20 janar 2024, Shkup – Republika e Maqedonisë së Veriut, me përkushtim të fuqishëm për realizimin e axhendës ambicioze reformuese ka ruajtur stabilitetin makroekonomik dhe financiar, ka arritur të gjitha qëllimet e përcaktuara dhe sipas misionit të FMN-së vazhdon t’i përmbushë kriteret për qasje në programin e PLL-së (Linja e Përkujdesjes dhe Likuiditetit) të Fondit Monetar Ndërkombëtar, i cili ofrohet vetëm për ekonomitë që kanë baza të qëndrueshme makroekonomike
Ky është konkluzioni i Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Nenin IV dhe rishikimi i parë i Linjës së Përkujdesjes dhe Likuiditetit. Me këtë, vendit i vihen në dispozicion për shfrytëzim 200 milionë dollarë, në kuadër të pakos tashmë të miratuar prej 530 milionë eurove në vitin 2022 në kuadër të instrumentit PLL. Transheja e parë prej 110 milionë eurove është tërhequr gjatë vitit 2022 dhe pritet tërheqja e transhesë së dytë prej 155 milionë eurove, ndërsa mjetet e tjera janë siguruar si masë preventive dhe rezervë për nevojat e vendit.
“Maqedonia e Veriut rimëkëmbet nga goditjet e dyfishta të pandemisë Covid-19 dhe nga rritja e çmimeve të energjensave pas invazionit të Rusisë ndaj Ukrainës. Aktiviteti ekonomik nxitet nga eksporti i fuqishëm dhe importi i reduktuar për shkak të energjensave, që pritet të përforcohet në vitin 2024. Rritja e planifikuar e investimeve publike, që filloi autostradat e korridoreve 8 dhe 10d, do të përkrahë më tej rimëkëmbjen. Megjithëse inflacioni mbetet një sfidë, ai gradualisht po zvogëlohet”, thekson FMN-ja.
Fondi thekson se në vitin 2023 është përmbushur targeti për uljen e deficitit në vitin 2023. “Konsolidimi fiskal i planifikuar për vitin 2024 orientohet në afrimin e deficitit buxhetor deri në 3% të PBB-së, që është në përputhje me Ligjin e Buxheteve”, thekson Misioni.
Linja e Përkujdesjes dhe Likuiditetit e ndihmon vendin ta kapërcejë pasigurinë e shkaktuar nga inflacioni i lartë, invazioni rus ndaj Ukrainës dhe kriza energjetike dhe ka ndikim në sigurimin e stabilitetit financiar.
Programi i Përkujdesjes dhe Likuiditetit është program dyvjeçar që përmbyllet në muajin nëntor të vitit 2024, me ç’rast i mundësohet vendit qasje në mjete financiare me kushte të favorshme në vlerë prej 530 milionë eurove.
Instrumenti i Përkujdesjes dhe Likuiditetit të FMN-së destinohet për vendet anëtare të FMN-së që kanë dëshmuar baza të qëndrueshme ekonomike dhe që zbatojnë politika të qëndrueshme. Instrumenti u prezantua në vitin 2011.