimin e Qeverisë për realizimin e shpenzimeve kapitale.
“Shpenzimet kapitale paraqesin instrumentin kryesor të politikës fiskale dhe bartësin e rritjes ekonomike për periudhën 2027–2031, me qëllim të sigurimit të përfitimeve afatgjata ekonomike përmes rritjes së investimeve publike, veçanërisht në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, kapacitetet energjetike, sistemet e furnizimit me ujë dhe kanalizimit, infrastrukturën digjitale, si dhe projektet në arsim dhe mbrojtje sociale”, theksoi Matlioska gjatë takimit, ku u theksua edhe gatishmëria e bankës për vazhdimin e partneritetit në realizimin e projekteve në infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, si dhe në infrastrukturën komunale.
Në takimin me drejtorin e Partneriteteve të BEI-së Global, Riçard Amor, u theksua edhe rëndësia e mbështetjes që BEI-ja i ofron vendit në zbatimin e disa projekteve, mbështetja e të cilave është në nivel prej 1.6 miliardë eurove.
Matlioska shprehu mirënjohje për mbështetjen e deritanishme të BEI-së në infrastrukturën energjetike dhe hekurudhore, infrastrukturën komunale dhe atë të ujit, si dhe shprehu mirënjohje për gatishmërinë e BEI-së për vazhdimin e bashkëpunimit në mbështetjen e sektorit privat, konkretisht ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme përmes Bankës Zhvillimore.
Sekretarja shtetërore, po ashtu, zhvilloi takim me drejtorin e Njësisë Rajonale të Evropës Lindore, Azisë Qendrore dhe Lindjes së Mesme të Fondit të Gjelbër Klimatik, Tomas Erikson.
Në këto takime, Matlioska, përveç ato që tha më sipër, theksoi se Qeveria vazhdon angazhimin e fuqishëm ndaj proceseve reformuese, duke përfshirë dhe agjendën reformuese dhe duke e theksuar atë si bazë për zhvillimin ekonomik, përforcimin e institucioneve dhe integrimin suksesshëm në Bashkimin Evropian.