15 maj 2026, Shkup – Akademia e Financave Publike, në bashkëpunim me Sektorin e Thesarit të Ministrisë së Financave, zhvilloi trajnimin njëditor me temë “Evidentimi i të ardhurave publike”, më 15 maj 2026, me qëllim të avancimit të njohurive dhe shkathtësive praktike të pjesëmarrësve në fushën e punës së thesarit dhe menaxhimit të të ardhurave publike.
Trajnimin e realizuan Elena Kuzmanova dhe Ivana Koçoska nga Sektori i Thesarit, të cilat përmes qasjes praktike dhe interaktive prezantuan aspektet kryesore që lidhen me evidentimin, shpërndarjen, kthimin dhe ridestinimin e të ardhurave publike, si dhe funksionimin e sistemit të llogarive të pagesave dhe portalit elektronik “e-detyrime”.
Në kuadër të trajnimit u diskutua edhe për punën dhe përgjegjësitë e Sektorit të Thesarit, i cili është bartës i qarkullimit pagesor për shtetin përmes sistemit - Llogaria e vetme e thesarit. Theks i veçantë u vendos në proceset për hapjen dhe menaxhimin e llogarive të pagesave, zbatimin e duhur të Udhëzimit për evidentimin, shpërndarjen, kthimin dhe ridestinimin e të ardhurave publike, si dhe për procedurat e kthimit dhe ridestinimit të mjeteve të paguara gabimisht.
Pjesëmarrësit patën mundësinë përmes shembujve praktikë, diskutimeve dhe shkëmbimit të përvojave të mësojnë rreth situatave specifike nga puna e përditshme, si dhe procedurave për regjistrimin dhe përdorimin e portalit elektronik “e-detyrime”. Në vazhdim, u prezantuan elementet e llogarive të pagesave, korniza ligjore dhe rëndësia e shpërndarjes së duhur të të ardhurave publike, në përputhje me rregulloret në fuqi.
Realizimi i këtij trajnimi paraqet pjesë të aktiviteteve të vazhdueshme të Akademisë së Financave Publike, të orientuara drejt forcimit të kapaciteteve institucionale, avancimit të kompetencave profesionale të administratës publike dhe sigurimit të menaxhimit efikas dhe ligjor të financave publike.