11 maj 2026, Shkup – Në kuadër të aktiviteteve të vazhdueshme për përforcimin e sistemit të financave publike dhe avancimin e kapaciteteve profesionale të revizionit të brendshëm në sektorin publik, në hapësirat e Ministrisë së Financave u realizuan me sukses punëtoritë me temë “Revizioni i performancës”.
Punëtoritë u organizuan në bashkëpunim ndërmjet Ministrisë së Financave dhe projektit IPA “Mbështetje për zbatimin e Programit për reforma në financat publike 2024–2027”, me qëllim të ofrimit të mbështetjes strategjike dhe praktike për zhvillimin e mëtejmë të revizionit të brendshëm si një funksion i rëndësishëm në sistemin e menaxhimit dhe kontrollit të mirë financiar.
Trajnimet u fokusuan në zbatimin e qasjeve bashkëkohore metodologjike dhe shfrytëzimin e mjeteve praktike për realizimin e revizionit të performancës, me theks të veçantë në metodat cilësore të revizionit, intervistat, vëzhgimin, analizën e proceseve, analizën e të dhënave cilësore dhe analizën tekstuale.
Pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me lloje të ndryshme intervistash dhe teknika për zbatimin e tyre në punën e revizionit, si dhe me metoda për vëzhgim sistematik dhe analizë të proceseve institucionale.
Gjithashtu, u prezantuan qasje për përpunimin dhe analizimin e të dhënave, identifikimin dhe dokumentimin e fakteve, si dhe mjete praktike digjitale që kontribuojnë në realizimin më efikas dhe më cilësor të aktiviteteve të revizionit.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua shkëmbimit të përvojave praktike, praktikave të mira dhe sfidave me të cilat përballen institucionet gjatë zbatimit të revizionit të performancës, me synim përmirësimin e cilësisë, transparencës dhe efektivitetit të proceseve të revizionit në sektorin publik.
Kontribut të veçantë në cilësinë e punëtorive ofroi eksperti Markus Erlmoser, i cili përmes përvojës së tij shumëvjeçare profesionale dhe ekspertizës siguroi një qasje të lartë profesionale dhe akademike ndaj temave të trajtuara gjatë trajnimit.
Punëtoritë u realizuan në bashkëpunim me Sektorin e Akademisë së Financave Publike dhe Sektorin e Harmonizimit Qendror të Sistemit të Kontrollit të Brendshëm Financiar në Sektorin Publik pranë Ministrisë së Financave.