EN
MK
AL
 

Një klik për të gjitha shërbimet

https://uslugi.gov.mk/

Dimitrieska-Koçoska: Pavarësisht sfidave dhe presionit mbi buxhetin, Qeveria po ndërmerr masa me kujdes dhe në kohë duke vendosur në interes të qytetarëve dhe biznesit

Dimitrieska-Koçoska: Pavarësisht sfidave dhe presionit mbi buxhetin, Qeveria po ndërmerr masa me kujdes dhe në kohë duke vendosur në interes të qytetarëve dhe biznesit

24 mars 2026, Shkup – Pavarësisht detyrimeve dhe sfidave në buxhet, Qeveria e monitoron situatën, duke ndërmarrë masat e duhura dhe duke vendosur në kohë. Kjo u theksua nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, e cila mori pjesë në konferencën e sotme “Puna bankare qendrore në kushtet e ndryshimeve të vazhdueshme globale: nxitja e stabilitetit, inovacionit dhe qëndrueshmërisë”, e organizuar nga Banka Popullore.

“Presioni që kemi për servisimin e detyrimeve gjatë pesë viteve të ardhshme është mbi tetë miliardë euro dhe kjo është një sfidë serioze dhe presion i madh për këtë Qeveri, sepse nëse analizohen të dhënat vit pas viti, do të vërehet se detyrimet për servisimin janë në nivelin më të lartë historik. Për më tepër, për krahasim, nëse në vitin 2022, shpenzimet e interesit në buxhet ishin rreth 1% e PBB-së, ne në vitin 2026 kemi shpenzime interesi që janë afërsisht 2% e PBB-së.

Kjo e tregon qartë se sa i madh është presioni dhe sa e kufizuar është hapësira në suaza të buxhetit për të reaguar, ku për Qeverinë, prioritet duhet të jenë qytetarët dhe ekonomia, sepse kjo është një periudhë në të cilën të gjitha shtetet reagojnë dhe si rezultat i kësaj, është normale që edhe ne të kemi disa reagime“, theksoi ministrja.

Ajo thekson se si shtet po përballemi shumë mirë me situatën dhe shton se më e rëndësishme është që Qeveria t’i targetojë me kujdes masat dhe të vendosë në kohë.

“Si vend, po ballafaqohemi me situatën shumë mirë, do të vlerësojmë nëse do të ketë masa të reja të caktuara. Por, do ta ritheksoj se, shqetësimi më i madh për të gjithë ne është se sa do të zgjasë kjo dhe çfarë pasojash do të ketë në kapacitetet prodhuese”, tha ministrja.

Ajo vlerësoi se është shumë e lehtë të miratohen mënjëherë një sërë masash, por duhet të kemi kujdes nëse kjo mund ta nxisë inflacionin dhe sigurisht nëse ka hapësirë në buxhet.

“Është shumë e thjeshtë, nëse vendosim sot të kemi deficit buxhetor prej 8% siç e kishim dikur, për këtë dikush do të duhet të paguajë në të ardhmen. Besoj se një qeveri përgjegjëse duhet t'i targetojë me kujdes masat dhe të marrë vendime në kohë. Ky është momenti kur edhe ekspertët botërorë sugjerojnë se duhet të kursehet. Në këtë drejtim duhet të kursejnë edhe kompanitë, edhe të gjitha amvisëritë. Për këtë arsye, askush nuk e di se sa do të zgjasë. Prandaj, një reagim nga Qeveria duhet të jetë i kujdesshëm, siç tha edhe Kryeministri, ai duhet të jetë i targetuar dhe për këtë arsye nuk është rastësi që filluam me TVSH-në. Kushtet ishin më të favorshme këtu. Më tej do të reagojmë siç dikton nevoja”, theksoi Dimitrieska-Koçoska, e cila deklaroi se buxheti realizohet në anën e të ardhurave sipas planit dhe se krahasuar me vitin paraprak, të ardhurat janë në rritje.

Ministrja theksoi se në këtë situatë të gjithë duhet të kontribuojnë, përfshirë edhe kompanitë, të cilat janë ndihmuar përmes mekanizmave të ndryshëm në periudhën e kaluar dhe se tani është momenti kur duhet të reagojnë.

“Mendoj se në këtë moment kompanitë janë në nivelin e detyrës. Nuk kemi ndonjë reagim dhe ndikim të theksuar te çmimet. Kjo tregon qartë se të gjithë së bashku duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të dalim nga kjo situatë pa nxitur më tej rritjen e inflacionit. Ne si Qeveri, gjatë periudhës në vijim do ta monitorojmë situatën, ku si rrjedhojë kemi kufizim të buxhetit, detyrime serioze të mbetura, detyrime ndaj konsolidimit fiskal, ku financat publike stabile janë prioriteti ynë”, potencoi ministrja e Financave.

Po ashtu, ajo theksoi se me rëndësi të veçantë është edhe komunikimi dhe konsolidimi me Bankën Popullore, ku theksoi se në periudhën e shkuar ai ka qenë i vazhdueshëm sepse bëhet fjalë për krizë në të cilën duhet të ketë komunikim dhe koordinim me BP-në, jo vetëm nga aspekti i inflacionit, por edhe nga aspekti i krijimit të masave.

Ministrja Dimitrieska-Koçoska mori pjesë në panelin e parë me temë “Përforcimi i stabilitetit në kushtet e pasigurisë së lartë: leksione për politikat makroekonomike”, së bashku me guvernatorin Trajko Sllaveski, guvernatorin e Bankës Nacionale të Kroacisë Boris Vujçiq, guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Ahmet Ismaili, zëvendësdrejtoreshën e Departamentit të Çështjeve Fiskale pranë FMN-së Era Dabla-Norris, si dhe me profesorin e lëmisë së stabilitetit financiar dhe njëherazi drejtori në Shkollën e Bankave dhe Financave në Firence, Thorsten Beck.

Финансиска едукација

Edukim financiar

Постави прашање

Bëj një pyetje

Одлуки на финансиска инспекција

Vendimet e Inspektimit Financiar

Анкетен лист

Fletëpyetje

Shpenzimet buxhetore gjatë periudhës zgjedhore

Raporti financiar para zgjedhor

Accessibility Menu